Media austriake: Përshkallëzimi i rrezikshëm përpara zgjedhjeve në Shqipëri
Demokratët në opozitë duan të bojkotojnë zgjedhjet lokale të 30 qershorit ndërsa Presidenti Meta po përpiqet t’i shtyjë.
Ata hedhin molotov, sulmojnë policinë me fishekzjarre dhe ndezin zjarre në rrugë. Kohët e fundit, ata madje u përpoqën të hynin me forcë në ndërtesën e Kryeministrisë. Mbështetësit e opozitës në Shqipëri kanë dalë në rrugë për të protuestuar, çdo javë që nga muaji shkurt dhe po përdorin gjithnjë e më shumë dhunë në përpjekje për të përshkallëzuar situatën.
Arsyeja për këtë dhunë ka të bëjë me faktin se zgjedhjet lokale janë planifikuar të mbahen më 30 qershor. Megjithatë, Partia Demokratike (PD) e opozitës dëshiron t’i bojkotojë ato, pasi gjithashtu vendosi të djegë mandatet në shkurt. PD këmbëngul se Partia Socialiste në pushtet ka lidhje me persona që dyshohet se manipuluan zgjedhjet e fundit parlamentare. Megjithatë, këto zgjedhje dhe rezultatet e tyre janë njohur ndërkombëtarisht.
Bojkoti i zgjedhjeve për PD nuk është diçka e e re. Që në fillim të vitit 2017, Partia Demokratike nuk dëshironte të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare, sidomos sepse e kishte parashikuar humbjen. Në momentin e fundit, ajo pranoi të hynte në zgjedhje, por tani opozita po tregohet më kokëfortë. Ajo kërkon që zgjedhjet lokale të zhvillohen vetëm me kusht që të formohet një qeveri kalimtare paraprakisht, e që të jetë kjo qeveri ajo që të organizojë zgjedhjet.
Gjithashtu, opozita kërkon që disa politikanë socialistë të cilët i akuzon për kryerjen e disa veprave penale të sillen para drejtësisë. Socialistët (PS) duan të mbajnë zgjedhje lokale gjithsesi. Por ndërkohë, Presidenti Ilir Meta mbajti një qëndrim për këtë çështje dhe shtyu datën e zgjedhjeve të shtunën me anë të një dekreti, me justifikimin se po përpiqej të shmangë destabilitetin politik dhe kushtetues.
Në këtë pikë duhet të gjendet një datë e re me anë të negociatave mes palëve, por PS-ja nga ana e saj nuk e pranon masën e Presidentit. Komisioni Zgjedhor gjithashtu e ka hedhur poshtë vendimin e Metës. Ndërsa kryeministri Rama u takua me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker këtë javë, i cili shprehu mbështetjen e tij për zgjedhjet e 30 qershorit.
Përveç kësaj, Rama tani kërkon të shkarkojë presidentin këtë javë me anë të një mocioni në Parlament. Kryeministri thotë se është antikushtetuese që Meta të shtyjë zgjedhjet. Mesa duket qartë, Rama, Meta dhe udhëheqësi i PD-së opozitare, Lulzim Basha, janë në një luftë të ashpër politike midis tyre.
Meta nuk e ka falur Ramën për përjashtimin e partisë së tij, LSI, nga koalicioni qeverises. Ndërsa që nga fillimi i demokracisë në vitet 1990, PS dhe PD kanë luftuar njëri-tjetrin për vdekje.
Problemi më i madh për momentin është se Gjykata Kushtetuese, si të gjitha gjykatat më të larta, nuk mund të veprojë, sepse gjyqtarët mungojnë. Në Shqipëri, këto dy vite, ka pasur një proces të suksesshëm të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, ku gjykatësit dhe prokurorët duhet të hetohen dhe të largojnë ata që kanë marrë rryshfete ose që janë të nxitur nga interesa politike apo ekonomike.
Pikërisht sepse ky proces bëri që shumë gjyqtarë dhe prokurorë të largohen nga detyra, është krijuar një vakuum ligjor. Megjithatë ekziston një nevojë urgjente që Gjykata Kushtetuese të qartësojë çështjet ligjore lidhur me zgjedhjet lokale. Për shkak se kjo nuk është e mundur, Shqipëria është në një krizë kushtetuese.
Në këtë situatë, demokratët tani duan të detyrojnë Ramën të japë dorëheqjen. Nëse socialistët mbajnë zgjedhje lokale më 30 qershor, ata kërcënojnë që do të krijojnë dhunë në rrugë. Disa policë dhe protestues tashmë janë plagosur gjatë protestave të mëparshme të opozitës.
Një rol të çuditshëm po luajnë CDU-ja gjermane dhe gazeta “Bild”, që mbështesin interesat e opozitës dhe “në dukje ndihmojnë” politikën e brendshme shqiptare. Demokratët në Shqipëri, si CDU-ja, i përkasin Partisë Popullore Europiane (EPP). Gjithashtu është e rëndësishme që pa pëlqimin e CDU-së Shqipëria nuk mund të fillojë negociatat e anëtarësimit dhe kështu PPE-ja ka një mjet të fuqishëm në duart e saj.
Gjithsesi, viktima më e madhe e këtyre intrigave politike të PPE-së është Maqedonia Veriore. Për shkak se CDU-ja ka refuzuar, kundër të gjitha rekomandimeve dhe refuzon të pranojë të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, duke e vënë në rrezik besueshmërinë e politikës së zgjerimit.