Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Myqerem Tafaj: Këshilli i Ministrave i BE nuk pranon rënien e pluralizmit në Shqipëri!

Image result for keshilli i europes

Megjithë “dashurinë” e madhe të Komisionit Europian me qeverinë tonë të “sukseseve” të mëdha në rrugën e instalimit të një tipi të ri të demokracisë njëngjyrëshe, alla bjelloruse, Bundestagu gjerman, Parlamenti i Hollandës dhe Franca, i thanë: Ndal asgjësimit të Pluralizmit, Lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri!

Ky është Ultimatum i Këshillit të Ministrave të Europës, të cilin me vështirësi të madhe e artikuloi Komisioneri Hahn: Kthehuni në rrugën e demokracisë deri në tetor, pastaj shohim e bëjmë!

A do ta shfrytëzojë këtë shans qeveria që të dorëhiqet dhe të çlirojë shqiptarët nga ankthi dhe frika e rrëshqitjes së vendit në një krizë që do të na kthej 30 vite prapa?

A do ta shfrytëzojë politika shqiptare që të krijojë kuadër institucional dhe kushte për zgjedhje reale të lira dhe të ndershme, në mënyrë që qytetarët të votojnë të lirë?

A do ta shfrytëzojë politika shqiptare këtë shans për të modernizuar partitë politike, që të jenë vërtetë të mbështetura në parimet e lirisë dhe demokracisë moderne, përfaqësuese të denja të qytetarëve të të gjitha shtresave, të grupuar sipas vizionit dhe alternativave politike të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë drejt një vendi europian të zhvilluar demokratik?

A do ta shfrytëzojë këtë shans komuniteti ndërkombëtar për të unifikuar qëndrimin e tij në mbrojtje të standardeve demokratike dhe të ndal rënien e Pluralizmit, Lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri?

Qeveria e ka futur Shqipërinë në një krizë të thellë, jo vetëm politike dhe kushtetuese, por edhe krizë të gjithanshme, e cila, në thelb, buron nga degradimi deri në asgjësim i zgjedhjeve të lira dhe votës së lirë dhe të ndershme. Tani blerja e votës, përfshirja e botës së krimit në zgjedhje dhe bashkëpunimi i segmenteve të pushtetit me elementë të bandave për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve është bërë i njohur ndërkombëtarisht përmes VOA, Bildt dhe media të tjera.

Prova e parë e daljes nga kjo krizë e thellë, ku gjendet vendi ynë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ku qytetarët mund të vendosin me VOTË TË LIRË dhe të NDERSHME! Këtë e garanton vetëm një Qeveri tranzitore!

Zgjedhjet e pushtetit vendor në Shqipëri nuk janë thjesht zgjedhje administrative si në Finlandë apo Danimarkë! Ato janë më shumë se politike, aq më shumë që ndarja e re territoriale është thjesht kalkul matematike për t’i garantuar fitoren PS. Madje, votat blihen dhe shiten më shumë në këto zgjedhje. Pushteti i vërtetë për qytetarin është ai vendor, që duhet t’i afrojë qytetarit pjesën më të madhe të shërbimeve dhe ku qytetarët pérfaqësohen më shumë në vetqeverisjen vendore.

Kush i konsideron zgjedhjet e pushtetit vendor thjesht si zgjedhje administrative tallet me shqiptarët! Të pretendosh që qeveria ka të drejtë të zhvillojë zgjedhje më 30 qershor, kur Presidenti e ka shfuqizuar dekretin për këtë datë, do të thotë të emërosh kandidatët e PS në krye të bashkive, të mohosh të drejtën kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve të bashkisë për vetqeverisje, përmes përfaqësuesve të tyre direkt të zgjedhur me votë të lirë, të asgjësosh de facto pluralizmin në qeverisjen vendore, si prelud i asgjësimit të pluralizmit në pushtetin legjislativ dhe institucionet që rrjedhin prej tij, si pararendës i asgjësimit të lirisë dhe demokracisë sonë.

Prandaj, zgjedhjet vendore me një qeveri tranzitore dhe pasi të jenë krijuar të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë prova e parë për daljen nga kjo krizë e rrezikshme për vendin dhe pjesë integrale e zgjidhjes tërësore të kësaj krize.

Please follow and like us: