Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Miq rilindas, aty e keni Luftarin!

Image result for prokuroria e pergjithshme

Kur pashë se prokurorja e përgjithshme kërcënon shtypin e lirë për nxjerrje të sekretit hetimor etj., mu kujtua ai skeçi i estradës së Fierit në kohë. Dhe për më tepër që e interpreton Luftar Paja një artist i madh por edhe një rilindas i madh. Me pak fjalë fshatarit Luftar i kishin vjedhur lopën dhe ata përreth fqinjët, i shkuan ta ngushëllonin. Dhe të gjithë në vrimë i binin fyellit, ke faj, jo po ta dish që ke faj. Ta kishe mbajtur një qen! Ta kishe lidhur lopën me litar deri tek gjunjët e tu. Zgjuar të rrije dhe sytë katër t’i bëje etj. Dhe gjynahqari që i shikonte si gjynahqar tipik, tundi e tundi kokën deri sa fund ia plasi e tha:

-Po mirë ore, ai që e vodhi nuk ka faj fare? Dhe kjo puna e prokurores sonë. Eshtë me plot gojën një kërcënim i hapur dhe kjo e ka një arsye. Përpjekja me çdo mjet për të mbajtur pushtetin. Dhe ta mendosh që një kuadro si kjo ka vënë kandidaturën për Spakun, për të qënë në krye të atij institucioni mbi drejtësinë, këtë ëndërr imagjinare të shqiptarëve, reformën e madhe. Nga ana tjetër flasin për imazhin e prishur të Shqipërisë nga ca protesta, ndërkohë as që e mendojnë se çfarë përbën për korridoret e institucioneve europiane një shkresë e tillë. Eshtë një nga ato metoda e sulmit me kundërsulm ndaj jo rastësisht sot gazeta gjermane Bild u përcillet shqiptarëve si një organ i dështuar dhe konfrontist. Nga ana tjetër duan të heqin vëmendjen nga një fakt ligjor atë që vjedhja e votës ndëshkohet. Sido që ta sorollasin nuk i shmangen dot asaj që shumë shpejt edhe Edi Rama meriton të jetë në radhën atyre që ata sulmojnë për korrupsion dhe si shkatërrues të Shqipërisë, si Sali Berisha, Lul Basha apo Ilir Meta. Dhe jo vetëm për këtë…, gjithë këtë kohë janë çjerrur për korrupsionin e Lul Bashës në rrugën e kombit, ndërsa vetë kanë thyer rekordet me shifrat e tenderimit. Kjo i ka bërë nevrastenikë në gjithçka, aq sa lufta është bërë frontale, armiku i radhës është nxjerrja e përgjimeve nga shtypi i lirë. Ky është një kërcënim i hapur për kapjen e shtetit, lirisë së fjalës dhe gjithçkaje të lirë. Por është fare e thjeshtë pa u futur marrëdhëniet shtyp, shoqëri, shtet.

Aty e keni moralin e fshatarit Luftar me lopën. Shikojeni dhe pastaj jepini përgjigje publike se kush e ka fajin, Luftari që nuk mbante një qen apo ai që vodhi lopën e Luftarit?

 

Please follow and like us: