ARDJANA DRAGOI: M’U BËRE JETË
Më merr për dore edhe bredhim
Si deti merr valën e tij
Në toka djerr , shpresën e mbjellim
E shkretëtirave bie shi.
Më merr për dore e më tregon
Pa vetëdije m’u bëre jetë
Po s’shkruan dora , shpirti rëndon
Mendimi çmëndet e kërkon fletë.
Orë e pa orë , më zgjon nga gjumi
Nuk ta prish dot se të kam jetë
Një Zot e di , ç’erë të pruri
Apo ky shpirt të zgjoi vetë?
Ti muza ime , m’u bëre jetë
E bëre varg , gjithë ndienjën time
Atë që shpirti me zë s’e flet
E thua ti me vargëzime.
Ti depërton në skuta shpirti
E udhëton në rrugë jete
Rrënjosur thellë këtij mendimi
E brenda kësaj zemre mbete.
Please follow and like us: