Albspirit

Media/News/Publishing

Arlinda Morava: Përqasja ime në diasporë është arti

Sopranoja e njohur shqiptare Arlinda Morava po e bën Shqipërinë të njohur në Rumani me aktivitetin e saj artistik. Talenti dhe popullariteti i saj në botën e artit në Rumani i sjell një shërbim të çmuar Shqipërisë. Krenaria e saj për përkatësinë kombëtare manifestohet në çdo shfaqje ku ajo interpreton, ndërsa suksesi duket se  ndjek sa herë që ngjitet në skenën operistike dhe me dhjetëra role të kryeveprave botërore i kanë dhënë një vend të çmuar në art dhe kulturë. Arlinda është larguar në Rumani që në moshë të re, ku njohu edhe atë që sot është bashkëshorti i saj dhe në atë kohë ishte dashuria e parë. Kanë kaluar vite që atëherë dhe sopranoja shqiptare dhe instrumentisti rumun, që interpreton në RadioTelevizionin Shtetëror atje, tani kanë dy djem. Edhe pse ka vite që ka ikur, për Arlindën «atdheu është i mrekullueshëm dhe ajo nuk do pushon asnjëherë, duke e promovuar siç e ka promovuar prej kohësh, duke treguar nëpërmjet artit, kulturës dhe traditave, vlerat e bukura e të vërteta të vendit tonë”.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Ishte një vendim, ose më saktë, drejtim i marrë në një moshë të re nga nëna ime, pasi e kishte vënë re që kisha prirje për artin e bukur.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë një pune intensive, me përkushtim dhe dashuri, sepse, siç dihet, gjërat e bukura dhe aspak të thjeshta, kërkojnë durim, pasion dhe shpirt dhe, në shumicën e rasteve, edhe pak fat.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit ?

Siç u shpreha pak më sipër, dashuria dhe pasioni për atë që dëshiron dhe në qoftë se arrin t’i transmetosh publikut këto, për mua kjo, personalisht, është çelësi i suksesit.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj ?

Sfidat janë të paparashikueshme, në labirintet e jetës.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja ?

Ndihem e dobishme për këtë që bëj, pa u kthyer mbrapa, pasi gjërat në jetë i përkasin fatit, shansit dhe momentit. Jam person që kënaqem me çfarëdo që më dhuron jeta.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?

Vlerësimet e ndryshme nga personalitet e artit dhe të kulturës, nëpërmjet çmimeve të ndryshme që më kanë dhuruar gjate kësaj periudhe të karrierës sime artistike.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme,  të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Atdheu im është i mrekullueshëm, si dje dhe sot, dhe unë, personalisht, nuk do pushoj duke e promovuar siç e kam promovuar prej kohësh, këtu në Rumani dhe jo vetëm, duke treguar nëpërmjet artit, kulturës dhe traditave, vlerat e bukura e të vërteta të vendit tonë, shqiponjë.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 

Vetvetja, korrektësia dhe përkushtimi për të përballuar sfidat.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Nuk jam ndjere kurrë emigrante, Rumania dhe Shqipëria kanë qenë dy popuj që nuk kanë pushtuar askënd dhe nuk kanë “hyrë në shtepitë e askujt”. Na lidhin shumë data historike, nga antikiteti si dhe vazhdimi i rrugëtimit të pavarësisë sonë.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Duke treguar nëpër botë, identitetin, vlerat, traditat që janë karta jonë e vizitës.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Nuk i takon artisteve të merren me politikë, janë të perzgjedhur individët për të bërë politika

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 

Përqasja ime në diasporë është arti.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?

Duke mbrojtur identitetin tim si shqiptare, do vazhdoj të jap maksimumin në art, deri sa të kem frymë.

“The Albanian”  tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Të jemi krenare që jemi shqiptarë dhe t’i tregojmë botës vlerat që ne mbartim.
“The Albanian”

Please follow and like us: