Loreta Bedalli rrëfen “Vajzat e Kinës”
Intervistë me zonjën Loreta Bedalli njëra nga studentet e para shqiptare në Kinë, realizuar nga gazetarja Eda Merepeza.
Në vitet 60-të të shekullit të kaluar 100 të rinjtë e parë shqiptarë nisën studimet në Kinë, për t’u rikthyer pas tyre në atdhe, duke kontribuar në ndërtimin e veprave të para industriale, falë ndihmës ekonomike kineze.
Zonja Loreta Bedalli e lidhur me Kinën, që në moshë të re tregon se bashkë me të dhe shumë vajza të tjera pasi studjuan gjuhën kinezë në Pekin, vijuan studimet në degë të ndryshme inxhinierike. Ato ishin të parat vajza inxhiniere në kombinatet dhe fabrikat, që nisën të funksionin në Shqipëri, por të gjithë i quanin ” vajzat e Kinës”.
CMG: Zonja Loreta si nisi lidhja juaj me Kinën?
Loreta Bedalli: Në tetor të vitit 1961, ne, rreth 100 nxënës që kishim mbaruar shkollën e mesme në mbarë Shqipërinë shkuam për studime universitare në Kinë. Në vitet 60-të Republika Popullore e Kishte nisur ndërtimin e një sërë veprash industriale të rëndësishme në Shqipëri, ndër të cilat Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, Uzina e Azotikut në Fier, Uzina e Superfosfatit në Lac, Rafineria e naftës në Ballsh, Uzina e telave në Shkodër, fabrikat e prodhimit të letrës në Shkodër, Lushnje, Kavajë dhe Lezhë si dhe hidrocentralet mbi lumin Drin e të tjera vepra. Bëhet fjalë për gjithsej më shumë se 30 vepra industriale .
CMG: Pra ju e lidhni vajtjen tuaj në Kinë me ndërtimin e këtyre veprave, falë kontributit të Kinës në Shqipëri. Si u ndjetë ju në Kinë? Cfarë kujtimesh keni nga kjo periudhë e jetës studentore?
Loreta Bedalli: Dua të shtoj se me këto objekte që u ndërtuan në periudhën 1960-1978 Shqipëria u kthye në një kantier të madh ndërtimi, duke patur një zhvillim të madh ekonomik. Këto vepra , në sajë të ndihmës së cmuar të Republikës Popullore të Kinës bënë që Shqipëria nga një vend agrar i prapambetur të shndërrohej në një vend industrial në zhvillim. Në këto vepra kemi punuar ne të rinjtë që studjuam në Kinë që nga viti 1961 deri në vitin 1967. Pas diplomimit tonë inxhinierë në Kinë, ne u shpërndamë në të gjitha objektet industriale të ndërtuara nga Kina në Shqipëri, sipas profilit të studimit.
CMG: Ju sa vite keni studjuar në Kinë, në cilin qytet?
Loreta Bedalli: Unë kam studjuar në Institutin e Industrisë së Lehtë në degën inxhiniere kimiste për prodhimin e letrës, në Pekin. Ne ishim 5 vajza shqiptare që për një periudhë 5 vjecare studjuam në specialitete të ndryshme të inxhinierisë. Ndërsa vitin e parë, në periudhën 1961-1962 ne studjuam gjuhën kineze në Institutin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
CMG: Si vijoi jeta juaj pas kthimit në Shqipëri ?
Loreta Bedalli: Grupi ynë i vajzave u kthye në Shqipëri në vitin 1967 dhe filluam menjëherë punën në fabrika dhe uzina, sipas specializimeve tona. Shumë nga këto vajza punuan si drejtore fabrikash, kryeinxhiniere duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
CMG: Ju keni dhe një histori të bukur dashurie me Bujarin, djalin që u bë bashkëshorti juaj. Kësaj historie i keni kushtuar dhe librin “Një jetë me ty”, një botim në gjuhën shqipe dhe kineze . Duam të na flisni për librin dhe kujtime të tjera nga lidhja juaj me Kinën.
Loreta Bedalli: Libri im ” Një jetë me ty” u botua këtë vit në kuadër të 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës . Ky libër është një përjetim personal i imi dhe rrëfen historinë që nis në vitin 1961, kur unë dhe bashkëshorti im Bujar Bedalli pas studimeve në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë , shkuam në Kinë për studimet e larta. Në libër janë pasqyruar realisht ngjarjet e periudhës 6 vjecare kur ne ndodheshim në Kinë, por dhe marrëdhëniet miqësore midis shqiptarëve dhe kinezëve. Vitet kur ne studjuam në Kinë ishin periudha e lulëzimit të miqësisë midis dy vendeve tona, prandaj në libër kam folur për këtë miqësi që reflektohet nëpërmjet mikpritjes që kinezët na bënë ne studentëve shqiptarë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë mikpritje, por as miqësinë me bashkëstudentët kinezë dhe profesorët tanë.
Ky libër ndihmon lexuesin të njohë marrëdhëniet midis dy vendeve tona në aspektin ekonomik, kulturor dhe politik në atë periudhë. Librin e kam titulluar “Një jetë me ty” sepse ka dy kuptime. Së pari në libër kujtoj bashkëshortin tim Bujar Bedalli, kujtoj rrugëtimin tonë rinor në studimet në Kinë, por dhe vitet e punës pas kthimit në atdhe. Personazhet e librit janë realë dhe dëshmojnë për zhvillimet e asaj periudhe miqësie midis Shqipërisë dhe Kinës, por dhe miqtë tanë kinezë me thjeshtësinë dhe bujarinë e tyre, që vazhdon deri në ditët tona.
Së dyti, libri tregon se Loreta dhe Bujari gjatë gjithë jetës së tyre kanë qenë të lidhur ngushtë me Kinën. Bujari dha një ndihmesë të shquar për forcimin e miqësisë mes dy vendeve tona. Qysh nga viti 1992 deri në vitin 2015, kur ndërroi jetë Bujar Bedalli për 23 vjet ka qenë kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë. Jeta jonë ka qenë e lidhur me Kinën dhe kinezët dhe kjo është pasuruar me librin “Një jetë me ty”.
Zonja Loreta Bedalli, sot pensioniste është anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë.