Albspirit

Media/News/Publishing

‘Salariotët, epoka e burrave’- libri që lartëson heronjtë

Image result for albert zholi

Albert Z. Zholi

Shkrimtar-publicist

Të shkruash për vendlindjen dhe banorët e tij, të djeshëm e të sotëm, në radhë të parë është një përgjegjësi e madhe individuale, por njëkohësisht është një detyrim moral, për cilindo që është pjesë e tij. Vendlindja është ajo tokë, ata gurë e drurë që në çdo moment të kujtojnë origjinën, lavdinë e të parëve e cila është dritë për pasardhësit! Sot, me zhvillimet moderne, të shkruash për vendlindjen është thirrja e kohës për ndërgjegjësim dhe kushtrimi i të parëve për të dashur atdheun. Vendlindja nuk do dashuri të cunguar. Ai që nuk bën gjithçka për të, nuk bën asgjë. Ai që nuk i jap gjithçka Atij, ai i ka mohuar të gjitha. Ajo s’mund të harrohet pasi në vendlindje njeriu ka të kaluar, por edhe të ardhme. Vendlindjen e duam jo se është e madhe apo e vogël, por e duam sepse është e jona, është gjaku, rrënja, burimi kristaltë, dielli i jetës individuale. Vetëm në vend të huaj e njeh bukurinë dhe ëmbëlsinë e gjuhës amtare, vetëm atje e ndjen ç’është vendlindja nga ku je larguar. Vendlindja është vetëm Një, ashtu sikurse nëna. Respekti për vendlindjen është virtyti i madh njerëzor që duhet ruajtur si thesar i rrallë. Thuhet që kush ka vdekur për vendlindje, nuk ka vdekur por ka Lerë, rilindur. Një fjalë e urtë thotë: “Kush nuk e do vendlindjen, nuk e do as njerëzimin”. Një dimër në vendlindje është më i ëmbël se sa qindra pranvera në dhe të huaj. E ata që dëshirojnë ta njohin e ta duan vendlindjen e tyre le të shkojnë në dhe të huaj që ta ndjejnë mallin për të. Nisur nga këto ndjesi është nisur dhe Kastriot Lamaj të shkruaj për vendlindjen e tij, Salarinë magjike. Tashmë, Salaria ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një fshat i veçantë, mbushur me histori luftërash patriotike, si një fshat i dashuruar me atdheun, lirinë, pavarësinë, por dhe me arsimin dhe kulturën. Në këtë libër të thjeshtë, por tepër korrekt, autori ka dashur të përcjellë në mënyrë shkencore dhe me elegancë, gjithë historinë e këtij fshati martir që nga krijimi dhe deri në ditët e sotme. Emërtimi, prejardhja, koha e formimit, lagjet, fiset, traditat, të veçantat, historitë, puna, arsimi, blegtoria, bujqësia, vështirësitë, kënga, gëzimet, hidhërimet por mbi të gjitha luftërat e një fshati të vogël por me histori të madhe, janë pjesë e këtij libri modest. Historikisht kanë luftuar salariotët për një jetë më të mirë, dhe në historinë e tyre janë ndeshur me skamjen e varfërinë, kanë kapërcyen vështirësi e pengesa, dhe gjithmonë kanë qenë vizionar duke luftuar të vjetrën me dëshirën e zjarrtë për të sjellë të renë, përparimtaren, modernen. Në luftërat për liri dhe pavarësi, shumë salariotë ranë në fushat e betejave dhe ata ishin bijtë më të mirë që s’e gëzuan jetën, e humbën atë ose mbetën të gjymtuar. Në luftën Nac-Clirimtare, salariotët, treguan vetëmohimin e tyre më të madh dhe përgjegjësinë historike më sublime. Vendlindja është gjëja më e shtrenjtë, pasi mbetet vendi ku u lindëm e u rritëm, ku morëm mësimet e fëmijërisë, ku jetuam gëzimet dhe hidhërimet tona. Salaria është një fshat  i vogël me histori të madhe. Nga gjiri i saj ka dalë Selam Salaria, Selam Labi, që koha e ka gdhendur në altarin e pavdekësisë së heronjve shqiptarë. Por nga Salaria kanë dalë dhjetëra intelektualë të çdo fushe që kanë bërë emër jo vetëm në Shqipëri, që do ti gjeni në faqet e këtij libri të sinqertë. Mbi të gjitha ky libër është një mesazh për gjithë brezat kudo që banojnë dhe jetojnë, por sidomos për brezin e ri: Në hapësirat ku jeton brezi i ri shqiptar, i larguar dhe emigruar në kohë të ndryshme, si përfaqësues të një shoqërie dhe kombi ndër më të vjetrit në Evropë, ka si detyrë të ruaj dhe të përcjellë tiparet më të mira të vendlindjes, origjinës, kombit që përfaqëson vlerat, traditat, gjuhën, zakonet, këngët, vallet,  historinë e madhe të një vendi të vogël, etj. Të gjithë kemi detyrime ndaj vendlindjes, pasi aty u formuam, hodhëm hapat e para dhe nisëm rrugën e madhe të jetës plot zigzage dhe të panjohura… Vendlindja, mbetet e njohura e parë, e barazuar me respektin dhe dashurinë si ndaj Zotit.

Please follow and like us: