Albspirit

Media/News/Publishing

Teprimet dhe e drejta e një opinioni mbi zgjedhjet europiane dhe pamundësinë për të votuar në Tiranë!

Artur Nura

Në opinionin që botuam ditën e zgjedhjeve për Parlamentin Europian ngritëm një shqetësim sigurisht të drejtë, por duket se pritshmëritë personale, por besoj edhe ato kolektive kundrejt Bashkimit Europian dhe veçanërisht Italisë, vend të cilin ne të gjithë e kemi quajtur Avokati ynë në rrugën tonë drejt familjes politike të Europës, e kemi tepruar disi në termat e përdorur përkatësisht kundrejt Ambasadës Italiane!

Më duhet të them që reagimet që solli ky opinion kanë qenë nga më të ndryshmet. Shumë prej lexuesve të artikullit, qasjen time e quajtën të drejtë dhe nuk munguan edhe qytetarë italianë që një situatë të tillë e përkufizuan gjithashtu si të turpshme.

Të tjerë e quajtën një debat të parëndësishëm, duke iu referuar ligjit dhe rregullave të Bashkimit Europian dhe sigurisht duke justifikuar faktin e pamundësisë se dikujt që dëshironte ëe votonte dhe nuk mundi ta kryente një detyrim të tillë moral ndaj vendit të tij dhe Bashkimit Europian.

Pavarësisht opinioneve, sigurisht e drejta për të votuar është themelore dhe duhet respektuar edhe kundrejt një individi të vetëm, e jo më 1688 qytetarëve italianë, të cilët janë të regjistruar pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe të cilët nëse nuk kanë shkuar në Itali, apo në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, kanë mbetur pa e ushtruar të drejtën dhe detyrimin e votës!

Pranoj, ndoshta termi “turp” nuk duhej përdoruar në opinion, por qëllimi ishte vetëm të kritikoja një realitet për mua të padrejtë, për më tepër kur i ndodh një institucioni i cili duhet edhe të na korrigjojë, në këtë aspekt, ne që jemi shoqëri në zhvillim demokratik dhe që deri tani ende nuk e kemi merituar politikisht të jemi pjesë e familjes europiane.

Kjo vlen besoj si për Ambasadën Italiane ashtu edhe për Delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë që drejtohet nga një shtetas italian, zyrë e cila parimisht nuk paska asnjë detyrim për rastin dhe ky zhvillim i takon ambasadave përfaqësuese të vendeve të BE!

Formalisht kanë shumë të drejtë, por personalisht besoj se për shkak të specifikes të këtyre zgjedhjeve, të dyja këto institucione të rëndësishme mund të kishin publikuar informacione të cilat mund të qartësonin qytetarët e tyre të pranishëm në Shqipëri. Nëse këta janë 20.000 apo shumë pak, kjo ka pak rëndësi, sepse çdo vullnet themelor dhe kushtetues, qoftë i një individi të vetëm, besoj duhet respektuar nga institucionet!

A nuk do duhej që këto dy istitucione të kishin ndërtuar një fushatë sensibilizimi qoftë edhe vetëm javën e fundit dhe të ishte dikush në zyrat përkatëse ditën e votimeve e të përgjigjej nëse një qytetar europian do të kishte nevojë për informacion dhe jo vetëm t’i referohen një ligji në fuqi, në rastin e Italisë që nga 3 gushti 1994?!

 

Reagimi i Ambasadës Italiane

 

Më duhet të them që Ambasada Italiane reagoi nëpërmjet titullarit të saj, pse jo, duke më nderuar shumë mua personalisht, por padyshim edhe shqetësimin e drejtë që unë ngrita publikisht.

Më duhet të them se nëse opinioni im ka tingëlluar si akuzë dhe, jo kritikë siç u perceptua nga unë personalisht me qëllimin për ta ndryshuar këtë realitet të padrejtë, unë padyshim kërkoj ndjesë qytetare ndaj një Institucioni diplomatik shumë të nderuar.

Me këtë ambasadë kam mbi 10 vite që bashkëpunoj me pasion si korrespodent i Radio Radicale, por edhe si qytetar i përgjegjshëm italofil e italofon, por edhe si europian i devotshëm si shumica absolute e shoqërise shqiptare dhe, gjykoj se roli i këtij vendi ndaj zhvillimeve të shoqërisë sonë duhet të jetë më dinamik. Mendim personal!

Në fakt, edhe në letrën sqaruese që Shkëlqesia e Tij, ambasadori Alberto Cutillo më dërgon, duke sqaruar pasaktësitë e adresuara kundrejt institucionit te Tij diplomatik, pranon që është e drejtë e imja të kritikojë ligjvënësin italian që nuk e ka ndryshuar ligjin përkatës të vitit 1994, por jo diplomacinë që duhet vetëm ta aplikojë atë.

Unë mund të them që artikullin e shkruajta me pasionin e një qytetari italian & europian-dashësh dhe jo si kundërshtar i këtij vullneti të shumicës së shqiptarëve dhe sigurisht me qëllimin për të ndihmuar dhe ndryshuar këtë realitet të padrejtë.

Thënë këtë, më duhet të shtoj se personalisht jam mëse i bindur se në Shqipëri nuk janë rreth 2000 shtetas italianë të cilët janë të regjistruar pranë kësaj ambasade, por shumë më shumë se kaq, të cilët ndoshta nuk janë rezidentë, por që shkojnë e vijnë me një intensitet të jashtëzakonshëm në Shqipëri.

Mjafton t’i hedhësh një sy fluturimeve ajrore të cilat kryhen midis dy vendeve dhe avionët plot me pasagjerë e kupton këtë realitet të jashtëzakonshëm italo-shqiptar që vazhdimisht rritet dhe na gëzon të gjithëve pa masë. Mjafton të rrish midis njerëzve në rrugët e Tiranës dhe të dëgjosh sa flitet gjuha e bukur italiane dhe sigurisht ndryshon perceptim për këtë realitet të mrekullueshëm.

Sigurisht që ndjesa ime mbetet në fuqi ndaj termave dhe përgjegjësive të përdorura në opinion kundrejt kësaj ambasade të nderuar dhe shumë mike, por le të mendojmë të gjithë si t’i bëjmë marrëdhënit midis dy vendeve me eficente dhe të arrijmë të paktën deri aty sa i ka çuar iniciativa e lirë midis qytetarëve të të dy vendeve…

PS: Në lidhje me reagimin dhe përgjegjësinë e Delegacionit të Komisionit Evropian do më duhet të shkruaj një herë tjetër!/perqasje.com/

 

Please follow and like us: