Albspirit

Media/News/Publishing

Busti i Sekretares Amerikane të Shtetit, Albright në Prishtinë

-Busti do të vendoset në sheshin që mban emrin Medlin Ollbrajt, pranë Monumentit New Born/

-Arkiv-5 Korrik 2005: Presidenti Rugova i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë: Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të/

PRISHTINË, 26 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Shtatorja e Presidentit Amerikan, Bill Clinton, qëndron në qendër të Prishtinës, si shenjë falënderimi për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Media në Prishtinë shkruan se kryeqytetit do t’i shtohet edhe busti i bashkëpunëtores së Clintonit, ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, cila po ashtu, ka ndihmuar kosovarët ta fitojnë lirinë.

Busti do të vendoset në sheshin që mban emrin e saj, pranë Monumentit New Born. Aty tashmë është vendosur bazamenti i bustit. Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë prej 19 mijë e 788 eurosh me kompaninë “Artiko”, për realizimin e këtij busti.

Por, Presidenca megjithatë nuk mundi të konfirmonte nëse Albright do të jetë në Prishtinë më 12 Qershor. Florent Rrahmani, anëtar i ekipit për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit, shtoi se Presidenca ende nuk ka marrë konfirmim për këtë, edhe pse ftesa u janë dërguar disa personaliteteve ndërkombëtare.

Informata thonë se nuk kanë as në Komunën e Prishtinës.

Megjithatë, mësohet se busti pritet të përurohet më 12 Qershor, në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Por, për vizitën e Albrightit në Twitter ka shkruar Petrit Selimi, koordinator për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë.

“Kosovarët do të jenë të lumtur ta mirëpresin sërish ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, për 20-vjetorin e çlirimit”, ka thënë Petrit Selimi, Koordinator për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë..

Derisa e vlerësojnë si të çmuar kontributin e amerikanes, qytetarët mirëpresin vendosjen e bustit të saj.

Albright ishte gruaja e parë në postin e Sekretares së Shtetit të SHBA-së. Në këtë detyrë, ajo ka shërbyer nga viti 1997 deri më 2010.

ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË

Prishtinë, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.

Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.

Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.

Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.

“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.

“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.

Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.

“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.

Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.

Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.

“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.

Please follow and like us: