Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: Vendimi i firmosur i Metës, KQZ nuk ka tagër për ta rrëzuar

Në një interpretim për “Shekulli”-n, av. Kola thotë se vendimin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, mund ta kthejë vetëm Gjykata Kushtetuese. KQZ-ja ka vetëm detyrë ta zbatojë, në të kundërt anëtarët kryejnë vepër penale

Lindita Bushgjokaj

Avokate Margarita Kola, në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon nga pikëpamja juridike vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, Kola thotë se: “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 90 pika 1 dhe 3 nuk mban përgjegjësi përpara një institucioni tjetër, sepse i vetmi që interpreton kushtetutshmërinë e dekretit është Gjykata Kushtetuese”.

Znj.Kola, si e gjykoni vendimin e Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit?

Me daljen e vendimit të Metës ka pasur një diskurs intensiv të tipit politik, duke anashkaluar diskutimi ligjor. Nga pikëpamja ligjore, presidenti i Republikës së Shqipërisë është garant i Kushtetutës dhe përfaqëson unitetin kombëtar. Në këtë frymë analizohet Kushtetuta. Presidenti ka të drejtë të nxjerrë dekrete. Neni 92,93, dhe 90 pika 1 dhe 3 i Kushtetutës i garantojnë Presidentit përcaktimin e datës së zgjedhjeve nëpërmjet një dekreti, nxjerrjen e dekreteve në vetvete. Dhe nga ana tjetër, Presidenti i Republikës së Shqipërisë bazuar në nenin 90 pika 1 dhe 3 nuk mban përgjegjësi përpara një institucioni tjetër, sepse i vetmi që interpreton kushtetuteshmërinë e dekretit është Gjykata Kushtetuese. Gjatë këtyre ditëve flitet, nëse Presidenti ka të drejtë apo jo? Presidentit këtë të drejtë ia jep Kushtetuta. Të drejtën për ta interpretuar e ka pushteti gjyqësor. Dhe këtë detyrë e ka Gjykata Kushtetuese.

Po në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese…?

Unë i përkas shkollës së mendimit dhe ndoshta jam një nga avokatët e parë që e kam artikuluar edhe në media, se një nga të metat e reformës në drejtësi ishte lënia e vendeve vakante, siç ka ndodhur me Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Pra, do të duhet të ishte parashikuar që në fillim të reformës, ndoshta nuk do vinim në këtë moment. Më pas, ka ndërhyrë politika. Nuk dua t’i futem faktit se kush e vonoi Gjykatën Kushtetuese, por dua të dal te pasoja. Jemi pa Gjykatë Kushtetuese, dhe në këto raste, asnjë institucion tjetër nuk mund të gjykojë dot dhe të shprehet mbi dekretin e Presidentit.

Sipas jush, në cilat situata ka të drejtë Presidenti për të anuluar datën e zgjedhjeve?

Shpjegimi që dhashë deri tani ishte vetëm teknik dhe ligjor. Gjithë fryma e Kushtetutës i jep të drejtë Presidentit që të shtyjë datën e zgjedhjeve ose ta zhdekretojë datën në dy situata: Së pari, kur është e jashtëzakonshme. Së dyti, kur këtë e kërkojnë partitë politike me marrëveshje. Unë nuk dua të përsëris atë që mund të kenë përmendur disa juristë, por ka pasur precedentë të tjerë kur janë shtyrë zgjedhjet nga presidentë të mëparshëm. Në këtë aspekt ne kemi precedent, që do të thotë: në rastin konkret nuk kemi pasur një marrëveshje midis partive, por jemi në frymën tjetër, që Presidenti e ka bërë këtë për shkak anormalitetit të situatës.

Si e shikoni përplasjen e kompetencave ligjore midis Presidentit dhe Kryeministrit? A është ky një mentalitet pengues në zgjidhjen e krizës?

Për të qenë e sinqertë, unë mendoj se partitë politike i dinë kompetencat e secilit institucion, por ne kemi një mungesë të theksuar të kulturës politike dhe të demokracisë së funksionimit të institucioneve. Më vjen keq ta them, por jemi një popull bajraktar dhe nëse e duam pushtetin, e duam me të gjitha institucionet e tij. Mendoj se janë shumë të qartë, që Presidenti e ka këtë tagër sepse është kryetari i shtetit dhe garant i unitetit kombëtar. Unitet kombëtar, do të thotë që palët të bien dakord për të mirën e vendit të tyre. Presidenti ka bërë detyrën që thotë Kushtetuta në nenin 1. Duke qenë se situata tensionohej në rritje, do vinte një moment që Presidenti i Republikës të shprehej për situatën dhe datën e zgjedhjeve. Gjykoj, se të njëjtët persona që mendojnë se vendimi i Presidentit është antikushtetues, do thoshin të njëjtën gjë nëse në Shqipëri do të ndodheshim përpara një krizë civile.

Si e gjykoni sjelljen e KQZ-së, pas vendimit të Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve?

