Albspirit

Media/News/Publishing

Pompeo: SHBA të gatshme për dialog me Iranin

Administrata e Presidentit Trump mbetet e fokusuar në çështjen e Iranit dhe thotë se është e gatshme për dialog me udhëheqjen e këtij vendi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton nga Uashingtoni, ku përpara pushimeve të kongresit të javës së kaluar, ligjvënësit amerikanë u informuan mbi rrezikun që supozohet se përbën Irani për të gjithë Lindjen e Mesme. Pas disa javësh paralajmërimesh për kërcënime të menjëhershme nga Teherani, administrata e Presidentit Trump thotë se është e hapur për dialog. “Ne jemi të përgatitur të angazhohemi në bisedime pa parakushte. Jemi të gatshëm të bisedojmë me ta. Por përpjekja amerikane për të ndryshuar rrënjësisht veprimtarinë dashakeqese të republikës islamike [Irani], forcave të saj revolucionare, do të vazhdojë”. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i bëri këto komente gjatë një vizite në Zvicër, e cila përfaqëson interesat e Shteteve të Bahkuara në Iran dhe mund të shërbejë si ndërmjetësuese midis dy qeverive. Nga ana e tij, Irani vazhdon të minimizojë gjasat e një dialogu me Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa vazhdon fushata mediatike e administratës së Presidentit Trump kundër vendit islamik. Në një intervistë në programin “ABC This Week”, Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif tha se qasja e Presidentit Donald Trump mund të funksionojë në tregun të pasurive të patundshme, por “jo në trajtimin e Iranit”. “E kam thënë më parë. Kërcënimet kundër Iranit nuk funksionojnë. Asnjëherë mos kërcënoni një iranian. Provoni respektin, ai mund të funksionojë”. Ministri i Jashtëm iranian tha se i pëlqen që të ndjekë strategjinë e “paqartësisë” ndaj Presidentit Trump në lidhje me atë se çfarë mund ose nuk mund të bëjë Irani, por theksoi se Teherani nuk do të pengohet nga operimi në Gjirin Persik. “Ne e quajmë këtë vend Gjiri Persik për një arsye. Imagjinoni nëse Irani [forcat ushtarake iraniane] do të vinte në brigjet e Kalifornisë ose të Floridës. Si do të ndiheshit? Si do ta trajtonit këtë”? Administrata e Presdientit Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin. Sekretari Pompeo tha se qëllimi kryesor i Amerikës nuk ka ndryshuar. “Ne po bëjmë punën tonë për t’u siguruar që Irani kurrë nuk do të ketë armë bërthamore”. Muajin e kaluar, Sekretari Pompeo informoi ligjvënësit amerikanë, të cilët këtë javë kthehen në Uashington pas një pushimi një-javor, për kërcënimet nga Irani. Shumë ligjvënës republikanë vlerësuan shtimin e gatishmërisë nga administrata e Presidentit Trump kundrejt kërcënimeve iraniane si të kujdesshëm, ndërkohë që shumë demokratë thanë se Shtëpia e Bardhë rrezikoi fillimin e një konflikti tjetër katastrofik në Lindjen e Mesme./voa/

Please follow and like us: