Albspirit

Media/News/Publishing

Gerta Cami – Kobeci: Ndihem shumë e përmbushur për çdo ëndërr të realizuar dhe për çdo sukses të papritur

Dr.Gerta Cami – Kobeci është shqiptarja e radhës, e suksesshme në diasporë. Pedagoge në lëndën e Kimisë Farmaceutike pranë “University of Hertfordshire, lidere në kërkimet shkencore, ajo është sot një nga emër i nderuar në Britaninë e Madhe që na bën të ndihemi krenarë. Me vullnet, pasion e punë të palodhur ka arritur të ngjitë një nga një shkallët e karrierës dhe të jetë gjithmonë kërkuese në arritjet e saj në fushën e shkencës. Por nuk le mënjanë atdheun, gjuhën, me të cilin e lidh e kaluara, e lidhin kujtimet, njerëzit e saj të dashur. E kur bëhet fjalë për një bashkëpunim sa më të ngushtë mes diasporës e shteteve tona, Gerta thotë se “Përgjegjësia e bashkëpunimit si fillim bie tek shqiptarët e diasporës, pastaj tek qeveritë përkatëse”, por ajo është optimiste se gjërat do shkojnë më mirë dhe vetëm duke punuar sa më fort do të dali në pah potenciali që kemi ne si komb!

29908 Gerta Cami-Kobeci Profile Shots 15 May 2019. Client:

1. Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Lënda e kimisë që në shkollën fillore më zgjoi interes të dija më shumë, se çdo të thotë proces kimik? Çfarë janë atomet? Si ndryshojnë molekulat? U përqendrova në degën e Farmacisë si kimi e aplikuar, një zgjidhje kjo e ndikuar edhe nga prindërit me motivimin të ushtroj profesion që bën ndryshim në komunitetin social. Pas diplomimit me maksimumin nga Universiteti i Tiranës, mu ofrua mundësia për të punuar si asistente e Kimisë Farmaceutike në Universitetin e Tetovës. Etja për më shumë njohuri në këtë dege shkencore u bë akoma më e madhe. Arrita të fitoj bursë dhe ndërmora projekt masteri në Fakultetin e Farmacisë dhe Farmakologjisë pranë “University of Bath”, Mbretëri e Bashkuar, ku për herë të parë u njoha me hulumtim shkencor. Pikërisht, ky projekt më hapi horizontin dhe më krijoi dëshirën të ndërmarr rrugën e shkencës së aplikuar. Me fjalë të tjera, të eksploroj kiminë farmaceutike, të testoj dhe sintetizoj molekula që veprojnë në receptorë biologjikë dhe të zhvilloj komponimin pas efektit farmakologjik. Pasioni për të kontribuar dhe edukuar brezat e ardhshëm në shkencën farmaceutike më ka shoqëruar gjatë gjithë rrugës universitare, por ideja se një ditë do të bëhem shkencëtare dhe të ligjëroj në auditorët e Universiteteve të Mbretërisë së Bashkuar, ishte e paperceptueshme për mua!

2. Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Fakulteti i Farmacisë pranë Universitetit të Tiranës qëndron pikënisja. Nuk harroj ato ditë nëntori, kur profesoreshe Zana ligjëronte kiminë inorganike dhe mua më dukej aq i ngrohtë ai auditor, te medreseja me xhama të thyer, ngaqë më merrte me vete shpjegimi i saj (flas për Tiranën e viteve ’92, kur fakulteti i Farmacisë ishte akoma te godina e medresesë së Tiranës).

Shume i rëndësishëm për trajektoren time shkencore është fitimi i bursës nga një fondacion i “University College London” për një projekt masteri shkencor pranë “University of Bath” me temën ”Detektimi i temperaturës të shkrirjes gjate interkelimit të ADN kanceroze me agjente cytostatik”. E theksova edhe me lart, pikërisht kjo ishte periudha qe më zgjeroi horizontin dhe më bëri të vendos që të vazhdoj projektin e doktoratës. Pas tre vitesh e gjysme në po këtë universitet, mbrojta me sukses temën e doktoratës “Transferimi i hidrogjenit, metodë e aplikueshme për sintezën e agjenteve të ndryshëm terapeutikë.

Kulmi dhe formimi im shkencor merr trajtë në hulumtimet disa vjeçare gjate postdoktoraturës. Aty pata fatin që të kem si konsultant të grupit shkencor zbuluesin e Buprenorfinës, (Buprenorfina-agjent terapeutik që përdoret si analgjezik dhe rehabilitues kundër narkotikeve abuzues). Konsultimet e tij më ndikuan që unë të arrij të dizajnoj një kamponim që po vërteton efekt anlagjeziko-terapeutik pa efekte anësorë, e konfirmuar nga prova farmakologjike të përformuara në laboratorë të ndryshme shkencorë nëpër botë.

3. Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Të hulumtosh në dizajnim të një ligandi farmakoterapeutik, do të thotë të sfidosh veten dhe dijen, t’i mohosh emocionet, të jesh i dedikuar dhe i disiplinuar, të kesh motivim dhe të jesh i mbushur me ide, të jesh e vetëdijshëm kur teoria nuk vërtetohet në praktikë dhe të jesh persistente dhe pozitive, edhe pse ke përsëritur  10-tra herë një sinteze kimike që nuk jep rezultat. Por e bukura e gjithë këtij rrugëtimi është se pasioni për të arritur produktin kimik tejkalon kufirin dhe aq më tepër sadisfaksioni është i madh, kur ky rezultat ka aplikim mjekësor.

Mendoj se gjithçka që kontribuoi për të hapur rrugën time drejt suksesit ishte puna me përkushtim, vendosmëria këmbëngulëse dhe ambicia për të arritur të paarriturën. Dorëzimi nuk ishte asnjëherë një opsion për mua!

4- Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Sforcimet dhe vështirësitë janë të pashmangshme dhe të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës të eksplorimit shkencor. Ato janë të natyrave të ndryshme, por pikërisht këto sfida më bënë më të fortë që të balancoj rolin e hulumtuesit, pedagogut, administratorit (aplikimi i granteve për projekte shkencore) dhe njëkohësisht atë të nenës dhe bashkëshortes.

Mua si nënë më është dashur të thyej barriera të shumta që më kane kushtuar sakrifica të mëdha për të pozicionuar veten në shkencë!

Nuk harroj presionin psikik që pata në fillimet e para të projektit e masterit në “University of Bath”, atëherë familja ime ndodheshe në Maqedoni (papritmas nisi lufta ne Maqedoni viti 2001)! Ideja e pasigurisë dhe emocionet negative që më kaplonin ishin të mundimshme. Me shpresë më mbanin ato pesë minuta telefoni, që t’ia dëgjoja zërin djalit tim tre vjeçar në fund të javës. Dhe kur vinte kjo kohë, djali largohej nga receptori i telefonit, e kështu vazhdoja të prisja javën tjetër. Nga ana tjetër, ambicia për shkence rritej, sepse desha të përfitoj gjithçka nga mundësia që mu dha të eksploroj në shkencë, hulumtoja deri në mesnatë në laborator dhe pas mesante i thoja vetes: “Tani jam e lirë të ndjej mallin”!

29908 Gerta Cami-Kobeci Profile Shots 15 May 2019. Client:

Studimet e doktoraturës në vitin e parë ishin me vetëfinancim, ndërsa nga departamenti kisha të mbuluar vetëm kemikalet e projektit. Kështu që më duhej të punoja gjatë fundjavës që të mbuloja shpenzimet e jetesës. Punoja 12 ore çdo të shtunë në “Royal Hospital Bath” si ndihmëse infermiere. Ndërmjet dy turneve gjashte orëshe kisha 2 orë pushim dhe këtë kohë e shfrytëzoja duke shkuar në departament për të përgatitur eksperimente të reja që të kem më shume rezultate për të hënën dhe t’i prezantoja para grupit. Kur kthehesha në mbrëmje vonë në shtëpi, djalin tim katër vjeçar, që më ishte bashkangjitur tani në Britani, e gjeja duke fjetur. Kjo më bënte të ndihem në faj për kohën që nuk ia përkushtoja atij!

Të gjitha këto vështirësi që i tejkaloja me ndihmonin gjithmonë e më shumë të definoja qëllimin dhe të besoja se suksesi nuk ishte destinacion, por ishte kjo rrugë gjarpëruese e vështirësive që më rriste dhe më bënte më të fortë.

5-Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Duke marrë parasysh të gjitha oportunitetet që më janë dhënë gjatë karrierës, jam e lumtur me vendimet që kam marrë. Nuk dua të bej krahasime me Fakultetin e Farmacisë pranë USHT. Tetova në atë kohë ishte në fillimet e saj, mundësitë për të ushtruar hulumtim të mirëfilltë shkencor ishin të paimagjinueshme. Shkenca e mirëfilltë për zbulim të medikamenteve i takon vendeve të zhvilluara dhe kjo si rezultat i shume arsyeve..!

6- Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset? 

Një epidemi që shkakton 142 vdekje në ditë, normalisht që duhet t’i jepet përgjigje sa më parë. I tillë është përdormi i tepërt i opioideve në SHBA, si rezultat i sugjerimit të përdorimit të analgjezikeve opioid nga mjekët, apo abuzimit me to.

Sadisfaksion të madh kam ndjerë kur më njoftuan për komponimin që unë dizajnova BU08028, gjatë hulumtimit të postdoktoratures (i botuar ne PNAS-një ndër revistat më prestigjioze shkencore, aty përshkruhet profili farmakologjik i këtij analgjeziku) po shpërndahet si lajm i shumëpritur jo vetëm për institucionet akademiko-shkencore apo lajm për kompanitë farmaceutike, por u bë artikull i shumë mediave dhe gazetave nëpër shumë gjuhë të botës, duke konsideruar që etja për një analgjezik, pa efekte anësore, është mëse i nevojshëm në ditët e sotme.

“Kjo më bëri të besoj më shumë në atë që bej”.

Për më tepër, mu dha mundësia të jem lidere e kimisë mjekësore të një projekti hulumtues pranë kompanisë “Orexigen” që patentoi ligandet qeë unë dizajnova.

Vitin e kaluar, u ndjeva edhe më e plotësuar, duke u emëruar si pedagoge në lendën e Kimisë Farmaceutike pranë “University of Hertfordshire”, si dhe lidere e një modulit të ri “Topic in Medicine Design”, ku unë dizajnova programin dhe projektet shkencore që do të ushtroheshin në këtë modul.

Moment i rëndësishëm, gjithashtu, ka qenë mbrojta e temës së doktoratës. Vlen të theksoj që sot, ky projekt doktorature shërben si baze metode kimike (“Transfer Hydrogenation Chemistry”) gjatë sintezës në masë të shumë agjenteve mjekësorë pranë kompanisë farmaceutike Pfizer.

Arritje triumfuese e quaj edhe lirinë e ideve shkencore që më jepet.

Ndihem shumë e përmbushur për çdo ëndërr të realizuar dhe për çdo sukses te papritur. Por ashtu siç shtohet vetëbesimi idealet dhe ambiciet e njeriut nuk mbarojnë kurrë.

7- Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Më evokon malli që kam për qytetin tim, për gjuhën e zemrës që flitet atje, asnjë qytet evropian s’më duket aq mikpritës. Edhe sot janë kohë të veçanta dhe jashtëzakonisht të lumtura, kur kthehem në vendlindje (Dibrën e Madhe), por pa harruar të vizitoj Tiranën, që i dha shpresë rinisë time. Ndërsa ndjej burim motivimi kur gjate ligjërimit, hulumtimit dhe punës në prizmat e shkencës me njerëz nga e gjithë bota kujtoj që jam shqiptare, vij nga ai vend dhe me krenari e përfaqësoj atë.

8- Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?

Cilësitë që kam trashëguar nga vendi im është durimi, dëshira për dije dhe dashuria për njerëzit.

Babai im i ndjerë gjithmonë më thoshte se burimi i civilizimit të një kulture janë femrat e arsimuara. Dhe që të arrihet kjo në fillim duhet durim, të shoqëruar me ambicie e vendosmëri. Ky parim ka shënuar itinerarin e suksesit tim, gjithmonë në kërkim të së vërtetës, në kërkim të ëndrrës sime, duke punuar sa më mirë që t’i shfaq aftësitë e mia.

Komunikimi me njerëzit më vjen natyrshëm, mendoj që është veti e mirë për bashkëpunim shkencor, gjithashtu. Ndjehem e plotësuar kur jam e rrethuar me miq të mirë, më jep motivim për jetën.

10-Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Mbretëria e Bashkuar është vendi ku diversiteti dhe kulturat e ndryshme janë të mirëpritura në aspektin e bashkëpunimit shkencor, të përvojës, kulturës dhe ideve të reja. Besoj që në çdo institucion akademik të Britanisë numri i studenteve internacionalë është i lartë, kështu ishte dhe në “University of Bath” në fillimet e mija të para. Vetë fakti që isha një nga ato e bëri pozitën time dhe adaptimin në shoqërinë Angleze më të lehtë.

11- Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Bashkëpunimi është baza e suksesit apo progresit të një shoqërie, unë mendoj që përgjegjësia e bashkëpunimit si fillim bie tek shqiptarët e diasporës. Ne tani jemi të integruar në një shoqëri të civilizuar, kemi përvojën, e shkencës, politikbërjes, kulturës, ekonomisë etj, kështu që projektet e kolaborimit duhet të fillojnë duke krijuar grupe bashkëpunimi në fusha të caktuara, ku idetë e projekteve tona të jenë sa më të qëllimshme dhe te aplikueshme për vendin tone. “The Albanian” po bën urëlidhësen e këtij bashkëpunimi nëpërmjet kësaj rubrike informimi. Me ngjalli ide të reja se çfarë bashkëpunimi të frytshëm mund të japim ne të farmaceutikes në vendin tonë. Ju falënderoj për këtë iniciative të ndërmarrë dhe intervistës që më ofruat.

12- Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Investim në metodat e arsimit, investimi në shkolla, investimi në laboratorë. Arsimi është elementi themelor, për një shoqëri të shëndoshë. Të respektojmë dhe vlerësojmë profesorin e ditur dhe t’i japim hapësirë të shprehë idetë e reja për mësimdhënie më të mirë, e jo ta diskriminojmë për arsye politiko-partiake. Të mirëpresim ndryshimin dhe rrisim aktivitetet e mësimdhënies në dobi të studentit.

Mbaj mend që në Universitetin e Tetovës ku unë ligjëroja, kishte shumë studentë ambicioze dhe me etje për dije, por me mundësi të limituara për të eksperimentuar në praktikat mësimore laboratorike, kjo e bën të cunguar studentin! Pa praktikën laboratorike nuk mund të mësohet shkenca e aplikuar dhe nuk e përmbush me dije farmacistin e ardhshëm.

Apo siç është rasti im personal, kur unë u përjashtova nga ky universitet, isha viktima e atij sistemi akademik dhe politikbërjes të asaj kohe!

13- A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 

Nuk jam shumë e informuar për këtë të fundit, por siç theksova dhe me lart bashkëpunimi është mëse i nevojshëm për përparim dhe progres të një shoqërie. Mbretëria e Bashkuar mirëpret dhe aplikon idetë e shqiptarëve profesioniste në fusha të ndryshme shoqërore dhe shkencore. Mendoj që bashkëpunimi me diasporën duhet të jetë i shumë mirëseardhur nga qeveria shqiptare!

14-Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 

Jam duke përgatitur aplikim grantesh për projekte shkencore, duke përfshirë këto tema mjekësore-farmaceutike: analgjeziket, antibiotiket, inflamacionin.

Gjithashtu jemi një grup pedagogesh që përgatisim një “review” me zhvillimet dhe te rejat nga dhjetëvjeçarit i fundit në Kimine Heterocyklike.

15-“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Të gjithë ata që kanë qëllime, ëndrra dhe luftojnë fort, të mos e konsiderojnë kurrë dorëzimin si një opsion. Përpiqu të japësh dedikim, pasion, vendosmëri dhe këmbëngulje. Ky parim do të shënojë itinerarin e suksesit tënd, gjithmonë në kërkim të ëndrrës, duke punuar sa më mirë që të nxjerrësh në pah potencialin tënd!

“The Albanian”

Please follow and like us: