Albspirit

Media/News/Publishing

Mijëra iranianë, proteste në Bruksel kundër regjimit të mullahëve

Free Iran March In Brussels

Disa mijëra iranianë, mbështetës të Rezistencës Iraniane, u bashkuan mbasditen e sotme më 15 qershor në një protestë madhore në Bruksel për të shprehur solidaritetin e tyre me kryengritjen e popullit iranian për demokraci dhe të drejtat e njeriut, si dhe kundërshtimin e tyre ndaj shtypjes, luftënxitjes, proliferimit bërthamor, dhe eksportit të terrorizmit e radikalizmit islamik të regjimit.

Marshimi në Bruksel ishte i pari i një serie marshimesh masive të iranianëve nëpër botë. Marshimi i radhës do të mbahet në Uashington D.C. më 21 qershor.

Turma u mblodh përballë zyrave qendrore të BE-së në sheshin Schuman, para se të niste marshimin e saj në qendër të Brukselit.

Ata që u ngjitën në podium për të folur para turmës përfshijnë disa personalitete europiane si ish Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi, anëtarë të parlamentit belg e europian, ish-kandidatja presidenciale kolumbiane Ingrid Betancourt, ish zëvendës-presidenti i Parlamentit Europian Alejo Vidal Quadras dhe mbrojtës të të drejtave njerëzore si dhe përfaqësues të NCRI-së.

In Major Brussels Protest Maryam Rajavi Urges EU to Impose Sanctions on Iran's Regime
Në një video-mesazh të shfaqur para tubimit, Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, theksoi: “Operacionet terroriste në Europë, tentativat për sulme me bombë në Shqipëri e Francë, arrestimi i mercenarëve të regjimit iranian dhe i diplomatit terrorist të tij, si dhe përjashtimi i katër diplomatëve terroristë të tjerë të regjimit gjatë vitit të shkuar, kanë vërtetuar paralajmërimet e vazhdueshme të Rezistencës Iraniane se ambasadat e regjimit iranian në Europë janë të gjitha qendra për planifikimin dhe realizimin e komploteve kriminale të regjimit”.

“Liderët e regjimit duhet të përballen me drejtësinë në një gjyq ndërkombëtar dhe të japin llogari për krimet e tyre kundër popullit të Iranit, veçanërisht për masakrën e të burgosurve politikë në 1988-ën”, konkludoi presidentja e zgjedhur e Rezistencës.

Në fjalimin e tij, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, Mohammad Mohaddessin, iu referua zhvillimeve të fundit në detin e Omanit: “Sulmi i IRGC-së mbi dy anijet tregoi edhe një herë se regjimi i mullahëve nuk do të zgjasë pa represion të brendshëm dhe pa eksportimin e terrorizmit dhe luftënxitjes. Koinçidenca e shpërthimeve në këto anije me takimin mes (liderit suprem iranian Ali) Khamenei dhe Kryeministrit japonez, dy ditë pas takimit mes Ministrit gjerman të Punëve të Jashtme dhe (presidentit iranian Hassan) Rohani, tregon se diplomacia dhe ndërmjetësimi nuk bëjnë punë me këtë regjim dhe se ndryshimi i regjimit nga populli dhe rezistenca iraniane, themelimi i një pushteti demokratik e popullor është e vetmja zgjidhje për të patur paqe dhe qetësi në rajon”.

Shumë folës sollën në vëmendje veprimtaritë terroriste të regjimit iranian në tokën europiane. Anëtari i Parlamentit Europian Mark Demesmaeker theksoi tentativën e dështuar terroriste një vit më parë kundër tubimit të madh të iranianëve pranë Parisit, gjë që çoi në arrestimin e katër individëve, duke përfshirë një diplomat iranian, të cilët kishin tentuar të shpërthenin një bombë në tubim.

Ish zëvendës-presidenti i Parlamentit Europian Alejo Vidal Quadras lavdëroi anëtarët e Rezistencës Iraniane që banojnë tani në Shqipëri: “ata janë heronj, janë shembull për të gjithë ne”, pohoi ai.

Parlamentarja belge Françoise Schepmans përgëzoi rolin e grave brenda rezistencës iraniane dhe dënoi shkeljen e të drejtave të grave nga regjimi iranian.

Ish Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi theksoi nevojën e ndalimit të politikës së paqësimit që Europa praktikon me Teheranin dhe të ndërmarrjes së një politike të rreptë. “Është e rëndësishme në këtë pikë kritike të asaj që po ndodh në Gjirin Persik sot, që ne të ngrihemi dhe t’i mbrojmë të drejtat e popullit të Iranit” tha ai.

Ish-kandidatja presidenciale kolumbiane Ingrid Betancourt theksoi rreziqet që vijnë nga paqësimi i regjimit të mullahëve në Iran.

“Rreziku nuk qëndron tek konfrontimi me regjimin. Rreziku vjen nga gjunjëzimi para regjimit”.

Kryetarja e Komitetit të Grave të NCRI-së, Sarvnaz Chitsaz, përsëriti kërkesat e pjesëmarrësve të tubimit për komunitetin ndërkombëtar lidhur me regjimin iranian, për të dënuar shkeljet e të drejtave njerëzore.

Haitham Maleh, aktivist sirian i të drejtave të njeriut dhe ish-gjykatës, vuri në dukje natyrën terroriste të regjimit të mullahëve dhe se si Teherani ka bërë kërdinë në rajon, sidomos në Siri me mbi 1 milion martirë.

Pierre Gallant, ish-President i Organizatës Botërore Kundër Torturës (OMCT) – Dega Europiane, shprehu mbështetjen e tij për rrëzimin e regjimit të mullahëve dhe themelimin e demokracisë në Iran.

“Jemi këtu për t’i thënë BE-së se duhet t’i respektojë parimet e saj dhe ta mbështesë luftën kundër tiranisë së mullahëve. Do të qëndrojmë krah për krah me popullin iranian për ta eliminuar diktaturën dhe për të themeluar demokracinë./balkanweb/

Please follow and like us: