Absurdi i një kohe të vranët, libri i dytë me tregime i Avdulla Kënaçit
Gentiana Çela
Parathënie për përmbledhjen me tregime “Autokritika” të Avdulla Kënaçit
“Autokritika” është libri i dytë me tregime i autorit Avdulla Kënaçi, brenda një kohe të shkurtër. Ai është i njohur për publikun e gjerë shqiptar si një gazetar dhe dokumentarist i talentuar pasi këtij profesioni i ka kushtuar gjithë karrierën e tij. Është nga të rrallët, për të mos thënë i vetmi që ka punuar pandërprerë në organet kryesore të medias, në dy sistemet, në diktaturë dhe demokraci. Tani ai i është përkushtuar tërësisht letërsisë artistike. “Autokritika” është ana e pasme e medaljes dhe vjen si një radiografi e sistemit totalitar që kaloi vendi ynë. Të gjitha subjektet e tregimeve i takojnë një periudhe prej gati tre dekadash. Me sa duket ai ka bërë një jetë të gjallë e të larmishme, të mbushur me shërbime e udhëtime duke i rënë cep më cep Shqipërisë. Ngjarjet u arkivuan në kujtesën e tij dhe herë-herë i del nevoja të derdhë në art temat e së kaluarës duke ia lënë trashëgim lexuesit. Përçon kështu drejt nesh atë komunikim të brendshëm, të vendosur plot harmoni në mes tij dhe vetë realitetit. Kemi këtu të vizatuar me detaje atmosferën e një kohe të shkuar, një kohe të vranët. Autori duke qenë vetë i përfshirë në vorbullën komuniste, për të mos thënë se ai ka qenë në qendër të kësaj shtjelle, na sjell ngjarje dhe personazhe tronditës, nga jugu në veri. Vizaton skena realiste dhe portretizon njerëz të ndryshëm: fshatarë, punëtorë, nëpunës, piktorë, komunistë, kuadro të lartë, të persekutuar e me radhë. Nën maskën e naivitetit e sinqeritetit sjell tregime interesante, me një identitet origjinal që të trondisin shpirtërisht. Ishte një kohë absurde që kaloi populli ynë, jashtë çdo lloj llogjike. Qëndrimet dhe marrëdhëniet surealiste që janë përjetuar nga vetë autori si gazetar, tinëzisht të çojnë drejt poshtërsisë që kanë manifesuar jo vetëm kuadrot e partisë-shtet, por edhe njerëz të zakonshëm, viktima të sistemit. Ishte një shoqëri e tmerrshme dhe e paskurpullt. Avdulla Kënaci nxjerr fytyrën e vërtetë të realitetit socialist duke e zbërthyer copë e thërrime. Gjen aty gjyqet false, pushkatimet, luftën e egër të dyfytyrësinë e sistemit, etj.Pra, me këtë vëllim bën një lloj autokritike që nuk ka mundur të thotë në gazetë apo ekran ato që na tregon sot. Kjo ndoshta është edhe arsyeja që ai e nisi kaq vonë letërsinë artistike. Vuajtjet nën komunizmin bolshevik dhe lufta e klasave shkojnë tej imagjinatës njerëzore si tek tregimi “Dëshmitari”. Ishte një makineri, sistem i tërë i ngritur mbi intriga dhe shpifje duke i mbajtur njerëzit nën presion, duke u mohuar të gjitha liritë njerëzore.
Shkrimtari Avdulla Kënaçi është një rrëfenjës i gjallë që të ngjall respekt dhe thellësisht mendjemprehtë. Pa asnjë rezervë atë mund ta konsiderojmë një nga autorët më të mirë të tregimit. Provën e tij të parë ai e dha me vëllimin “Enigma e një nate” i cili u prit me entusiazëm nga lexuesit. Kritikët letrarë në media dhanë mendimin se kjo vepër do të hyjë në kolanën e shkrimtarëve më të mirë me temë nga emigracioni. Edhe tek ky vëllim, ai merr elementë të jetës së zakonshme dhe i shndërron ato në rrëfime interesante, në diçka të mbinatyrshme si tek tregimi “Enterprise” ose “Thika nën dritën e hënës”.
