Emil Asdurian: Erdh… dhe s’prita të ndalet
Dëshira nuk më priti ta pyesja,
kërceu më këmbë
e hovin e saj hodhi mbi mua me një frymë,
si flutur u soll përreth krahë rrahur
valëvitur si buzëqeshja, si ai gëzim drite
nga sytë q’e mekur kërciti kur u thye,
se vërtet tjetër s’kish veç
asaj ujvare lumturie
që n’ajer e bëri të kërcejë pa e prekur
si një shtojzavalle e magjepsur!
N’atë të pathënën,
se m’e mirë se ajo s’kish,
as n’ate të padëgjuarën,
se brenda meje ish e aty e lindur rrihte,
në më të pamenduarën,
se ç’si rrënjë sythëzoi në çdo ndjenjëzë,
se shqisat ende pa ardhur t’i prekë e njohën,
si nënën q’e ngjizi, më së pari
në shpirt të vet!
Erdh… dhe s’prita të ndalet.
Please follow and like us: