Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: NJË REAGIM PËR SHKRIMIN ‘TRE GISHTAT…’ TË PETRO LUARASIT

Rezultate imazhesh për akademia e shkencave, logo

 

Dje pata rastin të qëndroja gjatë e të bashkëbisedonim për një projekt të Shoqërisë Civile, me Petron, djalin e familjes së famshme e patriotike Luarasi.

Biseduam si shokë të mirë e dalëngadalë u hap edhe një temë e papritur për mua, ajo e simboleve nacionaliste të popujve të tjerë, pranë shtatoreve të heronjve tanë apo në zemër të emblemave të institucioneve tona shkencore.

I revoltuar, Petro Luarasi më tregoi një fotografi, të një basorelievi në trupin e një monumenti të kahershëm, të vendosur në një nga sheshet e qendrës së Tiranës për të cilin ai kishte bërë edhe shkrimin “Tre gishtat…!”.

Në mes të rreshtave, autori Luarasi shkruan: Dhe tani, në mënyrë të papritur e paradoksale, po përballemi me një “krim monumental”, bash në qendër të Tiranës.

Në një basoreliev, në pjesën jugore të bazamentit, te “Partizanit Çlirimtar”, kapoja i disa “luftëtarëve të panjohur”, kurresesi nuk mund t’i quaj “partizanë çlirimtarë”, na çfaqet heroikisht me simbolin serb, me tre gishtat të ngritura lart.

Të shtangur nga kjo gjëmë e pabesueshme pyesim se si është e mundur kjo, kush ka guxuar kur mund të ketë ndodhur ky krim, kur u inaugurua monumenti më 1949 apo kur u modifikua monumenti më 2008…”?

Shikoja fotografinë, lexova edhe njëherë shqetësimin e Petros tek artikulli që kisha mbi tavolinë, u ngrita në këmbë dhe thashë: Dua ta shoh edhe unë nëse ti nuk përton, tani, menjëherë.

Të dy së bashku vajtëm tek shtatorja e “Partizanit Çlirimtar” dhe unë u fotografova pranë shtatores simbol dhe fatkeqësisht edhe pranë simbolit serb të tre gishtave…!

Deri këtu kishte arritur dora e zgjatur e Serbisë, pa u vënë re dhe pa u kontrolluar asnjë herë nga ata që populli i paguan për të trajtuar me dashuri e me kujdes të veçantë, simbolet e kulturës e të historisë sonë kombëtare dhe jo simbolet nacionaliste të serbëve me të cilat ustashët dikur dhe paramilitarët serbë tash vonë, në luftën e Kosovës, vranë e prenë pa mëshirë, qindra e mijra shqiptarë të pafajshëm.

Duke u larguar ngadalë me shokun tim, të fyer e të vrerosur, kaluam pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e mua më shkoi në mendje një ngjarje tjetër e përafërt që kishte ndodhur me mua më 7 dhjetor 2015, për të cilën unë kam shkruar në ditarin tim të asaj kohe.

Në një bashkëpunim të Institutit Albanologjik të Prishtinës me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, atë ditë promovohej libri “ARBNESHËT E ZARËS”, i autorit kroato-shqiptar, Aleksandër Stipçeviq, i përkthyer nga Prof. Sadri Fetiu.

Rasti e solli, të ulem pranë një studiuesi të njohur, të historisë i cili pasi më përshëndeti, më bëri një pyetje të papritur: Dashi, çfarë është ajo shkronja në mesin e logos së Akademisë së Shkencave?

E pashë me sa munda nga larg, me syzet e mia dhe iu përgjigja se mund të ishte ose epsilon ose sigma.

Është gërma greke sigma-më tha profesori; është gërma e parë e fjalës greke Sofi që do të thotë Dituri, deri këtu ka hyrë dora e zgjatur e Greqisë…!

Ja thashë këtë ngjarje Petros dhe së bashku u nisëm drejt Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të parë e fotografuar nga afër një simbolikë tjetër në një Institucion Emblematik të shqiptarëve i cili e ka për detyrë të pastrojë me të gjitha mjetet historinë e kulturën tonë kombëtare nga gënjeshtrat, mashtrimet e manipulimet që fqinjët tanë greko-sllavë, kanë bërë në qindra vjet.

U afruam së bashku me Petron për të parë brenda asaj dite “xhevahirin e rradhës”, këtë herë në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nuk kishte aktivitete dhe kështu takimin e lamë për një ditë tjetër.

Petro Luarasi, djali e nipi i patriotëve të mëdhenj të kombit e kishte bërë punën e vet e kishte trokitur në disa dyer të shtetit për këtë problem të cilat nuk ishin hapur.

Edhe ne të tjerët duhet të bëjmë punën tonë, të ngrihemi në këmbë e të bashkuar t’i tregojmë shtetarëve tanë se vetëm pasanikë janë bërë e në të kundërt atdhetarë nuk mund të bëhen kurrë…!

Të falemnderit Petro!

Please follow and like us: