Albspirit

Media/News/Publishing

Europa i mbyll dyert qeverisë shqiptare

Arben Rrozhani

Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok u shpreh sot në dhomën e ulët të parlamentit të Holandës se qeveria e këtij vendi i ka dyert e mbyllura për Shqipërinë dhe do të votojë kundër hapjes së negociatave. “S’jemi të interesuar për hapjen e dyerve të Shqipërisë. Isha i qartë në fjalim. Qeveria jonë i ka dyert e mbyllura për Shqipërinë’.

Deklarata e kryediplomatit holandez është parathënie e vendimit që do të marrë Mbretëria e Holandës për Shqipërinë, e cila së bashku me Maqedoninë e Veriut pret një ‘po’ nga shtetet anëtare të BE-së.

Qëndrimi refuzues i Holandës ndaj Shqipërisë, jo vetëm për hapjen e negociatave, por edhe për atë arritje të vitit 2010, lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen, u duk që në prillin e kaluar, kur parlamenti votoi për rikthimin e vizave ndaj shqiptarëve, për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve në vend dhe rritjen e krimit të organizuar shqiptar. Kjo tani është bërë zyrtare, pasi Holanda e dorëzoi kërkesën në Bruksel dhe pritet vendimi nëse do të pranohet apo jo.

‘Zgjidhja’ e kishte paralajmëruar një reagim të tillë që ndëshkon jo qeverinë, por popullin shqiptar. Politikanët holandezë, pa dorashka, e thanë një vit më parë në Tiranë se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave me BE-në. Ky ishte një mesazh politik. Edhe kërkesa për rikthimin e vizave për shqiptarët në Holandë, ishte vendim politik dhe i drejtohej po qeverisë shqiptare, e cila nuk ka bërë asnjë përpjekje që të ndalojnë eksportimin e krimit të organizuar shqiptar, trafikun e drogës që lulëzoi vitet e fundit si dhe korrupsionin në administratën shtetërore.

Por, për fat të keq, Holanda nuk është vetëm në këto vendime që rikthejnë izolimin për shqiptarët, ndërsa ëndrra e integrimit europian venitet, vit pas viti.

Pak ditë më parë, gazeta më e madhe austriake, “Die Presse” shkruante se ambasadorët e vendeve anëtare në BE paralajmëruan Komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn se disa nga vendet e BE-së nuk e duan zgjerimin e unionit. ‘Duke qenë se ky vendim kërkon unanimitetin e 28 vendeve të BE-së, është përjashtuar mundësia që të dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE para verës’- shkruante “Die Presse”.

Përveç Holandës skeptike dhe akuzuese, edhe Franca e kundërshton fuqimisht hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet.

Media e njohur austriake parashikoi edhe atë që ndodhi dje në Danimarkë, ku fituan socialdemokratët që janë kundër emigracionit. Dje ata u rikthyen sërish në pushtet pas katër viteve në opozitë dhe kryeministrja e ardhshme, 41-vjeçarja Mette Frederiksen, deklaroi se: “Tani, pasi populli danez e tha fjalën e tij, detyra jonë është të krijojmë qeverinë e re. Kemi mundësinë ta kthejmë Danimarkën në një kurs të ri”.

Ndërkohë edhe Gjermania të japë një mendim nga fundi i shtatorit, kur të rimblidhet Bundestagu, pas pushimeve të verës, siç deklaroi pak ditë më parë udhëheqësi i grupit parlamentar të CDU / CSU, Johann Wadephul.

Pas publikimit të progres-raportit më 29 maj, kur Komisioni Europian rekomandoi sërish hapjen e negociatave për Shqipërinë, përfaqësues të shumicës qeverisëse në Shqipëri thanë se ‘vendimi do të merret brenda vitit’, duke nënkuptuar se vendimi final nuk pritet që të merret nga Parlamenti Europian në fund të këtij muaji. Por qoftë edhe në shtator, ky vendim është parathënë, nga të paktën 4 shtete anëtare dhe është një ‘JO’ e madhe. Një mesazh politik për politikanët e Tiranës, që nuk duan të ndryshojnë asgjë nga rregjimi që kanë ngritur dhe që e mban vendin gjithnjë e më larg Europës.

Please follow and like us: