Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA sanksionon kompaninë më të madhe të naftës në Regjimin Iranian

Shahriar Kia

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka sanksionuar kompaninë më të madhe të naftës të regjimit iranian – Kompaninë e Industrive Petrokimike të Gjirit Persik (PGPIC) – si dhe 39 degë të saj për faktin se i kanë dhënë “ndihmesë financiare” Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një grup i etiketuar si terrorist.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë: “Duke marrë në shënjestër këtë rrjet, kemi për qëllim t’ua mohojmë fondet elementëve kyç të sektorit petrokimik të Iranit të cilët ofrojnë mbështetje për IRGC-në.”

IRGC, e cila ka mbi 100,000 luftëtarë, u etiketua si organizatë e huaj terroriste nga Thesari i SHBA-së në prill. Ky vendim i fundit e shtrëngon litarin rreth qafës së këtij grupi terrorit shtetëror duke i hequr një pjesë të madhe të fondeve. PGPIC, e cila është gjithashtu në pronësi të shtetit, është përgjegjëse për të paktën gjysmën e eksporteve të naftës dhe gazit nga Irani.

Në 2018-ën, ministria e naftës e regjimit iranian i dha krahut ekonomik dhe inxhinierik të IRGC-së 10 projekte me vlerë $22 bilion (katër herë më shumë se buxheti zyrtar i IRGC-së).

Kjo gjë do t’i prishë gjithashtu planet e Europës për t’i anashkaluar sanksionet amerikane mbi Iranin duke krijuar një mjet të qëllimit të veçantë për blerjen e naftës iraniane, mjet i cili do të ishte i bazuar në transaksione pa para dhe do t’i fshihte gjurmët e parave.

Radio France Internationale shkruan: “Regjimi po sheh në drejtim të vendeve europiane për të kompensuar mungesën e përfitimeve financiare… Teherani u ka vendosur europianëve një afat deri më 7 korrik për rikthimin e përfitimeve të vjetra të premtuara nën marrëveshjen e periudhës së Obamës.”

Nëse Europa nuk e bën këtë, Presidenti iranian Hassan Rouhani ka kërcënuar se do ta përmbytë kontinentin me drogë e refugjatë.

Departamenti i Thesarit ka paralajmëruar se kompanitë e huaja që kapen në bashkëpunim me degët e PGPIC-së “do të ekspozohen vetë ndaj sanksioneve amerikane”, por pyetja është, a mund të akuzohen ato vërtet për ndihmesë të terroristëve?

Reuters shkruan se kjo gjë koinçidon me pohimin e Ministrit iranian të Naftës Bijan Namdar Zanganeh se Irani u shet fshehtazi naftë blerësve ndërkombëtarë.

Në një intervistë me agjensinë e lajmeve SHANA të ministrisë iraniane të naftës, të publikuar të shtunën, Zanganeh tha se Irani u është drejtuar mjeteve “jo-konvencionale” për t’i anashkaluar sanksionet amerikane.

Ai tha: “Kryejmë shitje jo-zyrtare ose jo-konvencionale, dhe të gjitha këto janë të fshehta sepse, nëse do të bëheshin të ditura, Amerika do t’i ndalonte menjëherë”

Megjithatë, ai refuzoi të jepte detaje apo të zbulonte shifra derisa të hiqeshin sanksionet.

Administrata Trump dëshiron të ushtrojë “presion maksimal” mbi regjimin iranian, jo vetëm për shkak të ambicieve të tij terroriste, por gjithashtu për shkak të programeve të tij bërthamore e raketore si dhe ndërhyrjeve në Siri, Irak, Liban dhe Jemen. Thelbësore për këtë ka qenë ndërprerja e shitjeve iraniane të naftës, që janë burimi kryesor i të ardhurave të regjimit.

Please follow and like us: