Libër i shkruar me dije të gjera, me profesionalizëm dhe dashuri
Prof. Gjovalin Shkurtaj – Akademik
Parathënie e librit të prof. Bardhosh Gaçes të titulluar “Letërsia bashkëkohore arbëreshe”
Historia e arbëreshëve të Italisë, traditat, kultura dhe gjuha e tyre, të ruajtura për kaq shekuj në dhe të huaj, si dhe letërsia artistike, folklori e veprimtaria atdhetare në të mirë të Shqipërisë janë ndjekur kurdoherë me dëshirë nga shkenca shqiptare, nga shkollarët dhe studentët. Ato janë bërë objekt studimesh e vlerësimesh të një vargu studiuesish në zë, si dhe janë trajtuar në tekstet mësimore të shkollës së mesme e të shkollës së lartë. Organet shkencore të institucioneve të Akademisë së Shkencave “Studime historike”, “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Kultura popullore”, si dhe shtypi letrar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, “Nëntori”, “Lettres albanaises” qysh në fillesat e tyre kanë botuar vazhdimisht artikuj, kumtesa e studime me tematikë nga letërsia, kultura dhe traditat arbëreshe. Artikuj të shumtë përkujtimorë për figura të shquara të kulturës e të letërsisë arbëreshe, si dhe për çështje të tjera lidhur me arbëreshët, janë botuar edhe në organet e shtypit të përditshëm dhe periodik.
Vitet e fundit të shekullit të XX dhe, sidomos, në vitet e mijëvjeçari të tretë, janë shtuar dukshëm edhe botimet si monografi të veçanta për autorë ose probleme të letërsisë arbëreshe, si dhe përmbledhjet e vjershave të poetëve të sotëm arbëreshë,si Vorea Ujko (Domencico Bellizi), Carmell Kandreva ( Carmelo Candreva), Zef del Gaudio (Giuseppe del Gaudio), Lluka Perrone, Zef Skiro i Majit (Giuseppe Schiro di Maggio), Kate Cukaro (Zucharo), Matilde Ferrari, Buzëdhelpri (Agostino Giordano), Luis de Rosa etj. Të gjitha këto kanë bërë që lexuesi shqiptar të ketë një njohje relativisht të gjerë dhe të plotë për vlerësimin e lartë që i bëhet letërsisë, gjuhës dhe përgjithësisht kulturës arbëreshe në studimet dhe botimet shqiptare.
Nga librat e kohëve të reja, një vend me rëndësi për ndihmesat e mira që sjell, janë edhe librat e prof.dr.Bardhosh Gaçes “Letërsia arbëreshe”, Triptik, 2008 (230 faqe) dhe në vijim e si pjesë më e thelluar dhe kryesisht për krijimtarinë bashkëkohore arbëreshe vjen edhe libri “Letërsia bashkëkohore arbëreshe”, të cilin hera e mbarë e pruri ta pajis me një parathënie të shkurtër, kryesisht tumiruese e vlerësuese, duke qenë se aty kemi një paraqitje të nyjëtuar e të shtjellur qartë e në mënyrë medodike e në atë mënyrë që, ashtu si katet e epërme të një ngrehine ekzistuese, studiuesi ynë ndërton një pjesë të re dhe të vlefshme për plotësimin e dijeve dhe vlerave të letërsisë së sotme arbëreshe.
Prej shumë vitesh, qysh kur ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, krahas botimeve si poet, si historian e njohës i etnofolklorit shqiptar, prof.dr. Bardhosh Gaçe u ka dhënë një pjesë të mirë të hulumtimeve të tij arbëreshëve të Italisë, duke u pykëzuar sidomos në ndihmesat, prurjet e reja dhe vlerat artistike atdhetare të letërisë së sotme arbëreshe.
Libri shkon në hullinë e mëhershme dhe të pa munguar të njohjes dhe vlerësimit të arbëreshëve të Italisë si diasporë me tradita e letërsi të lidhur ngushtë me historinë e Shqipërisë, me botën shqiptare e me letrat shqipe. Kujtojmë se qysh në kohën e Rilindjes, Sami Frashëri, enciklopedisti ynë i shquar, në librin “Shqipëria çka qenë ç’është e çdo të bëhetë” (1899), në kreun “Shqiptarët jashtë Shqipërisë” jep një parashtresë sintetike përmbi arbëreshët e Italisë, gjuhën dhe kulturën e tyre të ruajtura dhe të trashëguara në shekuj.
Në këtë hulli do të ecnin më pas edhe studiues të tjerë përparimtarë, si: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani e të tjerë, të cilët kanë meritën se botuan shkrimet dhe vështrimet e para përmbi historinë, letërsinë, gjuhën, folklorin dhe traditat arbëreshe. Që më 1902, L. Gurakuqi botonte në “La Nazione Albanese” (Kombi shqiptar) një artikull të përgjithshëm mbi ngulimet arbëreshe të Italisë, ndërsa Aleksandër Xhuvani, Justin Rrota, Kolë Kamësi, Kolë Ashta, Eqrem Çabej etj, do të botonin në gazetat e kohës artikuj dhe ndihmesa përmbi shkrimtarët arbëreshë, si dhe për historinë e ngulimeve arbëreshe të Italisë, për gjuhën dhe folklorin e tyre.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, me organizimin e shkollës së re shqipe, me themelimin e studimeve universitare e të institucioneve kërkimore-shkencore, me punën për historinë, letërsinë, gjuhën dhe kulturën popullore, e përgjithësisht me punën e madhe për njohjen e vlerësimin e traditave, me mundësitë e reja të shtypit e të botimeve, u çelën shtigje të reja edhe për ndriçimin e historisë, kulturës, traditave dhe letërsisë e gjuhës së arbëreshëve të Italisë. Kështu, De Rada dhe shkrimtarët e tjerë arbëreshë, përkrah Naimit e klasikëve të tjerë të letërsisë sonë, zunë kryet e vendit në programet tona shkollore të mesme dhe universitare. U botuan dhe u ribotuan shumë nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë të Rilindjes dhe u bë një punë e gjerë popullarizuese e propaganduese për vlerat e kësaj letërsie e përfaqësuesit e saj.
Për letërsinë, gjuhën dhe përgjithësisht për kulturën e arbëreshëve të Italisë kanë dhënë ndihmesa të vyera, kanë botuar vepra monografike, kumtesa e artikuj përkujtimorë për figura të shquara arbëreshësh, në radhë të parë, shkencëtarët dhe shkrimtarët shqiptarë më të njohur. Kreun e vendit në serinë e gjatë të shkrimtarëve për arbëreshët e zënë studimet e profesorëve tanë të nderuar, si të ndjerët Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Dhimitër S. Shuteriqi, Zihni Sako, Vehbi Bala, Shaban Demiraj, Mahir Domi, si dhe ndihmesa e shkrime të një vargu specialistësh, ndër të cilët, në mënyrë më të spikatur, janë për t’u përmendur shkrimet e Ziaudin Kodrës, Andrea Varfit, Jup Kastratit, Koço Bihikut, Klara Kodrës, Ali Xhikut, Jorgo Bulos, Koli Xoxes, Nasho Jorgaqit, Ramiz Kelmendit, Rexhep Qoses, Rexhep Ismajlit, Gjovalin Shkurtajt, Rexhep Zllatkut, Anton Berishës, Sadik Bejkos etj.
Si vijim e pjesë përbërëse e kësaj veprimtarie botuese për njohjen e popullarizimin e letërsisë arbëreshe mund të përmendim edhe botimet e herëpashershme të krijimtarisë së shkrimtarëve arbëreshë në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve, siç janë ciklet e poezive të Vorea Ujkos (pseudonim i Domenico Bellizi), botuar nën kujdesin e Vehbi Balës; të Karmell Kandrevës, