Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta Dobi: Në ditën e parë edhe mësuesi është nxënës

Teuta Dobi, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri”, e nisi profesionin e mësuesisë pikërisht në gjimnazin ku kishte studiuar dhe sot nuk pendohet që ka ndjekur këtë pasion të saj që kur ishte nxënëse.

Pasioni për mësuesinë i kishte lindur që kur ishte nxënëse e shkollës së mesme “Partizani”, dhe angazhimi me mësuesit gjatë asaj kohe ia kishte ushqyer më shumë dëshirën për të vazhduar mësimdhënien në të ardhmen, aq sa sot nuk mund ta mendojë se mund të kryente ndonjë profesion tjetër.

Duke folur për ditën e parë si mësuese, Teuta Dobi tregon se e ka nisur mësimdhënien që në moshën 24-vjeçare, si mësuese e re dhe me shumë ëndrra, në gjimnazin “Partizani”. Për të rikthimi në këtë shkollë si mësuese ishte një emocion pas katër viteve të studimit atje si nxënëse.

“Sa kam hyrë në gjimnazin ‘Partizani’, edhe pse isha mësuese, e shikoja shkollën akoma si nxënëse e asaj shkolle, pasi menjëherë u përballa me ish-mësuesit e mi. Më kanë pritur me një dashuri të madhe, edhe për faktin se kam qene nxënëse ekselente.

Nga ana administrative si mësuese nuk më krijonte ndonjë problem, pasi që kur isha nxënëse, i ndihmoja mësuesit e mi, që nga mungesat deri tek organizimi i orës së mësimit, për shkak se e kisha aq pasion mësuesinë sa sot më duket sikur nuk bëj dot një profesion tjetër, sepse vetëm para nxënësve e gjej veten time.

Në ditën e parë të mësimdhënies edhe mësuesi vetë mëson, krahas asaj që i jep nxënësit. Pavarësisht se mund t’i kesh njohuritë e duhura, mendon se detyra jote nuk është thjesht që t’ia transmetosh nxënësit këto njohuri, por duhet të gjesh mënyrat e duhura se si ai t’i përthithë më mirë ato dhe si, ndër të tjera, të fitosh respektin e tyre. Dhe parimi që kam pasur gjatë gjithë kohës ishte si të angazhoja nxënësit, jo vetëm të dëgjojnë, por edhe të frymëzohen nga mësuesi. Vetëm duke folur me shumë dëshirë dhe pasion për lëndën, auditori arrin të të ndjekë. Nxënësit janë të përgatitur dhe arrijnë të të testojnë, nëse e ke pasion orën e mësimit dhe lëndën që jep, ai është i prirur të të ndjekë më shumë. Nëse pasioni dhe vullneti nuk ekzistojnë atëherë atyre iu humbet interesi dhe aftësia e mësuesit qëndron te serioziteti me të cilin ai realizon orën e mësimit, se si i trajton nxënësit e tij, duke i vlerësuar të gjithë në mënyrë të barabartë dhe duke mos i paragjykuar. Shpeshherë dëgjojmë se kemi nxënës të mirë dhe të këqij, por jo, ka nxënës që përshtaten menjëherë me lëndën dhe ka nxënës që shfaqin interes më të ulët për një lëndë apo tjetrën.”

Një nxënës i mirë është një nxënës i angazhuar

Teuta Dobi tregon se ka momente, ka ditë, në të cilat nxënësi nuk ka aspak interes për lëndën, por aftësia e mësuesit për të qenë interesant është ajo që i tërheq vëmendjen, pasi nxënësit janë si një libër i hapur. Pra vetëm duke i angazhuar ata mund të avancojnë, pasi një nxënës i mirë është një nxënës i angazhuar gjatë mësimit.

“Roli i mësuesit nuk është vetëm të japë dijen për lëndën apo fushën ku ka studiuar, por duke pasur edhe klasë kujdestarie, automatikisht bëhesh edhe psikolog i nxënësit, sidomos në shkollën e mesme, ku dhe mosha është disi delikate. Është një periudhë, gjatë së cilës jo pak herë të duhet të bësh një trajtim edhe më të veçantë, ndryshe nga detyra e shpjegimit të lëndës.”

Kur i kthehet kohës dhe bën krahasimin, të paktën me maturantët sot, mësuese Teuta shpjegon se bota teknologjike që na rrethon në përditshmërinë tonë, i ka bërë nxënësit, në veçanti ata të vitit të fundit, të reagojnë shpejtë, duke kërkuar përgjigje të shpejta. Tashmë informacioni gjendet shumë lehtë, por gjithsesi ngelet vetën në elementet bazike të tij, pasi për t’u thelluar më tej për fushat që iu interesojnë nxënësit duhet të thellohen. Thellimi në leximin e librave ka edhe një veçori, pasi të forcon vullnetin, dhe nevoja për vullnet dhe këmbëngulje është shumë e madhe te gjimnazistët, duke marrë parasysh moshën, por edhe teknologjinë sot.

Ndërkohë, drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” tregon se teknologjia te gjimnazistët sot ka marrë edhe trajtën e bullizmit, duke pasur raste në të cilat gjimnazistët mund të jenë rënduar psikologjikisht, madje edhe në depresion.

Një element tjetër që mësuesit e gjimnazit kanë në përditshmërinë e tyre të punës është edhe orientimi i karrierës, në veçanti te maturantët dhe drejtoreshë Teuta tregon se interesi i maturantëve është i lartë për profesione të shpejta, të cilat i lejojnë ata ta kthejnë investimin që kanë bërë në universitete, në kohë të shkurtër në të ardhura dhe në karrierë. “Në vitet e fundit ka një tendencë te gjimnazistët për të zgjedhur ato profesione që në një kohë shumë të shkurtër të sigurojnë të ardhura dhe karrierë, ndaj duket qartë që interesi për pasione të veçanta apo pasione të shkencave humane është i paktë. Unë e vë re në përditshmërinë time të punës që pasioni për mësuesinë, letërsinë, filozofinë apo dhe programe studime të ngjashme me këto ka rënë”./ Gazeta Liberale/

Please follow and like us: