Albspirit

Media/News/Publishing

Blerta Zhegu: Mundohem të jap më të mirën time, si njeri dhe si artiste…

Ajo është një soprano e re, por një emër tjetër nga shkolla shqiptare e kantos që lartëson jo vetëm cilësitë vokale të shqiptarëve. Blerta Zhegu, prej vitesh jeton dhe ngjitet në skenat franceze, por ka interpretuar edhe në skena të tjera ndërkombëtare. Fillimisht ishte Italia që i hapi dyert e studimit dhe të skenave për t’u pasuar më tej nga Franca, ku emra të njohur e kanë orientuar drejt skenave prestigjioze të muzikës klasike. Blerta konsiderohet një yll në ngjitje në skenat franceze. Ajo sot është pjesë e rubrikës sonë “Udhëtimi im”, si një nga emrat e shquar shqiptarë në botë. 

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Si për çdo talent, ka qenë një vokacion i brendshëm. Mendoj qe secili prej nesh është i prirur për diçka dhe një dhuratë e tillë, si të qenit i talentuar, është gjithmonë një pasuri por dhe një përgjegjësi e madhe.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Për momentin sapo jam kthyer nga Tunizia, ku isha soliste në operën e parë të vënë në skenë ndonjehere në atë vend. Gjithashtu, në vitet e fundit, mund të përmend prezantimin tim në Galanë televizive, kushtuar operës “Musiques en fête”, apo interpretimet në teatrot prestigjioze të Veronës, Lucca-s, Livorn-s si momentet më të rëndësishme të karrierës time, por në fakt çdo hap që kam bërë ka qenë thelbësor për rritjen time artistike.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Do t’ju jap një përgjigje pak të rëndomte, por sinqerisht, në momentin qe talenti ekziston, celësi është vetëm puna dhe të qenit i ndershëm, sidomos me vetveten.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Sfida më e vështirë është çdo moment, në të cilin pavarësisht nga vështirësitë, mundohem të jap më të mirën time, si njeri dhe si artiste.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Nuk do të beja asgjë ndryshe, pasi pendimi nuk i përket filozofisë time të jetës.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Si çdo shqiptar, kam për atdheun tonë ndjenja dhe mendime ndonjëherë kontradiktore.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?

Mendoj që janë temperamenti i zjarrtë, bujaria dhe krenaria, cilësi që na karakterizojnë ne shqiptarëve, të cilat herë më kanë ndihmuar, por ndonjëherë edhe penguar të integrohem.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Si çdo “emigrant’ më ka ndodhur të përballem në fillim me komente apo sjellje përbuzëse ndaj origjinës time, por fatmirësisht nuk kam njohur vetëm këtë anë të medaljes, pasi njerëz të ngritur dhe të mençur ka kudo.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Gjithmonë e më shumë po zhvillohet natyrshëm një bashkëpunim ndërshqiptar, i cili shpresoj që do të jetë produktiv dhe i suksesshëm. Këtë do ta tregojë vetëm koha.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Për mendimin tim duhet të arrihet një ndërgjegjësim më i madh ndaj te drejtave dhe detyrave që ka çdo shtetas në një vend demokratik. Gjithashtu, pa dashur të bëj politikë uroj të shikoj një ditë tek bashkëkombasit e mi, dëshirën dhe kënaqësinë për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?

Fatkeqësisht, për arsye të angazhimeve artistike, nuk kam mundur të marr pjesë në Samitet e Diasporës që qeveria shqiptare ka organizuar.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?

Projektet e mia për të ardhmen po marrin forme, ndaj është pak herët për t’i përmendur, por mund të them që në dt. 29 qershor do të jem soliste në hapjen e ekspozitës universale: LA MER XXL në Nantes, një event i organizuar nga artisti dhe produktori shqiptar Altin Tafilaj, i cili prej disa kohësh drejton me sukses kompaninë e produksionit “Sunsnote”.

“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Duke cituar Dostojevskin: “E bukura do të shpëtojë botën!”

“The Albanian”

Please follow and like us: