Mësueset e para të gjuhës shqipe
Në vitin 1891 në qytetin e Korçës, që është njëkohësisht dhe vendi i mësonjëtores së parë shqipe, u hodh një hap i madh për kohën, duke hapur shkollën e parë për vajzat.
Kjo shkollë shërbeu si një kthesë vendimtare drejt emancipimit të shoqërisë, e veçanërisht të femrës, e cila deri në periudhën e osmanëve ishte mbajtur e ngujuar.
Të ishe mësues në atë kohë për meshkujt ishte e vështirë sepse të rrezikohej jeta në çdo moment nga turqit, dhe qarqet shoviniste greke, të cilët dënonin çdo përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe. Janë jo të rralla rastet kur ata që predikonin shqip dhe mësuesit e parë vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.
Por brezi i shqiptarëve që rritej në atë kohë do ishte me të vërtetë brezi i artë i kombit shqiptar. Ata e adhuronin kombin, ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare.
Motrat Qiriazi do të ishin pjesë e kësaj fryme, pjesë e këtij ideali me emrin komb. Dhe do realizonin diçka që deri në atë kohë as nuk ishte menduar e jo më të bëhej realitet: Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj.
“Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”, për Sevastinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.
Dhe në fakt, të dyja do shkëlqenin në karrierën e tyre në një vend të vështirë si Shqipëria, duke dhënë kontribute të çmuara jo vetëm në arsim, por dhe në emancipimin e gruas shqiptare.
Ishin të pandara në veprimtarinë e tyre derisa vdekja i ndau. Së bashku do ishin mësueset e para të shkollës së vashave, më pas do shkonin në Rumani dhe në Amerikë, ku do jepnin një kontribut të padiskutueshëm dhe në revistën “Ylli i mëngjesit” që botohej atje.
Ajo që do ndriste pak më shumë nga këto veprimtare patriote dhe ndër më të kulturuarat në jetën shqiptare, do ishte Parashqevia. Rezultatet e saj ishin shkëlqyese.
Parashqevi Qiriazi lindi më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën e parë fillore dhe të mesme e kreu në vendin e saj të lindjes. Më pas, ajo vazhdoi studimet në kolegjin e Stambollit për vajza në degën e letërsisë dhe u shqua për veprimtaritë e saj studentore.
Ëndrra e saj e madhe ishte të kontribuonte për Atdheun. Në një kohë të artë ku veprimtaria patriotike ishte në kulmin e saj, njerëzit më të ndritur të kombit shqiptar iu përkushtuan ideve kombëtare dhe veçanërisht çështjes së gjuhës shqipe. Kështu, ajo u bë mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.
Parashqevia mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u hartua alfabeti shqip dhe ajo ishte personi që përpiloi këngën e Famshme të alfabetit.
Në 16 janar të vitit 1909 Parashqevia hartoi në bazë të alfabetit të ri të vendosur nga Kongresi i Manastirit abetaren shqipe, që është teksti i parë i hartuar me alfabetin e ri.
Në vitin 1912 ajo u regjistrua në studimet pauniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA dhe aty shkëlqeu me temën e saj të doktoraturës që ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.”
Në Amerikë ajo hartoi dhe programin mësimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.
Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 do të largohet nga Shqipëria. Gjatë fundit të vitit mori pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku ishte sekretare.
Gjatë viteve 1917-1920 ajo qëndroi në SHBA, ku hapi një revistë shumë të njohur me emrin “Ylli i mëngjesit”.
Në vitet e pushtimit nazifashist do të arrestohet dhe do të internohet në kampet e përqëndrimit. Pas çlirimit do t’i shtetëzohet Instituti Qiriazi. Dhe do ta ngrysë jetën si Mësuese patriote.