Sanksionet ekonomike të SHBA-së nuk e lejojnë Iranin ta shpërdorojë pasurinë për terrorizëm
Shahriar Kia
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur hapur për përbuzjen e tij ndaj regjimit iranian. Ai e ka kritikuar paktin bërthamor të 2015-ës me Iranin dhe ka premtuar të tërhiqej prej tij, edhe përpara se të merrte detyrën, dhe ka theksuar besimin e tij se regjimi iranian paraqet një kërcënim shumë më të madh se ç’mendojnë shumë njerëz.
Ai mori detyrën dhe u tërhoq nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) si dhe rivendosi sanksionet paralizuese ekonomike. Ai tha se kjo administratë do të zhvillonte ndaj Iranit një fushatë presioni maksimal dhe Departamenti i Shtetit shpalli se të gjitha vendet priteshin ta ndalnin importimin e naftës iraniane.
Presidenti Trump ka bërë thirrje që Irani t’i rikthehet tryezës së negociatave. Ai do që pakti bërthamor të rinegociohet në mënyrë që t’i mbulojë të gjitha fushat.
Për sa i përket sanksioneve të naftës mbi Iranin, një numër zyrtarësh të administratës Trump kanë theksuar se qëllimi është t’i ndërpriten regjimit të ardhurat që ka përdorur për të financuar grupe proksi terroriste si dhe militantë në rajon. Regjimi shpërdoron një pjesë të madhe të të ardhurave të vendit për grupe dhe veprimtari terroriste. Ndërkohë, infrastruktura e rrënuar e vendit është lënë të kalbet dhe shërbimet shoqërore janë bërë edhe më të paefektshme për shkak të mungesës së fondeve.
Populli i Iranit vuan nga kostot e larta të jetesës, rrogat jashtëzakonisht të vogla dhe kushtet shumë të këqija të punës, ndërkohë që zyrtarët e regjimit mbushin xhepat e veta dhe përhapin kaos në rajon. Nuk është e habitshme që administrata Trump po përpiqet t’ia largojë regjimit shuma të konsiderueshme parash.
Dhe duket se sanksionet po funksionojnë pasi raportet tregojnë se regjimi iranian është duke e patur të vështirë t’i paguajë grupet terroriste që veprojnë në emër të tij. Hezbollahu libanez është grupi tek i cili regjimi iranian derdh shumicën e burimeve. Në këtë grup bëjnë pjesë gjithashtu disa nga anëtarët më të lartë me vlerë shumë të madhe për regjimin iranian.
Raportet tregojnë se luftëtarët po dërgohen në shtëpi ose po transferohen në rezerva në përpjekje për t’i ulur rrogat. Shumë luftëtarë janë tërhequr tashmë nga Siria ku kanë qenë të pranishëm për një kohë të gjatë, duke luftuar në anën e Presidentit sirian Bashar al Assad.
Situata e financimit ka arritur madje deri në pikën që programet televizive në kanalin Al-Manar të Hezbollah janë anulluar.
Shumë zyrtarë të lartë e luftëtarë të rëndësishëm në grupin Hezbollah dikur paguheshin me bollëk dhe kishin një numër përfitimesh si paketa të mëdha shpenzimesh dhe akomodim i financuar por burimet thonë se kjo gjë nuk po vazhdon më për shkak të pakësimit të fondeve.
Hezbollah është në një situatë të vështirë pasi nuk mund të kërkojë fonde që nuk ekzistojnë. Grupi po bën thirrje tani për donacione dhe po u kërkon njerëzve të kontribuojnë në mbledhjen e fondeve.
Duket se sanksionet kanë nisur që tani të japin rezultate shumë të mira.