Albspirit

Media/News/Publishing

Krimet e Rënda për përgjimet: Jemi drejt zbardhjes, faktet e publikuara dëmtojnë vijimin e çështjes

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të reja nga gazeta gjermane “Bild” ku përfshihen në biseda disa përfaqësues të PS dhe Astrit Avdylaj. Përveç disa veprave të tjera penale, Krimet e Rënda po hetojme edhe për ndikim në rezultatin zgjedhor në vitin 2017 pasi ka dyshime se zyrtarë në Lezhë e Durrës kanë ndikuar në zgjedhje.

Ndërkohë Krimet e Rënda deklarojnë se faktet e publikuara sot në media dëmtojnë vijimin e çështjes. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake.

“Ky hetim është regjistruar pasi në disa media janë publikuar të dhëna sekrete që dëmtojnë rëndë hetimin e procedimit penal. Më datë 01.02.2019 nga ana e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, është vendosur që ky hetim të kryhet nga grup hetimor i përbërë nga tre prokurorë, duke i shtuar grupit hetimorë ekzistues dhe një prokuror dhe një oficer tjetër të policisë gjyqësore të Prokurorisë, për rritjen e efikasitetit të hetimit.

Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake. Në kuadër të këtij hetimi ju njoftojmë se po hetohen 74 persona me masa sigurimi të ndryshme, për vepra penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” “Trafikim i narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Korrupsioni aktiv/pasiv i funksionarëve të lartë, ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal.

“Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për veprat penale “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, pasi gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësueve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës. Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë”.

Krimet e Rënda ngrenë shqetësimin se faktet e publikuara ditën e sotme në mediat dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tëpër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshmë të hetimeve në këtë procedim penal.

Aktualisht njoftojmë opinionin e gjerë se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, është drejt zbardhjes së plotë të të gjitha fakteve penale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të çdo vepre penale që do të konkludohet nga ana e prokurorëve se është kryer në kuadër të këtij procedimi penal ashtu sikurse nuk ka hezituar të godasë dhe subjekte të tjera të përfshirë në krimin e organizuar në kuadër të procedimeve të tjera penale”, përfundon njoftimi./b.l/noa.al/

Please follow and like us: