Britania paralajmëron Regjimin Iranian që të mos shkaktojë paqëndrueshmëri pas sulmeve mbi cisternat
Mbretëria e Bashkuar e ka marrë të mirëqenë supozimin se regjimi iranian është përgjegjës për sulmet mbi dy cisternat e naftës në Gjirin e Omanit të enjten; dhe Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt e ka paralajmëruar Teheranin se këto veprime kanë qenë “thellësisht të pamatura”. Në një deklaratë, Hunt tha: “Kjo është thellësisht shqetësuese dhe vjen në një kohë tensionesh tepër të mëdha. Kam qenë në kontakt me (Sekretarin amerikan të Shtetit Mike) Pompeo dhe, ndonëse do ta bëjmë vetë vlerësimin tonë me kthjelltësi e kujdes, është e qartë që si fillim do t’u besojmë aleatëve tanë amerikanë”. Ai vazhdoi: “E kemi marrë tepër seriozisht këtë gjë dhe mesazhi im për Iranin është që nëse ka qenë i përfshirë, është një përshkallëzim thellësisht i pamatur i cili paraqet një rrezik të vërtetë për perspektivën e paqes dhe stabilitetit në rajon”. Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar, që drejtohet nga flota britanike, ka vënë alarmin por ka refuzuar të japë komente ndërkohë që hetimi është në vazhdim e sipër. Sulmi është vendosur 45 km nga bregu iranian në Gjirin e Omanit. Kjo është afër Ngushticës strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e konsumit global të naftës. Më herët të enjten, Pompeo u tha reporterëve se, bazuar në armët e përdorura, në nivelin e ekspertizës së nevojshme për ta ekzekutuar operacionin, dhe në faktorë të tjerë, qeveria amerikane beson se regjimi iranian është fajtor për sulmin.
Sulmi
Në orën 6:12 paradite, sipas kohës vendase, të enjten, Flota e Pestë amerikane, e cila e ka bazën në Bahrein, mori një sinjal rreziku nga njëra prej anije-cisternave, ndjekur nga një tjetër sinjal rreziku nga anija tjetër në orën 7 paradite. Burimet i kanë identifikuar cisternat si Front Altair, e cila mbart flamurin e Ishujve Marshall, dhe Kokuka Courageous me flamurin e Panamasë, por autoritetet në Oman nuk e kanë konfirmuar ende këtë. Megjithatë, një zyrtar në portin Fujairah të Emirateve të Bashkuara ka thënë se Front Altair, e cila ishte ngarkuar me naftë nga Abu Dhabi, kishte marrë flakë dhe agjensia iraniane e lajmeve IRNA ka raportuar se anija ishte fundosur, gjë që është kundërshtuar nga zëdhënësi i kompanisë menaxhuese, Pat Adamson, i cili ka thënë se anija është ende mbi ujë. Ekuipazhet e cisternave norvegjeze dhe japoneze janë evakuar. Ekuipazhi japonez është shpëtuar nga SHBA, ndërsa ekuipazhi norvegjez është mbajtur nga Irani. Komandanti Joshua Frey, një përfaqësues i Flotës së Pestë, ka thënë se njësia e tij ishte në dijeni të sulmit dhe anijet amerikane po ndihmonin anije-cisternat e sulmuara. Autoritetet norvegjeze i kanë këshilluar anijet e tyre të “qëndrojnë larg ujërave iraniane deri në një lajmërim të dytë”.