Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: DO BIE NË DASHURI…!

Rezultate imazhesh për arqile garo

Në një tavolinë po rrinim, hanim, qeshnim e po pinim,
qyfyre, gallatë e sharje.
Tek tregonim e lodronim, anektoda po shijonim,
në mes hyri fjala… ndarje!

Lamë pirunat e patatet, përnjëherë kthyem surratet,
nga ai që e kish thënë…
Plot me lotë i kishte sytë, pa kish shkarë, ish bërë i dytë,
edhe gotën e kish lënë.

Ah! Shpërtheu me ofshamë e ne sy më sy u pamë,
ndarja qënka tragjedi!
Ore miq të adhuruar, mjerë ai q’ e ka provuar,
mbushma gotën që ta pi!

Dhe piu duke vajtuar, duke sharë e duke truar,
bjerna djalë edhe një verë!
Se kjo dashuri lanete ka një ndarje mysybete,
ka maraz ka dhe qeder.

Edhe unë, u hodh një tjetër, që mbahej për burrë i vjetër,
pata ndarje të vështirë.
Lëre, ç’ e përmend të shkretën, u bëra për të vrarë veten,
ndaj ja shtrova me të pirë.

Kaq u desh e kamarjerët u sulën, mbanin të tjerët,
qenkëshin të tërë të ndarë.
Sa u përmend historia secili në hall të tija,
lotët çurg, mort i papaparë.

Ore burra, mblidhni veten, pini nga një gotë, të shkretën,
se të botës u bëmë gaz.
Fshini hundët ore trima, lini kuje e psherëtima,
pa lezet është ky avaz.

Sa u fola kështu tinës iu vërsulën tavolinës,
e ja kthyen me dolli.
Një për kokën e filankës, dy për syçkat e shejtankës,
ai mbush e neve pi!

Mbushi prapë gotat! or shokë, ajo vetull, ato flokë,
pije për ndarjen e shkretë.
Për një çupë nga labëria që gjëmonte si stuhia,
për një brune me kimet.

Për një bjonde lozonjare, për një nuse përmetare,
një vejushe në Athinë.
Për dy motra nga Kuçova, një korçare nga Drenova,
tre mësuese në Kaninë…

Për një femër të martuar, për një gjoks të adhuruar,
pi!… për burrin lumënxirë,
Për dashnoren e filanit, atij trimit të vatanit,
që i haj koka për brirë…

Me këto e me të tjera, u ndërrua atmosfera,
krisi kënga labërisht.
Mbani iso ju të ndarët, vajtoni për ne qyqarët,
që po na rrëfejnë me gisht….

E unë isha më profani, më maloku, më hajvani,
një rezil e një jezit.
Shihi mor idjot të tjerët si gulçojnë në vaj të mjerët,
njëri hidh e tjetri prit!

Ka lezet or burrë i dheut, që në kohë të Skendërbeut,
ndarja shkruan histori.
Kuptoje! nga Menelau, që Helena vajt’ e ndau,
u bë Troja shkrumb e hi.

Dal’ or ti se nuk tërhiqem, jam në moshë e do përpiqem
të bëhem dhe unë njeri!
Të mos dukem si malarje, ta kem të shkretën një ndarje…
Do bie në dashuri!

Janninë, dhjetor 2013

Please follow and like us: