Nuk iu gjetën të palara, shpëton nga vetingu gjyqtari Lara
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash ka konfirmuar në detyrë Dhimitër Larën, gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Shtetasit Orik Shyti dhe Laert Shyti, të dyshuar si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, ishin ankuar pranë KPK ndaj këtij gjykatësi, që i shpalli fajtor në vitin 2008. Vendimi ndaj tyre u prish nga Gjykata e Lartë, e cila e riktheu çështjen për rigjykim në Apelin e Gjykatës së Krimeve të Rëndë, e cila i shpalli të pafajshëm. Orik Shyti dhe Laert Shyti, në ankesën e tyre pranë KPK, pretendojnë se gjyqtari Dhimitër Lara ka qenë i ndikuar politikisht për t’i dënuar. Sipas tyre, ai është shprehur se nëse do e trajtonte sërish çështjen e tyre, do të jepte të njëjtin vendim. Gjyqtari u hetua në 3 kriteret e rivlerësimit, pasuri, figurë dhe aftësi profesionale. Sipas raportit të ILDKPKI, deklarimi ishte i saktë, nuk ka fshehje, ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe gjyqtari nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. Për pastërtinë e figurës DSIK ka pohuar se subjekti është i përshtatshëm për të vijuar detyrën, ndërsa është vlerësuar pozitivisht sa i përket anës profesionale. Pranë KPK kishin mbërritur 5 denoncime, por nga hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka rezultuar se nuk është paraqitur asnjë provë që do ta implikonte gjyqtarin në shkelje.