ALBRIGHT NË KOSOVË NË 20 VJETORIN E LIRISË
-Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright në 12 Qershor në Sheshin “Sknderbeu” në Prishtinë në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë/
-Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999, organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe nga komunat/ Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 9 Qershor 2019/ Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, në 11 vjetorin e pavarësisë. Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
“Në 12 Qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, deklaroi sot Këshilli Organizativ.
Njoftimi i dërguar thekson se, ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright edhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Sekretaren Albright për kontributin e saj të vazhdueshëm për paqe dhe liri në Kosovë”, shprehet Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Albright ishte gruaja e parë në postin e Sekretares së Shtetit të SHBA-së. Në këtë detyrë, ajo ka shërbyer nga viti 1997 deri më 2010.
Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999, organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe nga komunat.
Prishtina edhe me panair libri po shënon 20 vjetorin e lirisë. Përmbyllet sot Panairi i librit “Prishtina 2019”, edicionin e 21-të, i hapor në 5 Qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për festimet e 20 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit kosovar.
Në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, në 12 Qershor në mesditë mbahet Akademi solemne dhe ndahen dekorata në sallën e Asamblesë Komunale, në mbrëmje mbahet Koncerti i Lirisë i shoqërive kulturore-artistike prizrenase dhe Ansamblit Popullor të Tiranës në Sheshin Shatërvan. Para mesnate bëhet edhe lëshimi i fishekzjarreve festive nga Kalaja e Prizrenit.
ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË
PRISHTINË, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.
Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.
Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.
“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.
“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.
Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.
Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.
“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.
Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.
“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.
Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.
“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.