Më vjen keq që do më duhet t’i përgjigjem kësaj pyetje. Edhe për personat me minimumin e të kuptuarit të funksionimit të shtetit, kjo do të ishte një situatë qesharake. Nuk mundet KQZ-ja, që ta quajë të pavlefshëm një vendim të tillë. Pse? Sepse ka një hierarki në mënyrën sesi funksion shteti. KQZ-ja, nuk e ka tagrin të merret me dekretin e Presidentit, ka vetëm detyrë ta zbatojë. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ i Republikës së Shqipërisë, (e cila fatkeqësisht është vetëm me një anëtar) që do shprehet nëse dekreti ishte në përputhje me kushtetutën apo jo, dhe do të vendoste shfuqizimin apo mbajtjen e këtij dekreti. E njëjta gjë do të ndodhte edhe nëse kërkohet rrëzimi i Presidenti Meta. Pra, e di shumë mirë edhe KQZ-ja, që i është kërkuar të flasë politikisht. Dua të kujtoj, se neni 248 i kodit penal flet për abuzimin me detyrën dhe që përbën vepër penale shkelja e tij. Abuzimi me detyrën ka të bëjë edhe me faktin e mosrespektimit të urdhrave, dekreteve dhe ligjeve të nxjerra nga institucionet përkatëse që kanë për detyrë ta nxjerrin ligjin. Pra, në këto kushte, bazuar në nenin 248 të kodit penal, anëtarët e KQZ-së janë konsumues të veprës penale. Diskursi i tyre politik është vetëm për të karikuar elektoratin, pa asnjë vlerë juridike. Nëse veprojnë, do përballen me ligjin.

Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta. A ka tagër ligjor dhe institucional për ta realizuar këtë qëllim?

Jemi në kushtet që politikës po i kthehet në të kundërt dëshira e flaktë për të mosplotësuar Gjykatën Kushtetuese. Nuk e kishin menduar kurrë këtë situatë, që vetë moskrijimi i Gjykatës Kushtetuese t’i sillte në këtë ngërç. Kryeministri nuk do arrijë dot që Parlamenti ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Opinioni im ligjor është ky: Për të shkuar drejt Gjykatës Kushtetuese për të shkarkuar Presidentin e Republikës duhen 2/3 e votave të parlamentit të plotë. Kushtetuta thotë: Parlamenti i Shqipërisë konstituohet me 140 pjesëtarë. Ne kemi 121 deputetë, dhe 2/3 e deputetëve nuk janë njëlloj me 2/3 e 140 deputetëve. Unë kam dëgjuar shumë gjëra qesharake këto ditë. Nuk mundet znj. Spiropali të thotë se kemi ndërmarrë këtë iniciativë, sepse nuk i plotësojnë dot 94 vota. Edhe nga pikëpamja e formimit të gjykatës kushtetuese ka një ngërç. Gjykata Kushtetuese formohet në këtë mënyrë: 3 anëtarë të gjykatës kushtetuese emërohen nga Presidenti, 3 të tjerë emërohen nga Gjykata e Lartë kur të jetë në kuorumin e plotë të saj. Ne kemi vetëm 3 anëtarë të gjykatës së lartë dhe ajo nuk është funksionale. Dhe 3 të tjerë zgjidhen nga Parlamenti i Shqipërisë, që në total bëjnë katër. Kështu që, Gjykata Kushtetuese nuk krijohet dot në mënyrë që të shkojë përpara me kërkesën e mazhorancës. Ky është një interpretim i pastër ligjor, të tjerat janë deklarata politike. Jo më kot erdhi përfaqësuesi i CDU-së nga Gjermania dhe menjëherë deklaroi: respektoni institucionet! Një pjesë e kushtetutës tonë ka marrë model gjerman dhe ka të parashikuar edhe momente të tilla krizash. Në këto kushte, politikisht është e mundur çdo gjë, por do ktheheni qesharak dhe do bëhemi gazi i botë. Juridikisht është e pamundur!

Në këto kushte vendimmarrjesh, ku kryeministri është i vendosur për të bërë zgjedhje me 30 qershor, çfarë parashikohet të ndodhë?

E para, kryeministri do të mbajë përgjegjësi të plotë për krijimin e një përplasje civile dhe pastaj do të flasë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Nëse supozojmë se organizohen zgjedhjet, duhet ta dini se pas mbarimit të zgjedhjeve firmosen me dekret nga Presidenti. Ka dhe një mjegullnajë që më duhet ta shpjegoj për publikun. Në fushatë elektorale dëgjoj shpesh të thuhet, se këto gjëra që po ndodhin synojnë ndalimin e reformës në drejtësi. Fakti, që ne si popull luftojmë për vota të lira dhe të ndershme tregon një nivel tjetër shoqëror. Njerëzit po arrijnë të kuptojnë, se përveç mbushjes së barkut me bukë, duhet të realizojmë edhe disa kërkesa që na çojnë drejt një ndriçimi si njerëz. Kjo është vetëm një shashkë politike, por njerëzit nuk duhet të frikësohen. Dekreti i Presidentit nuk ka të bëjë fare me Reformën në Drejtësi. Janë dy pushtete të ndara!

Gjykata Administrative

“Neni 131 e shpreh qartë, se dekretet dhe aktet që nxjerrin organet qendrore të pushtetit, gjykohen nga Gjykata Kushtetuese kur kërkon të shikosh nëse dekreti është i kushtetueshëm ose i pakushtueshëm. Dekreti i Presidentit është akt normativ. Ka një vendim të gjykatës administrative të shfaqur në media, ku thuhet: ky vendim është një akt individual dhe si i tillë gjykohet nga Gjykata Administrative. Aty kishim të bëjmë me një kërkesë të një partie politike në lidhje me procesin e zgjedhjeve dhe kjo gjë i drejtohej KQZ-së. Në këto kushte është akt individual, sepse i drejtohet vetëm një subjekti, KQZ. Aktet individuale mund t’i shqyrtojë Gjykata administrative. Dekreti i Presidentit është akt normativ, sepse i drejtohet të gjithë subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje. Kjo është një mënyrë e politikës për t’iu treguar njerëzve, sesi mund ta shmangim Gjykatën Kushtetuese dhe t’i bëjmë varrin tjetrit. Këto mënyra do jenë në kurriz të popullit dhe të vendit që e duam shumë, por fatkeqësisht nuk po gjejmë rrugën e duhur për të bërë shtetin tonë”, deklaron Kola.

Please follow and like us: