Reshat Kripa: Shokut tim Jorgo Besho
Kushtuar shokut tim të fëminisë dhe burgut, Jorgo Beshos, vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jetën bashkë e filluam, ende kur ishim fëmi,
Bashkë luanim sylla mbylla, nuk na trazonte njeri.
S’kishim halle as dhe brenga, luanim edhe këndonim,
Zërat seç buçisnin fortë, botën donim të pushtonim.
Vitet rrodhën porsi lumë, porsi lumë prej kristali,
Ëndrrat tona djaloshare, askërkush më nuk i ndali,
Ëndërruam dhe luftuam, për lirinë e dëshëruar,
Së bashku me Myrtezanë, shokun tonë të paharruar.
Por përpara ish pantera, pantera e zezë mizore,
Që na grabiti rrëmbyshëm e na ndau nga jeta prore,
Na lëndoi, na sakatosi, na vërviti mes të ferrit,
Ku sundonin pa mëshirë, tre gojët e Luçiferrit.*
Zemra jote shumë e fortë, zemra jote shumë e zjarrtë,
U ngrit dhe kundër Zeusit, plot me flatra krah të artë,
Hape krahët fluturove, lart në qiellin e nxirë,
Dhe e ndale vrullin tënd, atje në botën e lirë.
Por Atroposi** mizore, nuk të la që të gëzoje,
Të shkëlqeje, të tregoje, aftësitë arbërore,
Kur arrite majë malit, kur shpërtheve ti në jetë,
Të preu fijen e jetës, të mbylli në varr të shkretë.
Ike me zemër të plasur, për atdhe dhe për liri,
Për ato kishe luftuar, me plot zjarr në Shqipëri.
Ike pa i patur pranë, familjen dhe shoqërinë,
Larg në botën e lirë, që të rrëmbeu rininë.
Jorgo, shoku yn i dashur, Jorgo, shoku yn i parë,
Përgjithmonë të kujtojmë, të kujtojmë ty me mall,
Unë bashkë me Myrtezanë, që të dy pleq të moshuar,
Shokun e rinisë nderojmë, shokun tonë të paharruar..
* Sipas Dantes dikur ishte engjëlli i mrekullueshëm që udhëhoqi kryengritjen kundër perëndisë. Për këtë u përzu nga qielli në thellësitë e tokës. U shndërrua në djall përbindësh me tre gojë dhe u bë mbret i Ferrit.
** Sipas mitologjisë ishte njëra nga tre hyjneshat e jetës. Lakezis endte fillin e jetës, Klotoja mblidhte lëmshin ndërsa Atroposi e priste atë fill.