Myqerem Tafaj: Ja dhe një tallje tjetër me shqiptarët!
Ja dhe një tallje tjetër me shqiptarët!
Qeveria deklaron se do të “pushtoj” Kinën me produkte tona blegtorale, kur shqiptarët konsumojnë më shumë mish dhe produkte të tjera shtazore të importuara!
Shqipëria që nuk plotëson as gjysmën e nevojave të tregut të brendshëm për konsum dhe të industrisë së mishit dhe që importon mbi 400 milion USD në vit produkte blegtorale, i premton Kinës exporte të produkteve blegtorale! Qesharake!
Në vend që qeveria të thotë sa do të rritë prodhimin blegtoral, sidomos të mishit të gjedhit dhe të bagëtive të imta, në mënyrë që të pakësoj importet e këtyre produkteve, bën deklerata të tilla qesharake.
Shqipëria ka resurse natyrore të mjaftueshme që të prodhoj sasi të mjaftueshme, jo vetëm të qumështit e nënprodukteve të tij, dhe të vezëve, por edhe të mishit. Por prodhimi i mishit në Shqipëri nuk nxitet dhe ka zero mbështetje nga qeveria. Pse? Sepse rritjen e prodhimit të mishit të gjedhit dhe bagëtive të imta të vendit nuk e lejojnë interesat monopoliste të importuesve të mishit! Dhe kjo është një humbje e madhe për ekonominë e vendit tonë.
Mosmbështetja e blegtorisë ka pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për vendin. Sot rreth 70% e tokës bujqësore në vend përdoret për blegtorinë dhe të mos mbështetësh me përparësi blegtorinë, do të thotë, në rastin më të mirë, të jesh jashtë realitetit.
Zonat rurale kodrinore malore të vendit kanë aktivitet kryesor blegtorinë dhe kanë rreth 430 mijë ha kullota natyrore, që janë burim i shkëlqyer dhe gati i falur i natyrës për të prodhuar mish të bagëtive të imta me kosto të ulët dhe cilësi të lartë, jo vetëm për nevojat e tregut të brendshëm, por edhe për eksport në vende (si ato arabe) që preferojnë këtë mish. Prandaj, të mos mbështetësh blegtorinë në këto zona do të thotë të shpopullosh me duart e tu këto zona, për shkak të rritjes së varfërisë dhe papunësisë. Ky do të ishte vërtet një shpopullim i detyruar nga harresa qeveritare.
Objektivi kryesor i politikave të zhvillimit të sektorit të bujqésisë dhe ushqimit në vendin tonë duhet të jetë rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral të vendit për të rritur, më së pari, nivelin e plotésimit të kërkesave të tregut të brendshëm për konsum, për të ulur koston, për të shfrytëzuar kapacitetet e mëdha të industrisë agroushqimore, për të ulur papunësinë dhe varfërinë në zonën rurale të vendit, si dhe për të frenuar largimin, deri në shpopullim, të zonave më të varfëra të vendit.
Shqipëria nuk ka aftési konkurruese për exporte të prodhimeve bujqésore e blegtorale, përjashtuar ndonjë produkt si bimët medicinale, mishi i bagëtive të imta dhe ndonjë produkt tjetër.
Strategjia e përbashkët agrare e BE post 2020, ka vënë në qendër të vemendjes fermat dhe sipermarrjet e mesme dhe të vogla, edhe për shkak të abuzimit të kompanive të mëdha, madje edhe në vendet e BE, me fondet për bujqësinë. Biznesi i madh në bujqësi, përgjithësisht nuk ka nevojë për mbështetje me subvencione, sepse ka kapital të mjaftueshëm për të investuar në teknologjitë më moderne dhe për të arritur nivele të larta të prodhimtarisë dhe me kosto të ulët. Por këto biznese janë në zonën e ulët dhe atë periurbane të vendit.
Politikat e mbështetjes së blegtorisë në zonën kodrinore malore të vendit janë edhe një instrument për të ndaluar braktisjen e tyre dhe shfrytëzimin e resurseve të mëdha të kullotave të falura nga natyra. Nëqoftëse qeveria do të mendoj dhe do të financoj vetëm serat rreth 4-5 qyteteve të vendit, kjo do të ishte një politikë në dëm zonave rurale kodrinore malore të vendit. Për më tepër, në këto 10 vite, pjesën e luanit të subvencioneve e kanë marrë serat, edhe pse ekonomistët e huaj e kanë vërtetuar, që Shqipëria nuk mund të jetë konkurruese as në exportin e perimeve dhe as në atë të frutave.
Kushtet gjeografike dhe resurset natyrore të vendit tonë janë tipike për zhvillimin gjysëm intensiv dhe extensiv të bujqësisë, kryesisht të blegtorisë tradicionale (gjedhi dhe bagëtitë e imta). Këtë e kanë kuptuar mirë fermerët tanë, por fatkeqësisht jo politika! Një bujqësi dhe blegtori e tillë mund të prodhonte produkte tradionale me kosto konkurruese dhe me cilësi të lartë, cka do ti shërbente edhe zhvillimit të agroturizmit. Nuk mund të pretendohet që Shqipëria të konkurroj, në sisteme intensive dhe produkte jo tradicionale, me vende shumë më të zhvilluara të BE dhe më gjérë.
Prandaj, përpara se qeveria të pretendoj që do të “pushtoj” Kinën me produkte virtuale blegtorale të vendit tonë, le të shtoj financimet për zonën më të varfër të vendit që merret thuajse vetëm me blegtori dhe po zbrazet cdo ditë, deri në shpopullim.