Kërcënohet zëvendëskryeministri, plumb në zarf
Ministri i Brendshëm, njëherazi zv. Kryeministri i Italisë, Mateo Salvini është kërcënuar. Në adresë të tij është dërguar një zarf, në brendësi të të cilit ishte futur një plumb i kalibrit 7 milimetra. Zarfi i dyshimtë është identifikuar dhe më pas kapur sot nga Policia Postare e Romës. Përveç plumbit, në zarf nuk kishte asgjë të shkruar, ndërsa ishte mungesa e pullës postare dhe e adresës së dërguesit që ka çuar në dyshimin e autoriteteve policore italiane. Pas ngjarjes ka reaguar edhe vetë Salvini. “Nuk më frikësojnë dhe nuk ndalem në punën time”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm italian. Ai ka shtuar duke thënë “më shumë se sa një politikë shpesh herë hipokrite preferoj solidaritetin e miliona italianëve të mirë që shprehen me votën e tyre të së dielës”.