Ambasada e SHBA dhe britanike dënojnë dhunën në protestë
SHBA: Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Ambasada britanike: Nuk ka vend për dhunë
Ambasada Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë ka reaguar për protestën e opozitës së bashkuar, këtë të diel që nisi tek Kryeministria dhe vazhdoi tek Parlamenti, ku nuk munguan tensionet. Ambasada deklaron se nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore duke theksuar se është përgjegjësia e liderëve për të ruajtur të sigurt dhe ligjore protestën.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht. Nuk ka vend për dhunë dhe objekte shpërthyese në një protestë paqësore. Liderët e protestës kanë përgjegjësinë për të garantuar demonstratë paqësore, kurse policia ka përgjegjësinë për të garantuar ruajtjen e rendit publik. Për të mirën e kujtdo, duhet të ketë protestë paqësore dhe të sigurt”.