Hafize F. Elshani: E nderuar grua shqiptare e vendit tim!
E nderuar grua shqiptare e vendit tim!
Ti që ke vendosur kurorën një pëllëmbë mbi kokë në ahengun familjar, a thua se do të shpallesh princesha e mbrëmjes.
Ti që valëvit fustanin model princeshash, qindra dollarësh dhe që është arritja më e madhe e përditshmërisë tënde.
Ti që kalon orë të tëra para pasqyrës te parukierja me lekët e burrit për të thënë që fytyra jote shkëlqen nga hareja.
Ti që mban gjerdanin mijëra euro në qafë dhe kujton se çmimi yt është proporcional me çmimin e gjerdanit që ke.
Realisht, ti nuk je një PRINCESË!
Ti po ëndërron dhe po ia shuan vetes dëshirën e pashmangshme në subkoshiencën tënde për t’u ndjerë dhe trajtuar vërtetë si një princeshë.
Ti ec nëpër rrugët e baltosura të këtij vendi me fustanin e princeshës.
Fytyra jote nuk shkëlqen nga hareja, por ajo mbytet nga grimcat e pluhurit të papastër në këtë vend.
Gjerdani yt mijëra dollarësh po të ngulfat çdo ditë nga pak, sepse t’i vure si hipotekë të drejtën tënde për të menduar e bërë çfarë të duash dhe kur të duash…
O grua, në dukje si princeshë!
Flak kurorën e nënshtrimit dhe vendos atë të dinjitetit, shkul gjerdanin e floririt dhe vesh atë të vetërespektit, fshi makijazhin e haresë dhe vish buzëqeshjen e shpirtit, hidh matanë fustanin e princeshës dhe vish atë të zonjëllëkut.
Ti ke një ëndërr dhe di të bësh diçka, e di!
Që sot fillo preke dhe për asnjë sekondë mos bëj atë që ti nuk dëshiron!
Hidh çantën krahut dhe përvishu asaj!
Atëherë ke veshur këpucën e princeshës, e për të mos e hequr më kurrë!
Ky vend nuk është mbretëri e as principatë, por një vend pa rrugë, pa ajër, pa arsim, pa shëndetësi, me ekonomi të vogël dhe ka nevojë edhe për forcën tënde, mendimin tënd, angazhimin tënd. Sepse ky vend nuk bëhet dot edhe pa ty!