Raporti i inteligjencës gjermane: Irani po shton armët e shkatërrimit masiv
Ndërsa shtetet europiane ende pretendojnë se regjimi i Iranit po sillet në përputhje me marrëveshjen bërthamore dhe presidenti Trump shfaq qëndrime të ndryshme në lidhje me ndërhyrjen e mundshme të SHBA-ve në Lindjen e Mesme , një raport i majit nga inteligjenca gjermane që sapo është publikuar nga mediat ndërkombëtare bën me dije se Republika Islamike po përpiqet të ndërtojë armë të shkatërrimit masiv.
Sipas raportit, Irani është një “vend i rrezikshëm” që është “duke bërë përpjekje për të zgjeruar arsenalin e tij ekzistues të armëve me armë të shkatërrimit në masë.”
Po sipas raportit, me armë të shkatërrimit masiv po iu referohet armëve atomike, biologjike, dhe kimike.
Kujtojmë se regjimi klerik i Iranit kishte rënë dakord të kufizonte zhvillimin e programit të tij bërthamor në këmbim të koncesioneve ekonomike si pjesë e Planit të Përbashkët të Veprimit të vitit 2015 (JCPOA). SHBA e Trump u pat tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018, sepse, sipas administratës së Trump, marrëveshja nuk e kishte ndaluar Iranin të ndërtonte armë bërthamore.
Ndërsa besohet se Irani ka nevojë për likuiditetet, që i mungojnë si rezultat i sanksioneve, për të vazhduar planin e tij, raporti nënvizon se në mënyrë që të arrijnë elementët ekspertë të fushës Irani, Koreja e Veriut dhe Pakistani po kërkojnë të kenë marrëdhënie tregtare me vende te zhvilluara teknologjikisht, si Gjermania.
Kujtojmë se javën e shkuar lideri religjioz i Iranit pati deklaruar se megjithëse lufta nuk ishte e dëshirueshme, Irani ishte i përgatitur për sulm, ndërsa ministri i jashtëm pati mohuar planin se Irani po rrit arsenalin e tij bërthamor, bën me dije Dita duke cituar mediat e huaja.