Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mos e shihni si show takimin e dy të përndjekurve politikë

Image result for pervjetori i spacit

Ka disa orë që është bërë gati virale një video ku dy ish të burgosur politikë takohen pas gati tridhjetë vjetësh me njëri-tjetrin. Janë të dy të lodhur dhe të zhgënjyer për shumë e shumë arsye, jo nga plagët e trupit, jo e jo. Ato janë të rikupurueshme, kripa e kohës e ka bërë të vetëm. Janë plagë të tjera ato. Plagë që kanë lidhje me shpirtin. Me mungesën e sinqertë të një ndjese publike së pari nga faktori politik në vend. Por më e rëndësishmja nga vetë shoqëria e cila sot po vuan një regres nën petkun e dasimit, një regres që po jep efekt edhe në marrëdhëniet ndërshqiptare si me ata në Kosovë, Maqedoni…deri tek diaspora ku një pjesë e mirë u përdor edhe nga qeveria me një brutalitet propagandistik. Vet shoqëria dhe inteligjenca i ka harruar. Kurse një palë mbledh supet dhe thotë se bëri detyrën. Madje krekosen dekoratash në emër të shtetit. Një ndjesë publike sociale ku kalldrëmi i bulevardit të Tiranës të provonte pikimet e parafinës së qirinjëve. Ka parë boll çizme paradash, zinxhirë tankesh, goma mjetesh të rënda etj. Ka parë boll frymë rozë e frymë blu, madje ka derdhur edhe brutalizëm, por kurrë pajtim. Aty ky vëllai i kuq me dekorata në gjoks, me meritën e pensionit të veçantë, të përqafonte vëllain e dosjeve, objektit të çmuar për të bërë karrierë. Ndofta nga aty do të kuptonte se vlerë kishin ato dekorata. Do ishte një mundësi e artë për gjithkënd ku të arrinin të ndjenin gjallimin e gjakut. Se themi që gjaku nuk bëhet ujë. Një mundësi që do largonte gjirizet, minjtë, ata që na kanë sunduar. Që na kanë vrarë shpirtin. Por kjo nuk ndodh. Dhe duket se as ka për të ndodhur. Ka reagim social, por në një farë mënyre është pjesë e asaj hokorie turme siç ndodh rëndom me ne. I shikojmë, bëjmë habi, i postojmë pa u ndërgjegjësuar asnjëherë se sa poshtërsi rrinë aty sus, se sa shumë jemi devijuar si shoqëri nga vlerat shpirtërore. Mungesa e një ndjese manifestim për të treguar se jemi vital apo vemje oportune e pa moral. Kjo nuk ndodh! Dhe në një farë mënyre jemi kthyer në ca rivrasës që përmes show me habi i bëjmë copa rrjetet sociale duke postuar një video njerëzore. Të dy të përndjekurve produkt njerëzor i ligësisë sonë. Koha e shfrytëzimit të tyre, e njeriut prej njeriut është aty. Një kohë kancer, një kohë që na ka futur në kolaps, një kohë mallkim. Por aty janë edhe aktivistët e asaj kohe, bashkë promotorët e saj, flasin për demokraci, dëmshpërblim, për vëllavrasje. Aty janë, hidhnak, cinikë, garues, hilanjos, promotor me propogandë të europës, deri dje të kampeve të socializmit, të informalitetit, regresit, shpërbërjes. Dhe tepër korrekt sa që nuk harrojnë të promovojnë vemjet në krye kuvendesh, akademish, vemjet e ngordhura, ata tutorët a gardianët. Kurse forcën vitale e adresojnë tek kangjellat e ambasadave. Mos e shihni si show takim pas aq kaq vitesh të të dy bashkëvuajtësve, por si një turpin tonë, si faqja jonë e zezë. Dhe reagoni ndryshe ashtu siç i ka hije qënies njerëzore.

Please follow and like us: