30 të arrestuar në Iran për pjesëmarrje në një Klasë Joga të frekuentuar nga të dyja gjinitë
Gjykata e regjimit iranian në provincën Golestan të Iranit verior shpalli të premten më 24 maj se 30 burra e gra janë arrestuar për pjesëmarrje në një klasë joga të frekuentuar nga të dyja gjinitë.
Asistent prokurori i provincës Golestan tha se 30 gra e burra të paidentifikuar me “veshje të papërshtatshme” janë arrestuar në shtëpinë e një personi i cili do të ndiqet penalisht për faktin se ka lejuar që në atë vend të zhvillohet një kurs joge i paliçensuar.
Sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Tasnim, Masoud Soleimani thotë: “Një person ka postuar një reklamë në mediat sociale ku thoshte se jepte mësime joga për gra e burra në shtëpinë e tij dhe ia ka dalë të komunikojë me një numër njerëzish.”
“Pas monitorimit të lëvizjeve të tyre, agjentët sot arrestuan rreth 30 burra e gra me veshje shumë të papërshtatshme në një shtëpi, pronari i së cilës u është dorëzuar autoriteteve gjyqësore për t’u ndjekur penalisht për shkelje të ligjit,” tha Soleimani.
Më herët këtë muaj, regjimi i Iranit pati shpallur arrestimin e një numri të panjohur njerëzish për faktin që punonin në rrjete ‘jo-islamike’ të modelingut online.
Agjensia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Forcën Quds të Gardës Revolucionare (IRGC), raportoi më 1 maj se këto arrestime ishin kryer në provincën qendrore Markazi të Iranit. Nuk jepte detaje mbi numrin e të arrestuarve, por thoshte vetëm se ata i ishin dorëzuar drejtësisë së regjimit.
Gjeneral Mohsen Karimi, një komandant i IRGC-së në qytetin qendror Arak, tha se anëtarët e stafit të këtyre agjensive ishin arrestuar për “promovim të vulgaritetit”, pjesërisht përmes shpërndarjes së fotove të modeleve në mediat sociale.