Pse Enver Hoxha pushkatoi dhe arrestoi shumë anëtarë të familjes Kokalari?
Familja Kokalari njihet kryesisht për veprën e Musine Kokalarit, njëra prej shkrimtareve dhe grave të para shqiptare që u angazhua në politikë. Një sfiduese e regjimit komunist, dhe një nga vajzat më të emancipuara të kohës, që kishte studiuar në Itali letërsi të krahasuar dhe kishte botuar disa vëllime me tregime.
Ajo u arrestua me ardhjen e regjimit komunist me disa vite burg, e më pas u internua në Rrëshen, aty ku u detyrua të fshinte rrugët e qytetit. Pasi i pushkuatuan dy vëllezërit, Musineja u diagnostifikua me kancer gjiri megjithatë nuk u lejua të merrte mjekimet e duhura.
Edhe pse në varrimin e saj morën pjesë shumë pak njerëz, sot Musine Kokalari është qytetare nderi e Gjirokastrës dhe një nga figurat më të vlerësuara pas rënies së regjimit komunist në vend.
Por historia e familjes Kokalari shkon përtej Musines. Kjo familje ka pasur një numër personash të pushkatuar, të persekutuar, të dënuar dhe të internuar.
Edi Kokalari, një nga trashëgimtaret e familjes, edhe pse jeton prej 20 vitesh në SHBA, në vitet e fundit ka bërë disa përpjekje për të dokumentuar historinë e familjes së saj. Edi tregoi në “Opinion” se një kushërirë e saj që jeton në Gjirokastër, mblodhi të gjithë informacionet nga ku ajo kuptoi se të paktën 20 persona janë prekur nga regjimi, nga ku 5 ose 6 persona të kësaj familje janë pushkutuar, ndërsa të tjerë janë dënuar ose internuar. Shumë prej tyre madje kishin ndërruar jetë në burg.
Edi tregoi se Kokalarët e perseketuar janë kushërinj të afërt me Enver Hoxhën dhe të gjithë shtëpitë e pronat i kanë të përbashkëta. Ajo tregoi se vetë shtëpia ku lindi Enveri i përkiste Kokalarëve dhe palët njiheshin mirë me njëri tjetrin. Sipas saj, Enveri ka perseketuar njerëzit përreth vetes, ata që e njihnin mirë dhe që e kishin njohur para se të fitonte pushtet politik. Ajo shtoi se ishte mallkim ta njihje personalisht Enver Hoxhën.
Ajo tregoi se Besim dhe Montaz Kokalari, vëllezërit e Musines, kanë qenë përkrahës të Fan Nolit, por sipas saj ata janë vrarë vetëm sepse e njihnin mirë Enver Hoxhën.
Ndërsa lidhur me mllefin ndaj Musines, Edi tregoi se kanë dëgjuar shumë histori. Sipas fjalëve të familjes ai e ka dashur për grua, ndërsa Musineja e ka refuzuar duke e quajtur gomar.
Edi u ndal dhe tek disa histori personale të familjes nga ku tregoi se Enveri dënoi me burg, e pas lirimit nuk donte ta shihte as në kryqytet Fuat Kokalarin. Fuati, më i madh në moshë, e kishte shpëtuar njëherë Enverin nga zjarri kur ai kishte qenë i vogël dhe shtëpia i kishte marrë flakë. Sidoqoftë Enveri ishte ofenduar pasi Fuati nuk kishte ngritur kapelen apo nuk ishte ngritur në këmbë kur ai kishte hyrë në shtëpi.
Ajo tregoi gjithashtu se Enveri pushkatoi dhe Salim Kokalarin, pjesë e grupit të deputetëve. Sipas Edit ai ishte një njeri shumë i edukuar por u u pushkatua. Salimi i kishte dërguar një letër Mehmet Shehut ku kërkonte lehtësim të dënimit, por sipas Shehut kjo nuk ishte parë e arsyeshme.
Një tjetër i persekutuar ishte dhe Ëngjëll Emiri, nip i familjes dhe shoferi i Niko Spiros. Dy ditë para vetëvrasjes së Niko Spiros, 20-vjeçari u arrestua. Familja i dërgonte vazhdimisht ushqime, derisa një ditë morën vesh se e kishin vrarë. Eshtrat e tij nuk janë gjetur ende.
Edi tregoi se djali i Sami Kokalarit, Vera Kokalari, Skënder e Lufti Kokalari ishin të tjerë pjesëtarë të dënuar pa ndonjë arsye të mirëfilltë, por thjesht sepse njiheshin me Enverin.
Intervista e plotë në videon e mëposhtme: