Blerim Destani, në një film me aktorët Morgan Freeman dhe John Travolta
Po shfaqet në kinematë amerikane filmi “The Poison Rose” (Trëndafili i helmit), një dramë me temë krimi që ka bashkuar bashkë në rolet kryesore aktorët John Travolta dhe Morgan Freeman.
Spektatorët shqiptaro-amerikanë kanë mundësi të shohin në të edhe aktorin tashmë të afirmuar shqiptar Blerim Destani që në këtë film luan rolin e Lorenzo Rodriquez.
Prej kohësh qarkullon një fotografi nga xhirimet e filmit që tregon një skenë ku Destani është i ulur në tavolinën e bixhozit mes Travoltës dhe Freemanit, një shans që pak aktorëve u është dhënë në jetë.
Filmi ka në qendër të tij personazhin e një dedektivi veteran, në Los Angeles, të zhuritur nga jeta që kthehet për të zgjidhur një mister në qytezën e tij të lindjes në Texas.
Me regjizor George Gallo, filmi shquhet edhe për rikthimin në ekranet e kinemave të aktorit Brendan Fraser, rolet e të cilit kanë qenë shumë më të rralla dhe në hije që prej suksesit të madhe me filmin “Mummy” (Mumja).
Destani, i cili ka lindur në Gjermani dhe është rritur në Maqedoni, vjen nga një familje e njohur shqiptare. Pasi ka zbuluar që në moshë të hershme talentin e tij për aktrim ai ka luajtur tashmë në një numër filmash. Ai ka krijuar përvojë edhe në aspekte të tjera të kinematografisë, përfshi edhe si regjizor e producent.
Për ata që jetojnë në Nju Jork, filmin mund ta ndiqni në Cinema Village (22 E 12th St, New York, NY 10003)./Illyria press/