Elisa Muriqi – mbase më e reja kandidate e kombësisë shqiptare për zgjedhjet e 26 majit në Belgjikë
Amanetin nuk e tret as dheu…
Eden Babani, Bruksel
Zgjedhjet e sivjetshme në Belgjikë kanë qenë për mua shans i papritur, ama fatlum. Gjatë muajit të kaluar dhe këtij në vazhdim, pata privilegjin të jem i pranishëm në shumë veprimtari të fushatës zgjedhore, njëherazi të njihem edhe me mjaft kandidate e kandidatë shqiptarë, që pritet të promovohen në politikën e Mbretërisë së Belgjikës. Edhe rekomandimet nga të njohur e të panjohur, nuk më munguan, sidomos nga miq që më respektojnë e i respektoj, që i dua dhe më duan. Madje, nga ky këndvështrim, më është dhënë mundësia të vë gisht dhe të përzgjedh mes syresh. Jo se të tjerët nuk do ta meritonin. Por ec e t’i gjeja? Belgjika nuk është e madhe si shtrirje, por tepër e populluar, kurse kandidaturat shqiptare janë tê shumta, ndoshta më tepër se 100.
Rekomandimi i fundit më erdhi nga miku im Ramadan Gjanaj. A mund ta neglizhoja? Jo, edhe se ndihesha i lodhur, edhe se do punë të mia të rutinës i kisha lënë pas dore. Dhe, ja. Të enjten pasdite, takova Elisa Muriqin.
Nuk kisha pasur rastin të njihesha me të. Prisja një tip “politikaneje të karrierës”, 30-a-dyzetvjeçare, trupmadhe dhe imponuese. Por, jo. Ishte një vajzë e re, – e njomë, do të thosha, – që zor t’i jepje 25 vjet. Të them se mbeta paksa i zhgënjyer, është pak. Megjithatë…
* * *
Me veturën e vogël të Elisës, – ashtu siç edhe ajo vetë është e imët, – përfunduam në një kafe të zakonshme, nga ato që i gjen në Bruksel në çdo 400 – 500 hapa. Minutat e para, teksa ajo drejtonte veturën, na shërbyen për t’u njohur. Pastaj, ballë për ballë, në një tryezë dyvendëshe. Unë me laps në dorë, ajo duke folur.
Interesimi im u shumëfishua sapo mësova se Elisa banonte në Vilvord (Vilvoorde), një qytet i provincës Brabant Flamand, puqur me Brukselin dygjuhësh, gati zgjatim i tij drejt veriut, ku flitet flamanisht. Kisha shkruar portrete politikanesh nga Regjioni Bruksel-Kryeqytet (Bruxelles-Capital), pra nga parti me përkatësi frëngjisht-folëse, por jo nga parti me përkatësi flamande (Federata e Belgjikës përbëhet nga tri regjione: Regjioni flamand, Regjioni valon dhe Regjioni Bruksel-Kryeqytet).
Familja Muriqi, me prejardhje pejane, e la Kosovën dhe mbërriti në Belgjikë në vitin 2000, fill pas sulmeve ajrore të NATO-s, në ndihmë të UÇK-së. Lindur në Pejë, Elisa e filloi klasën e parë të nivelit elementar në Vilvord dhe e vazhdoi atje deri që përfundoi të mesmen. Shkollën e lartë e mbaroi për shkenca politike në nivelin Bachelor. Më pas, fitoi gradën Magjistër (Master) për administratën publike.
Sot kryen funksionin e Këshilltares në Ministrinë e Financave, si koordinatore e standardizimit dhe e konkurrencës në fusha të ndryshme të ekonomisë, të tregtisë etj. në rang federal dhe ndërkombëtar. Zotëron disa gjuhë: flamanisht, frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht, çka i jep dorë në punën e saj të përditshme. Për fat të keq, shqipen e prononcon sipas të folmes së Pejës, larg normës letrare, ndonëse e shkruan paksa më mirë, me ndonjë gabimi të vogël nga mosnjohja ose nga pakujdesia. Kësisoj, shqipen e saj, e kam vlerësuar “mjaftueshëm” në takimet e këtyre ditëve dhe gjatë shkëmbimit të sms-ve. Do të dëshiroja t’i përvishej edhe përvetësimit të normës letrare të gjuhës shqipe, njësoj siç u është përveshur gjuhëve të huaja. Ma merr mendja se këshillën time, por jo vetëm, ta ketë në evidencë për të ardhmen.
Jetën politike, Elisa ia ka përkushtuar partisë Open Vld (Open Vlaamse Liberalen en Democraten – Parti e Hapur e Liberalëve dhe Demokratëve Flamandë), një parti e qendrës së djathtë, simotër e Lëvizjes Reformatore (Mouvement Rerofarmateur – MR), e Valonisë dhe e Brukselit-Kryeqytet, që të dyja pjesëtare të grupimit PPE (Partitë Popullore Europiane). Ka punuar si vullnetare në Agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNICEF, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
Në parti, Elisa është kryetare e të rinjve të Open Vld, në Vilvord. Si femër e re dhe ambicioze për të ardhmen, ajo mendon se gjithkush ka të drejtë të trajtohet në mënyrë të barabartë, në kontekst me diversitetin e mjedisit shoqëror. “Diversiteti, thotë ajo, krijon kreativitet që pasuron botën”, kurse sfondi i emigracionit që e ka udhëhequr në formimin kulturor e profesional, e bën edhe më atraktiv programin e saj elektoral.
* * *
Kosova? Lidhja me rrënjët e prejardhjes familjare e stërgjyshore?
Këto ishin dy pyetjet e mia të fundit.
Përgjigjja e Elisës nuk më befasoi, por më mallëngjeu. E prisja që qenia shqiptare, ta mbushte me krenari.
“Jam kosovare e Pejës dhe zemra më rreh ditë e natë për vendlindjen, tha teksa u rrëmbush dhe pika loti iu varën syve”.
U ngrit dhe doli vrik përjashta të ndreqte frymëmarrjen e të fshinte lotët.
Mbeta.
Dikush e ndoqi me bisht të syrit lëvizjen e saj të beftë, por sakaq, brenda minutës, Elisa u kthye dhe foli me zë të lartë që te dera, që ta dëgjoja unë, por edhe të tjerët që e kishin vënë re tek doli.
“M’ u kujtua babai, tha. S’ka një vit që na ka lënë…”.
“Më fal, tha me zë të ulët, tek u ndreq në ndenjësen përballë meje, gjithë duke fshirë lotët. Çaush, e quanin. Babai më kërkonte me këmbëngulje t’i hyja politikës, përderisa edhe formimin profesional e kisha për shkenca politike. Një ditë do t’i duhesh Kosovës, më thoshte.
Pas largimit nga kjo jetë, kërkesën e tij e quajta amanet. Dhe amanetin nuk e tret as dheu…