Albspirit

Media/News/Publishing

Hashim Thaçit i ka ikur truri! E kanë kontaminuar Rama dhe Vuçiq!

Image result for rama, vucic, thaci

Enver Bytyçi

Sot Hashim Thaçi ka shkruar një akt-akuzë të gjatë kundër Sali Berishës. I gjendur ngushtë përballë kritikave të ashpra të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, liderit të lëvizjes demokratike në Shqipëri, Thaçi në këtë promemorie kritikë-sharje kundër Berishës ka shkarkuar gjithë mllefin e vet personal dhe ka përdorur gjuhën më të shthurur të mundshme për denigrim. Me gjasë ai ose personi në Tiranë ose në Beograd që ia ka shkruar këtë flet-rrufe kanë menduar se me të do ta ‘asgjësojnë’ institucionin dhe fenomenin shqiptar Sali Berisha.

Sali Berisha është i rreptë, është i prerë, është këmbëngulës, në disa raste dhe kur nuk duhet të jetë i tillë. Ai është autoritar, por si i tillë ka lind. Dhe njeriu lind bashkë ose jo me dinjitetin dhe autoritetin. Këto dy cilësi ia kanë dhënë atij uji dhe malet e alpeve të Shqipërisë. Si i tillë është po aq human. Sali Berisha është i dijshëm dhe në odën e malësorit merr pjesë si i parë e kur në odë ndodhet ndonjë çapaçul si Thaçi, ai e merr përpara. Kjo është njëkohësisht distanca jote me Sali Berishën, distanca e kreut mentar me një çapaçul të llastuar si ti! Por Sali Berisha bën edhe kompromise dhe kur i thotë po kompromisit, nuk bën dredharakun si Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Nuk bën hipokritin si këta. Këto janë karakteristikat e odës së malësorëve, për të cilat flet Hashimi në atë shkarravinë, por nuk i respekton si të tilla. Dhe kushdo që e njeh Sali Berishën e di se këto cilësi i bart në shkallën më të lartë. Megjithatë Sali Berisha ka një të metë. Nuk e njeh tradhtinë. Nuk e njeh odën e kulisave me Aleksandër Vuçiqin, nuk i njeh takimet e fshehta për ndarjen e Kosovës, nuk e njeh stilin serb të viktimizimit kur je në hall e ke nevojë për mbrojtje, nuk e njeh vesin serb të shpifjes, edhe pse i gjithë shkrimi i Thaçit flet për gjoja ‘shpifjet’ e Sali Berishës gjatë gjithë kohës që ai është në politikë. Berisha është një fenomen shqiptar, madje një institucion, për të cilin duhet ta dish, edhe ti ke nevojë. Meqë ra fjala. Në vitin 2001 ti dhe Veton Surroji sapo kishit takuar Sali Berishën dhe kur po zbrisnit shkallët e PD-së iu bashkëngjita Maxhun Pekës, i cili ju shoqëronte dhe qëndronte pas jush. E kujton Hashim çfarë bisedove me Vetonin? ‘Vetëm ky ësht njeriu i saktë në këtë vend që e do dhe kupton Kosovën’ – i thoshe ti Vetonit. Unë dhe Maxhuni pamë njëri-tjetrin dhe u gëzuam për këtë perceptim real tëndin, sepse ti ishe mik i Nanos dhe zor ta respektoje kaq lart Sali Berishën! Sali Berisha ka gabuar në zgjedhje, në qëndrime, në marrëveshje. Ka bërë edhe kompromise politike të papranueshme, por të imponuara, kryesisht nga Edi Rama, siç ishin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Për mua ka gabuar vetëm një herë në vitin 1996 në opsionin e kundërt me atë të Rugovës për protesta kundër Milosheviçit. Por këto gabime nuk janë strategjike. Në raste të caktuara liderët mendojnë dhe besojnë jo gjithnjë atë që e nesërmja e provon si gjënë më të mirë. Por Sali Berisha nuk i ka thënë kurrë ndonjë politikani të Kosovës ‘gomar’! Këtë e ka bërë publikisht, në mënyrë fyese dhe të pashembullt, ai që Thaçi e quan perfeksion, pra Edi Rama. Sali Berisha kurrë nuk ka pranuar që konfliktin e Kosovës me Serbinë ta marrë e ta zgjidhë ai bashkë me Beogradin. Këtë e nisi me paternalizëm të pafre miku i ngushtë i Hashim Thaçit, pra Edi Rama, sa vetë Hashimi u detyrua ta paralajmërojë e t’i kujtojë Ramës se ‘Kosova ka institucionet e saj’, siç bëri Rugova me Fatos Nanon në nëntorin e vitit 1997, kur i kujtoi atij pas takimit me Milosheviçin, se Shqipëria e ka njohur Republikën e Kosovës! Presidenti i Kosovës flet për një ‘gjuhë të kontaminuar’ të Berishës, e cila ka mbërritur në Kosovë. Në fakt nuk është kjo e vërteta. E vërteta është se Thaçi foli i pari në Kosovë me gjuhën e plumbave. Urdhëroi vrasjen e kundërshtarëve të tij politikë si dhe të kundërshtarëve të tjerë gazetarë. Në raste të veçanta urdhëroi edhe zhdukjen fizike të vrasësve, për të mbuluar gjurmët e krimit. Po të mos ishte Thaçi autori urdhërues i vrasjeve të Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Smajl Hajdarit, Shaban Manajt, Bardhyl Ajetit e dhjetra të tjerëve, sot disa prej këtyre autorëve do të ishin gjendur dhe ndëshkuar. Por presidenti i Kosovës, në modelin e Vuçiqit dhe Edi Ramës, shërben si mburojë e krimit dhe kriminelëve. Këtë kontaminim nuk ia solli Sali Berisha. Ia solli modeli i vrasjeve në vitin 1997 që sollën miqtë e Hashimit në Shqipëri! Sali Berisha nuk ia solli Thaçit bombat, të cilat ai ia hodhi Ibrahim Rugovës dhe eskortës së tij atë ditë kur Havier Solana ishte në Prishtinë. Këto bomba u urdhëruan nga Hashim Thaçi. Sali Berisha i nderoi dhe respektoi njësoj, si Ibrahim Rugovën edhe Adem Jasharin e Adem Demçin. Ndërsa parlamentin e Kosovës e kontaminoi me sjellje arrogante Edi Rama, kur refuzoi të respektojë autoritetin e Rugovës, thjesht për t’i bërë çokën mikut të tij të ngushtë, Hashimit shpifës, njësoj si kopja e vet në Tiranë. Sali Berisha sa kohë ishte kryeministër i Shqipërisë u soll me etikën e burrit të shtetit me të gjithë shqiptarët e Kosovës, përfshi Hashimin e njerëzit e partisë së tij. Sa kohë ishte kryeministër ai nuk foli kurrë as kundër Vetëvendosjes. Edi Rama, pikërisht kur duhej të ishte burrë-shteti, u bë përçarësi më i madh i politikës së Prishtinës. Eshtë unikale sjellja e tij prej përçarësi kur vinte në Prishtinë në cilësinë e kryeministrit, por pritej e përcillej nga presidenti Thaçi e nuk takohej me homologun e vet, Isa Mustafën. Sali Berisha ‘e kontaminoi’ Kosovën me Shqipërinë, sepse e afroi Prishtinën dhe Tiranën, duke e shkurtuar katër fish distancën midis tyre dhe ndërtoi me guxim e vetëm me buxhetin e shtetit të tij të varfër Rrugën e Kombit. Demokracia në Shqipëri funksionoi për mrekulli më 2013-ën, kur Sali Berisha humbi pushtetin pa asnjë përpjekje për manipulimin e procesit zgjedhor e të votave. Por pas tij, miku i ngushtë i Hashim Thaçit, pra kryeministri Edi Rama, ia vuri taksën, trarin dhe një kufi të ri Kosovës në Kalimash të Kukësit, aty ku sipas një projekti të miqve të Thaçit të vitit 1998, përfshirë Ramësn, do të ishte vija e kufirit Kosovë-Shqipëri, pas ndarjes së Kosovës me Serbinë, në modelin e projektit të sotëm që Thaçi, Vuçiqi dhe Rama, me Stanishqin e Kosovës provuan për dy vjet ta realizojnë. Hashim Thaçi në fakt është kontaminuar dhe mbarsur nga e majta shqiptare, nga enverizmi dhe stalinizmi. Kjo duket në të gjithë alaborimin e shfaqur, por jo të shkruar prej tij. Ai mendon si Edi Rama, kopjon Edi Ramën, madje ka filluar të bëjë vizatime si ai. Dhe akuzon Sali Berishën se kontaminoi Kosovën. Megjithatë nuk është vetëm kjo. Thaçi u kontaminua nga Edi Rama për të pranuar projektin e presidentit të Serbisë, Aleksandë Vuçiq, për krijimin e Serbisë së Madhe. Ai iu bind mikut të tij të shpirtit në Tiranë që të punojë për t’ia marrë territoret Kosovës e për t’ia dhënë këto territore Serbisë! Dhe cilat territore? Më të pasurat, më të begatat, me qëllim që ta lënë Kosovën pa pasuri nëntokësore. Madje për ta lënë edhe pa ujë, i cili përbën një prej tri komponentëve më të rëndësishëm të jetës, krahas ajrit dhe diellit. Ky lloj kontaminimi që Rama i bëri Hashim Thaçit e vuri atë në sherr me Sali Berishën. Sepse për Sali Berishën territori dhe popullsia janë dy elementët thelbësorë, pa të cilët nuk ka e nuk mund të ketë kombe, popuj e shtete. Por mesa duket Hashim Thaçi nuk kishte llogaritur në këtë reaksion të atij që ka ndikimin më të madh shpirtëror, pas Rugovës, në Kosovë, më shumë edhe se vetë presidenti i Kosovës në shërbim të projekteve të Beogradit. Prandaj ai është i tmerruar nga dështimi thuajse i plotë i shërbimit që po kryen, sigurisht në këmbim të një shpërblimi të pallogaritshëm për të. Hashim Thaçi shpif, thotë shumë e shumë të pavërteta, ndonjë rast gjysmë të vërteta, por asnjë të vërtetë për be për Sali Berishën. Kam qesh me të madhe kur lexova të shkruarën e zezë në të bardhë, se ‘Sali Berisha nuk të shihka në sy kur bisedon me të’! Duket qartë se ky formulim është realizuar nga dikush që nuk e ka takuar kurrë Sali Berishën, psh nga Endri Fuga. Nuk ka njeri në botë që e provon këtë fakt. Të tilla shpifje ka me shimicë në surrogatin e shpallur sot nga Hashim Thaçi. Por fakti që më së shumti në atë letër na shfaqet si ekspert i zhvillimeve dhe ‘zullumeve’ të Sali Berishës të çon në përfundimin se ajo letër është shkruar kësaj radhe në Tiranë e jo në Beograd. Sa i përket atyre që Hashim Thaçi ia vesh Berishës për qëndrimet dhe politikën e tij gjatë qeverisjes së Shqipërisë mund të thuhet sa më poshtë.

1. Thaçi thotë se ‘Kosova nuk ia ka fajin Sali Beishës për firmat piramidale’ dhe merret kështu me zhvillimet e vitit 1997. Për kujtesë zoti Thaçi. Historia do të provojë se firmat piramidale ishin projektuar nga shërbimet e fshehta, përfshirë Milosheviçin, me qëllim rrëzimin e Berishës nga pushteti. Defekti i ish-presidentit shqiptar ishte se me atë pak eksperiencë ne politikë, nuk mundi të nuhasë rrezikun që u shfaq. Ndërsa sa i përket ngjarj, eve të vitit 1997, në ato ngjarje janë angazhuar shumë nga bashkëpunëtorët e tu Hashim Thaçi. Unë kam takuar disa prej tyre në Tiranë dhe pa asnjë droje më tregonin se në çanta kishin dhjetëta mijë marka gjermane ose franga zvicerane me destinacion Vlorën dhe eksponentët e atij rebelimi antiBerishë. Tre gishtat e disave prej këtyre të ngritur në Vlorë për të provokuar revoltën me akuzën që Thaçi vazhdon ta bëjë sot, se në Vlorë na qenkan instaluar policë serbë. Keto skenarë Hashim e kanë kompromentuar Lëvizjen tënde Popullore, ku ti ishte asokohe. E kanë mbështjellë me një tis të errët historinë e ngjarjeve të asaj kohe. Dhe mesa duket ti dëshiron të lash duart si pilati me këto akuza.

2. Ti Hashim i shkruan Berishës dhe i thua Berishës se ‘nuk ta ka fajin Kosova për tentim-grushtin e shtetit të vitit 1998’. Duket qartë se je kontaminuar jo vetëm në sjellje, por edhe në mentalitet, shpirt e psikikë me dozat e propagandës komuniste. Duket qartë se ti e justifikon vrasjen e liderit demokrat, Azem Hajdari, nga miku yt i ngushtë i skutave të zeza, Fatos Klosi. Se Klosi ka ndikim tek ti, nuk duhet askush të habitet. Ai likuidoi konkurrentin tënd më serioz e të aftë, kolonel Ahmet Krasniqin, pikërisht ato ditë të atij ‘tentim grushti-shteti’, që ti përmend.

3. Ti përmend Gërdecin si dështim të Sali Berishës në qeverisjen e tij në Shqipëri. Edhe sikur të kishe të drejtë, ti nuk mund të vije gishtin te përgjegjësi i asaj ngjarjeje të rëndë Hashim. Ti bën sikur je president i Kosovës. Nuk lahesh prej aktit antishqiptar të ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë me këtë lloj akuze. Sikur të ishte kështu si thua ti, Shqipëria nuk do merrte dy javë më vonë ftesën për t’u pranuar në NATO dhe në gjashtë vitet e qeverisjes së mikut tënd siamez, Edi Pallës, ai do të kishte përfunduar në hekura. Je larë e je lyer nga këmbët te koka me bojën mavi të Edi Ramës o president i halucinacioneve të Kosovës!

4. Ti ia përmend Sali Berishës vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe këtu bën shërbimin e radhës për Edi Ramën. Por ke harruar se anëtarin e grupit vrasës të zjarrit të atyre vrasjeve, Edi Rama e ka kandiduar për kryetar të Bashkisë së Burrelit. Ky person është shpërblyer nga Sali Berisha me katër paga për rezistencën që bënë më 21 janar 2011. Dhe ky person pasi u shkarkua me ardhjen e Rilindjes nga Garda, u përzgjodh nga kreu i Rilindjes tani për kryetar bashkie. Janë ngatërruar gjërat, Hashim! Dalëngadalë po na japin fakte e të dhëna se nuk është Berisha fajtor për ato që ti e fajëson qëllimisht. Në vend që kjo Rilindja jote, që ti e do aq shumë, të shtonte provat për fajësinë e Sali Berishës, po ia heq një nga një edhe ato prova të sajuara kundër tij dikur. Ti vazhdon të shohësh në ëndërr ato provat e vjetra. Ta ka hedh miku yt Rama. Nuk të ka lënë mundësi të kesh sukses në argumente e në fakte!

5. Dhe së fundi. Më bëri shumë përshtypje kur ju e akuzoni Berishën për përçarje krahinore Veri-Jug. Por në këtë elaborim e kundërshtoni veten kur thoni se Berisha nuk bëri asgjë për veriun gjatë qeverisjes së tij. Nuk shkojnë të dyja këto o mjeran. Përçarja vjen nga diskriminimi. Ai që diskriminon e përçan është miku yt Rama, sepse investon dhjetë herë me shumë në bashkinë e Reskovecit se sa në Bashkinë e Shkodrës! Nëse Berisha nuk i orientoi investimet dhe paratë e buxhetit vetëm në veri, por edhe në jug, kjo do të thotë se ai nuk ka diskriminuar askënd për shkak të vendlindjes apo prejardhjes. Edi Rama e bën këtë me arrogancë. Shihni statistikat. Por edhe po të nisemi nga diskursi, është Rama ai që përçan. Përçarjen verbale e praktike po e bën aleati yt i ngushtë, Rama, sepse atij vetëm përçarja i ka mbetur aleat në qeverisjen e tij. Të njëjtën gjë bën edhe ti në Kosovë. I ke bërë lëmsh politikanët, madje duke shfrytëzuar përkatësitë krahinore! Je përpjekë që të përçash e të luash ‘koqas’ edhe me ambasadën amerikane! Ky je ti! Nuk të beson njeri! Hesht sa nuk është vonë se je zënë në faj. Në fajin e rëndë të bashkëpunimit me armikun e shqiptarëve për t’i tjetërsuar territorit e atij vendi, president i të cilit pretendon se je ti! Për të gjitha këto arsye je i dështuar në replikat, qëndrimet dhe kundërshtitë me Sali Berishën. Dështimi yt lexohet edhe te gjuha vulgare me fyerje dhe etiketime diletantësh e mediokrish. Por me ato nuk ia vlen të merresh! Merru me veten tënde o Hashim Thaçi, ndryshoje veten, se njeriu vdes kur i ikën arsyeja, truri. Ty të kanë ikur të dyja! Po ende të mbajnë me infuzion Rama dhe Vuçiqi.

Tiranë, më 24.05.2019

Please follow and like us: