Cikël poetik nga Luan Rama
Mos më dërgo më trëndafilë
Mos më dërgo më trëndafilë, i dashuri im,
mjaft më me letrat dhe lulet e mungesës
karafilë, jasminë,
dua të më vish ti me hapin e lehtë
të gjitha dyert t’i kam lënë hapur
të shpirtit të trupit të qiellit
veç sytë do i mbyll sapo të shfaqesh në horizont
e kuqja e trëndafilit tani më është e zbehtë
para buzëve të tua
para gjakut tënd që ia njoh vërshimin
në krahët e ngrohtë që më pështjellin si pjellë
dhe më lënë një çast pa frymë
në buzët mbi buzë
në frymën mbi frymë
veluri më është më i bukur tek ti
si një cohë shenjti
aromë dehëse është kurmi yt
kur përgjoj dihatjen dhe të marr erë ijeve
pra eja, mos më dërgo më trëndafilë e tulipanë shumëngjyrësh
i kam hapur të gjitha dritaret e shpirtit dhe të trupit
eja ashtu zbathur me dhimbjet që të kullojnë
nxito nëpër fllad
me këmishën tënde të bardhë larë në diell…
“Love story”
Një natë nëna më tregonte dashurinë e saj me atin tim
dihatjen dhe puthjen e parë në fshehtësi
përshëndetjen e fundit të tij,
gjithçka është një “love story”
në diell, në rrebesh, mes duhish,
fqinja ime zbulon se ka mbetur shtatzënë
në këto ditë pranvere të një “love story”
duke rendur si e çmendur rrugëve të qytetit,
në kafenenë përballë gishtërinjtë e dy të rinjve
luajnë në heshtje si të kërkojnë tastierat
e një “love story” parë vetëm ndër filma,
në një kryqëzim një vajzë e përhumbur më pyet
nëse pëlqej Hendel apo Brahms,
dhe unë duke qeshur i them:
– Gëzohu që po jeton një “love story”
shko, endu dhe ti në një sonatë të Hendel
këmbëzbathur në qiell
këmbëlagur në det…
Suratet e mia
Suratet e mia kërkojnë t’ ngjajnë atyre të Rumit
një surat për këmbët e tua që të nxitojnë për tek unë
një tjetër për sytë e tu të dehur
surati i shtratit është një përgjërim i pafund
ku lëngu i Evës më deh e më ngjitet në trup
fryma tënde më jep frymë
dhe kështu u hap udhë lumenjve të gjakut
njëqind surate për ti kënduar dashurisë
bashkë me ashikët e Jonuz Emresë
njëmijë surate për ti kënduar humbjes së saj
në terrin e natës së gjatë…
Fqinja
Ajo than fokët në diell si në një tablo të Renuar
bëhet Zanë, Hyjni,
nenyfar në oborrin e Monet që fle ende,
shkund flokët në diell duke qeshur
dhe përkulet në dritare që ti duken gjinjtë e fryrë
me jetën që ngjizet
me gjakun që ndizet
me supet e xhveshur dhe hiret marramendëse të qumështit.
Në mbrëmjen e vonët shoh tutje siluetën e saj
tek xhvishet pas dritares nën hijen e një llampe
ah, të ishte një George de la Tour
të kundronte dhe një herë Madalenën e tij,
tani ajo po lexon, mendoj me vete,
tregime të moçme dashurie
çdo dashuri e madhe sjell me vete një lëngim të gjatë
një humbje të madhe,
por ajo nuk guxon të rishfaqet sërrish
duke më lënë në pritje
në dritën dehëse të një hëne të plotë.
Ti do të jesh gjithnjë ajo…
Ti do të jesh gjithnjë ajo
okra në kapërcimin e diellit
do të jesh zjarri që mban zgjuar natën
dhe që sjell gjithë shend agun e ditës
do të jesh flladi i syve të dehur që ende s’janë shuar
sepse presin hapat e tu të shkelin në qiell
e të vijnë drejt meje
me shegën e çarë që rezëllin,
me portën që shtyhet.
Ti do të jesh gjithnjë ajo
me ijet e tua të nxehta
përvëlim dëshire
që s’di ç’të bëjë nga marrëzia e puthjes së lëngësht
thua se pjergullat e botës kullojnë veç nektar,
ti do të jesh ajo që me sytë e mjelmët
qiejt do t’i shtysh dhe kohën do të ndalësh
dhe sprovat e përrallës së vjetër do përballosh për mua.
Edhe pse plagët s’më lanë ta fitoja këtë luftë,
ti do të jesh gjithnjë ajo që ecën drejt
me hapa dhe sy shenjti,
me hijen e kërrusur dhe kokën gjithnjë pas,
duke të pritur,
nëse nuk do mund të vij një ditë
të të zgjoj në ëndërr dhe të puth gishtërinjtë
duke pëshpëritur ngadalë «Zonja ime»,
ti do të jesh gjithnjë ajo
në spektrin e horizontit
një “pas de deux”,
një kërcim në ajër që të sjell sërrish tek unë.
Edhe pse mund të jem veç një hije,
ti do të jesh gjithnjë ajo, që si shamanët
gojën tënde do vendosësh në timen, në ditë jermi,
për të më dhënë frymën çudibërëse të ringjalljes,
ti, vogëlushja e legjendës që nuk e zbuloi asnjëherë
enigmën e dashurisë.
Ti do të jesh gjithnjë ajo…