Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: UNË DHE KANARINA

Image result for reshat kripa

Në dritare të qelisë, kanarina kish qëndruar,
Këngë e saj kaq melodioze, ëmbëlsi e mjaltëzuar,
Unë rrija i mahnitur, këngën duke e dëgjuar,
Zemra ime njomëzake, u brengos e copëtuar.

Pse ky zog, ky zogth i bukur, nga kafazi fluturuar?
Po gëzonte shpirtrat tanë, gjithë plagë të mbuluar,
Gjithë plagë të mbuluar, trup e shpirt të sakatuar,
Ndarë nga bota e madhe, në hapsanën e mallkuar.

M’u kujtua fëminia, si e zogut sapo lindur,
Ëndërroja për lirinë, dita ditës duke pritur,
Që të ndriste, ah, një ditë, që të zbardhte një mëngjes,
Të mos ecnim jo mbi ferra, të jetonim plot me shpresë.

Porse shpresa ishte shuar, ferrat e kishin rrethuar,
Ëndrrat tona djaloshare, mjegulla i kish mbuluar,
Mua një djalosh i njomë, romantik, ëndërrimtar,
Më përplasi pa mëshirë, më futi gjallë në varr.

Po vështroja kanarinën, seç vazhdonte këngën bukur,
Nuk e di sepse dhe unë, ndjeva veten më të lumtur,
Dy, tri thërrime në dorë, ia zgjata me dashuri,
Ajo fluturoi atje, cicëroi ciu…ci…

Mbylla dorën, kapa zogzën dhe i putha bisht e ballë.
Përkëdhel puplat e saj, për çudi ndjeva një mall,
Një mall të madh për lirinë, për atë që më mungonte,
Për atë që m’dridhte zemrën, lot nga sytë më lëshonte

Ik o zog, zogëz e bukur, fluturo në qiell e lirë,
Qëndro larg nga kjo skëterrë, fluturo në botë të mirë,
Lerma mua errësirën, lermi prangat edhe lotin,
Qëndro larg nga botë e keqe, që mohoi edhe Zotin.

Kanarina fluturoi lart në qiell duke kënduar,
Unë në qelinë time po qëndroja i menduar,
Një çast nga frëngjia ime, e sodisja i gëzuar
Jam i lirë, thash me vete, prangat s’më kanë robëruar.

Kampi Bulqizës, shtator 1955

Please follow and like us: