Albspirit

Media/News/Publishing

Klentiana Mahmutaj, shqiptarja e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Londër

Klentiana Mahmutaj, Shqiptarja e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Londër

Nuk ishte shumë e papritur për shumëkënd, që në faqet e “Telegrafit” anglez të shihnin emrin e saj. Madje edhe historia e publikuar ngjallte një krenari për lexuesit shqiptarë. Klentiana Mahmutaj, një barristere shqiptare e suksesshme këtu në Mbretërinë e Bashkuar, shprehet se fëmijëria e saj i përket kohës së komunizmit.
E lindur në Shqipërinë komuniste në fund të viteve shtatëdhjetë dhe është rritur atje deri në moshën 19 vjeç, kur siguroi një bursë për të studiuar në një universitet anglez.
Vazhdimisht përballet me sfidat që vijnë si nënë, por kërkon edhe të ketë sukses në një profesion të vështirë pune. Frymëzuar nga debati i vazhdueshëm mbi pabarazitë e grave, ka reflektuar kohët e fundit në lidhje me politikat e fëmijërisë dhe ka dalë në një përfundim surprizë se zgjidhja e pabarazisë gjinore mund të gjendet në modelin komunist.
Në faqet e “Telegrafit” anglez i parashtron edhe stacionet e udhëtimit të saj, duke e përshkruar fëmijërinë në komunizëm.
Ajo kujton si tani radhët me orë të tëra kur dilte me gjyshen për të blerë ushqime me racion. Radhët e gjata shoqëroheshin me biseda të shumta dhe i kishte qejf bisedat me zonjat e moshuara.
Familja e saj jetonte në Tiranë, në një shtëpi të vjetër, me një kopsht të madh. Kur ishte tetë vjeçe, për fat të keq, shteti konfiskoi shtëpinë dhe u dha si këmbim një banesë në pallat parafabrikat. Shtëpia u shkatërrua për të ndërtuar në vend të saj blloqe pallatesh parafabrikate që ofronin më shumë strehim. Çdo gjë i përkiste shtetit.
Në shkollë ishin mësuar të adhuronin Enver Hoxhën, udhëheqësin e vendit dhe Kryetarin e Partisë së Punës së Shqipërisë, pasardhësen e Partisë Komuniste. Kjo vazhdoi madje, edhe pas vdekjes së tij, në vitin 1985. Një pjesë e programit shkollor dënonte kapitalizmin dhe Perëndimin, gjë që ne të gjithë e bënin pa hezitimin më të vogël. Muret e klasës ishin të zbukuruara me slogane të pikturuara bukur si: “Feja është opium për popullin”, apo, “Lavdi marksizëm-leninizmit”. Në atë kohë ajo nuk dinte asgjë për fenë, drogën apo teoritë politike, megjithatë, i pëlqente shkolla.
Shkëlqeu në aspektin akademik dhe u nderua me “Yllin e Kuq Komunist” që në klasën e parë dhe më vonë u bë “Pioniere e Enverit”, që do të thoshte se mund të mbante shallin e kuq të pionierit. Ajo e mbajti atë me krenari, kryesisht sepse i pëlqente ngjyra. Por jeta nën komunizëm nuk ishte aq e lehtë për prindërit e saj.
Ata të dy punonin shumë për të siguruar një jetë të mirë si dhe për edukimin e saj dhe motrës së vogël. Fakti që çdo formë ndërmarrjeje private ishte e ndaluar në Shqipëri, nuk i stepi ata që të paguanin privatisht për mësimet e italishtes që në moshën 6 vjeçe. Babai i saj sidomos e kishte urryer gjithmonë komunizmin, shtypjen ideologjike që vinte prej politikave të tij, mbytjes së lirisë dhe trajtimit mizor të atyre që besuan në fjalën e lirë dhe nuk u pajtuan me partinë.
Ai i kishte dashur gjithnjë për t’u larguar në Perëndim që në adoleshencë, por nuk e beri një gjë të tillë, sepse kishte frikë pasojat e mundshme për pjesën tjetër të familjes, që do të mund të përfshihej në internime, ekzekutime, ose, së paku, në izolim shoqëror. Sakaq, në dhjetor të vitit 1990 prindërit e saj ishin ndër të parët që u bashkuan me mijëra shqiptarë dhe protestuan publikisht kundra regjimit në rrugët e Tiranës.
unnamed (2)Ajo filloi studimet për drejtësi në Britani, pas një viti në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Por zbulojë shumë shpejt se i tërhiqte arti i avokatisë, ku këtu në ka një traditë disa shekullore. Pas studimeve për master dhe disa stazheve në Londër dhe Strasbourg, më në fund mblodhi kurajon dhe ja nisi kursit të avokatisë .
Pasi përfundojë kursin e avokatisë që është një vit tjetër i plotë akademik, në fakt nuk kishte asgjë të garantuar për sa i përket punës.
Kjo e bënte më tepër sfiduese këtë përpjekje , prandaj stadi tjetër ishte të siguronte “pupillage”, ose e thënë ndryshe vitin e trajnimit në Dhomën e Avokatisë. Konkurrenca ishte e tmerrshme dhe shanset për sukses ishin të vogla. Por fatmirësisht, dy muaj pasi mbaroj kursin dhe pas rreth 20 intervistash ju bënë dy oferta. Klentiana mori vesh më vonë se në zyrën ku filloj trajnimin kishin qenë 800 kandidatë për tre vende, gjë që e shtoi peshën tek ajo për t’ia dalë mbanë.
Serish përfundimi i trajnimit me sukses nuk të garantonte vend të përhershëm në atë dhomë. Kështu që përpjekjet vazhduan dhe më në fund arriti të siguronte vendin e përhershëm, në një dhomë tjetër avokatësh. Në këtë dhomë punon aktualisht prej 7 vjetësh.
Gjatë kësaj periudhe, përveç ushtrimit të profesionit si avokate, ka dhënë leksione dhe botuar libra e artikuj akademik mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare. Prandaj edhe akademia, ka qenë një stacion plotësues që ka zgjedhur ta ketë megjithë kohën e madhe që i merr kur është pothuaj çdo ditë në gjykatë.
Gjatë intervistës ajo e konsideron si çelësi suksesi faktin se ka zgjedhur të bëj gjithnjë atë që do dhe jo atë që të tjerët mund ta konsiderojnë si më të vlefshme apo me fitimprurëse, pavarësisht pasionit profesional.
Kyç ka qenë për të edhe inkurajimi i prindërve, që gjithmonë kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë te ajo, sikurse që mendojnë se mund të arrij gjithçka që do Elementët e tjerë të cilët kanë ndihmuar atë në rrugën drejt suksesit ajo i përmbledh me një fjalë të zakonshmet: si puna, besimi tek vetja, përkrahja e bashkëshortit dhe pak fat patjetër.
Kur vijmë në pyetjen se çfarë është atdheu për të, ajo shprehet se në një plan personal atdheu për të është vendi ku ka marrë dashuri dhe inkurajim pa fund, në radhë të parë nga prindërit, por edhe nga mësueset dhe miqtë. Ajo shprehet se është vendi këngët e të cilit ja këndon të birit sot. Por është gjithashtu edhe vendi ku ajo ka kontribuar profesionalisht dhe do dëshironte të kontribuonte edhe më shumë. Detyrimi shprehet ajo është sa shpirtëror aq edhe moral.
Për sa i përket bashkëpunimit brenda komunitetit tonë në Britani ajo thotë se në fillimet e saj profesionale bashkëpunimi me komunitetin shqiptar ka qenë minimal, por me rritjen e numrit të shqiptarëve në profesionin ligjor, bashkëpunimi është rritur.
Ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe shpreson që të vazhdojë. Ka pasur kontakte dhe me të rinj shqiptarë që aspirojnë të bëhen barister, apo avokatë në Britaninë e Madhe dhe është përpjekur të ofroj ndihmën e saj modeste. Sa më shumë si ne thotë ajo , aq më mirë për komunitetin shqiptar dhe imazhin tonë në Britani.
Mesazhi i saj për shqiptarët në Britani është :Punoni shumë, të jeni mirënjohës për mundësitë që ju janë dhënë dhe të jeni dashamirës ndaj njëri-tjerit. Në këtë mënyrë nuk ka asnjë arsye që komuniteti shqiptar të mos ketë prezencë të rëndësishme në jetën britanike.

Please follow and like us: