Nermin Kumanova: Arsimi në gjuhës shqipe, sfida e qeverive shqiptare për diasporën
Nermin Kumanova, lindur në Namur- Belgjikë, nga prindër shqiptarë, emigrantë në vitet 50-të, me angazhime të hershme politike e sociale, kandidate disa herë për në senatin belg dhe për Parlamentin Europian. Aktualisht këshilltare komunale në Namyr dhe kandidate për parlamentin belg në zgjedhjet e 26 majit në Belgjikë. Prej tre mandatesh 6-vjeçare, është sot një shembull pozitiv dhe për t’u admiruar mes qindra grave e vajzave shqiptare mes diasporës sonë në Belgjikë. Duke kapërcyer jo vetëm paragjykimet por edhe mundësitë dhe sfidat e shumta, Nermini, e ushqyer në familje me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, ruan me fanatizëm origjinën shqiptare, nga Kumanova, sepse për të, “Atdheu është vendi i paraardhësve, vendi nga ku kemi rrënjët dhe është shumë i shtrenjtë”. Si aktiviste politike e sociale, si bashkëshorte, si nënë tre fëmijëve, nuk kërkon asgjë më shumë nga qeveritë shqiptare të Kosovës e Shqipërisë, veçse “të angazhohen më shumë në arsimin e gjuhës shqipe në të gjithë diasporën shqiptare për të dhënë mundësinë që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe ashtu si duhet. Kjo është një sfidë e vërtetë për gjeneratat tona të ardhshme”.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Nuk mundem të konsideroj si një profesion angazhimin tim politik dhe politika nuk bënë pjesë në të menduarit tim dhe në filozofinë time personale. Përveç punës time profesionale, unë kam angazhimet e mia sociale/shoqërore, që nga mosha 16 vjeçare, në organizata si “Amnisty International”, sindikatat belge, në shoqatat për të drejtat e njeriut dhe mund të them se ky është një angazhim shpirtëror imi, më të cilin edhe jam rritur dhe edukuar.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Kam pasur momente të cilat kanë shënjuar udhëtimin tim personal apo jetësor si në të mirë, po ashtu edhe në të keq, por mendoj që të dyja bëjnë pjesë në jetën e çdo njeriu. Si momente kyçe, të cilët kanë mbetur në kujtimet e mira, shoqëruar edhe me një eksperiencë të mirë, mundi të përmend disa, si për shembull: Kam qenë njëra ndër kandidatet më të reja ( 22 vjeçare ) në zgjedhjet e Senatit Belg, pra isha kandidate për Senatore në vitin 2002, pastaj në vitin 2004 dhe 2009 isha kandidate për eurodeputete në Parlamentin Evropian. Ishin momente shumë të pasura për mua si një vajzë tepër e re.
Ka pasur në këto kohëra edhe momente të cilat nuk kanë qenë të lehta, për mua si një vajzë e re dhe mbi të gjitha me një emër si timin, pra Kumanova, dhe në një kohë kur femrat shqiptare nuk konsideroheshin edhe aq mirë…por me punë dhe me seriozitet jam munduar që t’i tejkaloj të gjitha këto vështirësi. Është e vërtetë që nuk ia kam arritur të fitoj, por kam hapur rrugët për emancipimin e shqiptarëve dhe mundësinë që rinia të angazhohet.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Unë nuk i trembëm punës dhe mendoj se me punë dhe vullnet të mirë i arrijmë të gjitha. Pra çelësi i çdo suksesi unifikues është puna e ndershe për çdo njeri. Pra, unë punën mundohem ta bej me nder, përgjegjësi dhe krenari, njëkohësisht. Mendoj se çelësi është bindja, pasioni dhe angazhimi afatgjatë.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Është e vërtetë, se edhe pse jam lindur në Belgjikë, përsëri emri im tregon atë së rrënjët e mia janë diku tjetër dhe jo në Belgjikë, kështu që në sytë e një belgu unë mbetëm një e huaj dhe për të arritur diçka duhet të bëj dyfishin ose më tepër dhe të zë vendin që duhet të më takojë. Kam pasur edhe vështirësi nga familja ime dhe të afërmit e mi, sepse në kohën kur unë kisha filluar të merresha me aktivitetet e mia, mund të them se kishte pak, ose aspak femra shqiptare që ishin vazhdimisht në kontakte me qytetarë të ndryshëm. Pra, kisha një presion nga të dyja anët, nga familja, por edhe nga shoqëria belge. Por nuk duhet kurrë të largohemi nga ideali që kemi, pavarësisht presioneve apo vështirësive.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Edhe pse nuk është fare e lehtë, jam munduar që të mbaj bilancin e jetës normale në fillim si vajzë e re, me plot energji për të ndryshuar botën në të mirë, por edhe si një vajzë shtëpie me tradita, ashtu sikurse më kanë edukuar prindërit. Në anën tjetër, mundohem t’i përmbush obligimet e mia si bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, të cilët janë në moshë shumë të vogël, vajza 7-vjeçare, djali 6-vjeçar, dhe vajza e vogël 3-vjeçare.
Pra, deri me tani, mendoj, se bilanci i të kaluarës time është në një nivel të jetës normale dhe mbi të gjitha të gjejmë një ekuilibër mes të gjitha këtyre angazhimeve.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Kam filluar me zgjedhjet komunale ne vitin 2006, për mandatin e parë 6 vjeçar, pastaj në vitin 2012 dhe së fundi me fitoren e tretë në vitin 2018, si këshilltare komunale në qytetin e Namur. Të rizgjidhesh pa ndërprerje në 3 mandate nga 6 vite, për mu kjo është një triumf. Gjithashtu mbajtja e ekuilibrit në angazhimet familjare.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Familja ime e gjerë ka një të kaluar trishtuese, të cilët ishin të obliguar të largoheshin nga Kumanova për të imigruar në Turqi në vitet ‘50, ku për fat të keq shumë shqiptarë kanë përjetuar këtë tragjedi të hidhur.
Unë kam qenë në Shqipëri, Maqedoni, në Kosovë ku edhe jam e martuar me një djalë me origjinë nga Rahoveci. Atdheu është vendi i paraardhësve, vendi nga ku kemi rrënjët dhe është shumë i shtrenjtë për mua. Edukata dhe vlerat që ne japim fëmijëve tanë, janë të lidhura shumë me atdheun.
“Dashuria për atdheun është topi që shkatërron edhe kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë.”, thotë Sami Frashëri
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Sikurse edhe e ceka më lart, familja ime ka një të kaluar të hidhur, por ruajtja e traditës shqiptare më ka mundësuar të jem një nënë shqiptare. Unë çdo herë kam kërkuar emancipimin dhe barazinë që na takon dhe nuk kam pranuar që të konsiderohem si një person i dorës së dytë.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Sikurse në studime ashtu edhe në jetën politike / shoqërore, shumë herë është ardhur në pyetje origjina ime dhe mund të them se kam pasur edhe pengesa sidomos në nivelin e studimeve por edhe në fillimin tim në jetën politike.
Unë nuk jam emigrante, nuk e konsideroj veten si emigrante dhe nuk e lejojë dikë tjetër të më konsiderojë si emigrante, sepse jam lindur këtu, jam rritur këtu dhe jam rritur në shoqërinë belge. Në historinë time, emigrant mund t’i themi prindërve të mi dhe jo mua apo fëmijëve të mi të cilët, po ashtu, janë lindur në Belgjikë.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Për shqiptarët në diasporë duhet të vazhdojmë t’i mbajmë tubimet historike si 28 Nëntori, 7 Marsi, Pavarësinë e Kosovës, …këto evenimente janë të rëndësishme për unifikimin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar. Për mua interesat personale nuk munden të jenë para interesave atdhetare.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Bashkimi i shqiptarëve në një Shqipëri. Bashkimi bënë fuqinë. Interesi dhe veprimi kolektiv përtej vetes.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Mendoj se Samiti i Diasporës që organizohet nga qeveritë shqiptare është një nismë shumë pozitive dhe e mirë për bashkimin e diasporës. Viti 2018 ishte Viti i Heroit tonë Kombëtarë Gjergj Ksatriotit / Skenderbeut ku kemi bërë aktivitete të ndryshme në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Për mua, gjëja më e rëndësishme është që qeveritë shqiptare, të angazhohen më shumë në arsimin e gjuhës shqipe në të gjithë diasporën shqiptare për të dhënë mundësinë që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe ashtu si duhet. Kjo është një sfidë e vërtetë për gjeneratat tona të ardhshme.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Hahaha,… këtë do e shohim pas 26 majit, dita e zgjedhjeve.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Në jetë ekzistojnë dy kategori individësh, ata që shikojnë botën ashtu siç është dhe pyesin veten “pse” dhe ata që thonë “pse jo”?
Unë gjithmonë besoj në thënien e Naim Frashërit: “Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”. Ju faleminderit!