LETRAT E HAPURA HERMETIKE TË POLITIKËS DHE HAPJA E LETRAVE PARA SOVRANIT
Dr. ASTRIT GJUNKSHI
Kryeministri bën mirë që i drejtohet me letër të hapur udhëheqësit të opozitës. Ajo përpiqet të shërbejë si një ftesë për t’u ulur në dialog dhe, formalisht, duhet përshëndetur. Duken gjithashtu të drejta të gjitha “këshillat” që kryeministri i jep kundërshtarit politik. Nga ana tjetër, udhëheqësi i opozitës i përgjigjet flakë për flakë me deklarimet e tij refuzuese- shumë prej të cilave jo pa arsye- të cilat akuzojnë kryeministrin për të gjitha të pabërat e tij, duke vënë si kusht për dialog dorëheqjen e tij. Kjo përgjigje publike është gjithashtu një Letër e Hapur e Bashës. Tani po dëgjoj se ky i është drejtuar me një letër të hapur qytetarëve.
Në lojën e dërgimit të “letrave të hapura” ka hyrë edhe presidenti i Republikës. Ky, drejtpërdrejt, apo me aluzion, përpiqet të thotë disa të vërteta për të dy palët politike, kryesisht për mazhorancën. Mjaft prej tyre mund të jenë të vërteta reale.
Por, të gjitha këto “letra të hapura” kanë një difekt të madh: ato i drejtohen vetëm palës tjetër. Ndërkohë, të hapesh, do të thotë të rrëfehesh edhe për veten tënde dhe të marrësh përsipër shlyerjen e gabimeve. Këtë nuk e bën asnjëra palë. Kështu kryeministri, përveç akuzave për opozitën, kishte rastin të hapej qoftë edhe për përpjekje individësh nga rradhët e partisë së tij të implikuar në manipulimin e zgjedhjeve, të hapej për përgjegjësinë e situatës dramatike tashmë të dobësuar të kultivimit të kanabisit, për elementët e Rilindjes të akuzuar për afera të qarta korruptive- siç është rasti i unazës tek Astiri. Të hapesh do të thotë të thotë të njohësh fajet dhe gabimet e tua në rradhë të parë, si dhe të tregohesh bindës me hapat që do të ndërmarrësh për t’u korrigjuar.
Edhe opozita, duhet të hapet për fajet e gabimet se si ka qeverisur më parë, për braktisjen e luftës parlamentare në Kuvend e cila duhej të zhvillohej paralel me demonstrimet demokratike nëpër rrugë e sheshe, për disa gabime në bashkëpunimin konstruktiv me mazhorancën në disa raste kur e kanë kërkuar interesat kombëtare, për manipulime të zgjedhjeve kur ka qenë në pushtet, e kështu me rradhë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për presidentin, i cili ka bërë thuajse të njëjtat gabime kur ka qenë në drejtues i LSI-së, qoftë në pushtet apo në opozitë. Ndërkohë, duket se edhe “transparencën” e sotme e bën sikur po luan poker: flet hapur për aq sa i intereson, por duket se ruan rezerva për mjaft gjëra të tjera. Të hapesh do të thotë të jesh i sinqertë për të gjitha.
Natyrisht, është utopi të presësh që politika të jetë aq e sinqertë sa të bëjë harakiri, ndryshe ajo nuk do të quhej më politikë. Por, ama duhet të gjykojë se gjynaheve të saj nuk duhet t’i shtojë edhe fajin e krijimit të një konflikti të ashpër politik e social në pragun e zgjedhjeve të 30 qershorit. Edhe kaq tension sa është krijuar këto muajt e fundit, është shumë për tensionimin e një populli që ka kaq probleme të tjera, duke filluar me papunësinë, sigurinë dhe varfërinë. Pa folur për papërgjegjësinë e të gjitha palëve që po ve në pikpyetje hapjen e negociatave për bisedime në BE, apo dëmin që po i shkaktojnë turizmit në prag të këtij sezoni veror.
Një gjë duhet të jetë tepër e qartë për të gjitha palët: kushdo që të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme nuk do të mundet të qeverisë më si më parë apo të promovojë individë të tipit të promovuar si deri tani në qeverisje. Një arsye “e thjeshtë” janë hapat që ka hedhur reforma në drejtësi e cila, me angazhimin e ndërkombëtarëve, do të korrigjojë edhe pikat e dobëta të vërejtura deri tani. Por, arsyeja më e fortë është se ky popull gjithnjë e më pak mund të pranojë të qeveriset si deri më sot. Prandaj, është koha e duhur që të ulen me një mentalitet krejt ndryshe në tavolinën e bisedimeve. Të ulen me vendosmërinë për të ndryshuar disa nga gjërat më themelore për të ardhmen e këtij populli dhe të demokracisë…dhe për të ardhmen e partive e të vetë liderëve të tyre. Një paketë bindëse për të cilën duhet të ulen dhe të bien dakord mund të përmbante angazhime të tilla të vërteta si:
– T’i japin fund krizës parazgjedhore, pa kushte ekstreme që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë;
– Opozita të pranojë që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor pa ndryshuar kryeministrin, por me një garanci të besueshme të vëzhgimit të tyre ndërkombëtar dhe nga komisione zgjedhore me anëtarë që kanë integritet;
– Mazhoranca të pranojë kufizim të mandatit të këtyre zgjedhjeve vendore për një afat 9 mujor, me qëllim që opozita të ketë mundësi të zerë sa më shpejt vendin e saj në pushtetin vendor.
– Mazhoranca të pranojë zhvillimin njëkohësisht të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe vendore pas 9 muajsh. Kjo do të zgjidhë edhe problemit e funksionimit të Kuvendit deri atëhere, duke patur parasysh kontradiktën midis opozitës që ka dorëzuar mandatet dhe ‘opozitës së re” të krijuar aktualisht;
– Palët të bashkëpunojnë seriozisht dhe në mënyrë konstruktive për hartimin e Kodit të ri zgjedhor dhe ndërtimin e një sistemi të ri elektoral (afërsisht në prill 2020).
– Të pranohet vendosja e një qeverie teknike menjëherë pas 30 qershorit. Detyrë e saj do të jetë qeverisja pa tensione e garantuar nga të dy palët, përgatitja e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e lokale pas 9 muajsh dhe menaxhimi i tyre sipas standardeve të demokracive perëndimore;
– Të përfundojë reforma në drejtësi. Të ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe të garantohet funksionimi i të gjitha hallkave të pushtetit të pavarur gjyqësor;
– Palët të angazhohen për vetëpastrimin e rradhëve të partive nga të inkriminuarit, krahas veprimit të vetingut edhe për politikanët dhe për kandidatë për zgjedhjet e ardhëshme.
– Angazhimi për të hequr dorë një herë e mirë nga manipulimi i zgjedhjeve të ardhëshme. Kryerja e tyre me standardet ma të larta demokratike, të pranuara me konsensus.
Ulja sa më shpejt e palëve në bisedime për sa më sipër, dhënia fund e pingpongut të “letrave të hapura” dhe veprimet konkrete për të realizuar me letra të hapura- pra me transparencë, me vepra dhe jo si fasadë mediatike propagandistike angazhimet që do të marrin, do të ishin më premtuese për popullin. Kjo tani për tani. Më vonë, besoj se do të ngushtohet gjithnjë e më tepër rrethi i manipulimit të publikut me letra të hapura. Populli do të rrisë pretendimet e tij për një elitë të re politike që i përgjigjet përshpejtimit të realizimit të aspiratave të tij.
Tiranë, 23 Maj 2019
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, MSc për sigurinë në Cranfield University të Britanisë së Madhe, Diplomë Pasuniversitare në matematikë, dhe është shkrimtar. Ka qenë Ish Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.