Subjektet e këtyre tregimeve herë-herë janë të jetuara nga vetë autori, ose të trilluara, por është vështirë të marrësh me mend se ku nis fantazia e ku është e vërteta. Ku mbaron jeta e ku fillon imagjinata nga që ato janë të gjitha bindëse e sipas një subjekti unik. Boshti i tyre është deziluzioni, zhgënjimi i kohës së shkuar si tek “Disidenti”. Vizatohen njerëz stoikë që e shikojnë vdekjen drejt në sy, me kurajo e burrëri si Zigur Bello, Dom Pali, etj. Dinakë, të mençur e largpamës si Harizi që bën gjithë ato manovra për të dërguar fëmijët e tij në shkollë të lartë duke ia hedhur makinerisë së tmerrshme të sigurimit të shtetit. Të mbeten gjatë ndërmend nëpunësi i ndershëm Dhimo Nikolli që me humanizmin e tij shpëton një familje në buzë të greminës apo Svjetllana që me stoicizëm mbron një dashuri tragjike duke iu kundërvënë tërë sistemit e duke sakrifikuar karrierën e saj. Personazhet shpalosin me lehtësi çfarë kanë të mirë apo të keqe. Brenda tyre qëndrojnë drama, tensione e acarime, të fshehura apo të hapura që sapo vijnë e rriten, gjersa shpërthejnë fuqishëm si tek tregimi “Gaxhia” i cili na fal emocione të forta. Ajo theu moralin e kohës dhe këshillat e prindërve. E penduar? Jo. Bëri të kundërtën e gjërave që nuk duhet të bënte. E kjo ndodh kur autori e ka si në pëllëmbë të dorës realitetin dhe njeh mirë lëndën për të cilën shkruan. Mendimet që shprehen kanë për bazë të vërtetën. Me mjeshtëri përdor paradokset dhe faktet realë të cilat pa asnjë farë pendese, t’i përplas në fytyrë. Madje edhe kundër rrëfimtarit që është ai vetë.
Nën shembullin e shkrimtarëve të mëdhenj si Heminguej, Dikens, Markes, Tuen që veprimtarinë e tyre e kanë filluar si gazetarë dhe kjo përvojë u ka dhënë atyre saktësinë e mendimit, koncizitetin, shkathësinë e dialogut dhe aftësinë për të kapur më thelbësoren, po kështu mund të themi edhe për këtë autor që ka përshkuar po të njëjtën rrugë. Ai në karrierën e tij ka lëvruar me shumë sukses reportazhin dhe përshkrimin. Janë këto dy gjini gazetareske shumë afër me tregimin. Kjo është arsyeja që ai në dy vëllimet e para nuk duket aspak si fillestar. Duke u ndalur tek struktura e tregimit, vë re se ngjarja të rrëmben dhe nuk shqitesh pa e përfunduar. Ajo rrjedh si një përrua malor me ujë të pastër që nuk ndalet para asgjëje. Me lehtësi, me dy tri penelata fillestare, autori të fut në konfliktin e ngjarjes. Ti si lexues pret me padurim të kuptosh çfarë do të ndodhë me personazhin kryesor. Asnjëherë nuk e merr me mend se si do të përfundojë konflikti sepse ka të papritura, befasira dhe suspanca të habitshme. Përgjithësisht frazat janë të shkurtra. Gjuha është energjike. Nuk ka hyrje të gjata. Mënyra e të rrëfyerit që ai zgjedh i shërben asaj pjese të jetës që evokon. Ndërtimi arkitekturor i tregimit është mjaft i menduar. Si redaktore e rrëfenjave të tij, kam pasur dy-tre raste kur i kam sugjeruar, atje ku ai jeton jashtë Shqipërisë, se kjo zgjidhje që po lexoj nuk shkon, apo tregimi është pak i hallakatur, ose nuk është në nivelin e atyre të mëparshëm, etj. Pas disa ditësh, kur është bindur, ka reaguar duke e përpunuar përsëri subjektin. Ka krijuar një rrjedhë tjetër të ngjarjes me një arkitekturë të re që më ka befasuar. Në fund të fundit këtu fshihet edhe talenti i shkrimtarit, kur ai nuk di të shkruajë vetëm një variant, por edhe të ndreqë, të korrigjojë. Kam lexuar se Heminguej vetëm një fund tregimi e ka ndërruar tridhjetë herë gjer sa gjeti fjalët e duhura.
Janë dy elementë që ky autor i përdor me shumë sukses, natyra dhe moti. Në tregimin “Disidenti” ku ngjarja zhvillohet në Pogradec, ka përshkrime poetike të liqenit, pyllit dhe Drilonit që të fiksohen në kujtesë. Përshkrimet të ngjajnë si piktura, si tablo të gjalla. Natyra është pararendëse e botës së brendshme të personazhit apo shoqëruese e veprimeve të të tij. Po kështu edhe moti, dielli, era, suferina, shiu dhe vapa janë përshkruar me detaje duke u bërë pjesë përbërëse e tregimit. Përshkrimet janë aq reale sa ne si lexues, sipas rastit, ndjejmë tufanin e borës apo të nxehtin në qershor.
Dialogu është jetësor dhe logjik, shpesh spontan, pa përdredhje. Sikundër në jetë. Batutat janë të shkathëta, me fjalë të kursyera dhe shpesh kundërvnëse duke rrëfyer kështu botën e brendshme të personazheve, kureshtjen, streset, ankthet, hamendjet, apo nëntekstet. Shpesh gjuha është e thukët e ironike.
Duke lexuar tregimin e fundit “Katër njerëz nga i njëjti fshat”, rrëfime në vetën e parë, ku përmblidhen katër ngjarje të shkurtra të fëmijërisë, kupton se aty autori ka ndjekur linjën e rrjedhshme të përrallave popullore të fshatit të vet të origjinës. Të duket sikur je në ëndërr. Gozhdohesh pas subjektit, sikur të zihet fryma. Një gjuhë e shkathët, plot kolor e nazike, e gjitha e realizuar në të folurën e Labërisë. Letërsia artistike ka shumë nevojë për gjuhën burimore, vitalitetin e saj të papërsëritshëm. Është aty bota e shpenguar e fëmijërisë ku njerëzit sillen të lirë e pa paragjykime. Jemi në një periudhë para kolektivizimit socialist kur ende nuk kishte nisur hipokrizia dhe mashtrimet demagogjike.
Humori thuajse është i pranishëm në të gjitha tregimet. Me ngjyra komike janë përshkruar personazhe dhe veprimet e tyre. Herë mund të qeshësh me zë të lartë e herë mund të lexosh me buzë në gaz. E qeshura vjen në mënyrë të natyrshme, jo qëllim në vetvete, por sipas situatave komike që kalojnë personazhet. Humori zbut dramat duke spërkatur rrëfimin me ngjyra të gjalla e të shndritshme. E bën leximin më të këndshëm. Herë-herë humori ngrihet në satirë therëse ku nuk ngurron të godasë politikat e kohës. Efekti komik jepet edhe nëpërmjet ligjërimit të personazheve dhe dialogut të shkathët.
“Autokritika” ka larmi tematike. Ky libër i ri me tregime që u jepet në dorë lexuesve, jo vetëm ka vlera njohëse për periudhën e errët që kaloi populli shqiptar nën diktaturë, por edhe edukuese: kështu nuk duhet të ndodhë kurrë, ky është mesazhi. Nëpërmjet këtij vëllimi autori sensibilizon ndjeshmërinë artistike të lexuesve për kohën që shkoi. Edhe këtu ai ruan vlerat e tregimeve të vëllimit “Enigma e një nate”. Mendoj se për brezin e ri që ka lindur pas viteve ’90, është jo vetëm një vëllim artistic tërheqës, por edhe edukues. Letërsia artistike vlen më shumë se qindra leksione sepse ajo është e gjallë, konkrete, e prekshme dhe hyn drejt e në subkoshienë. Uroj që “Autokritika” ta gjejë sa më shpejt e me lehtësi rrugën për tek lexuesi.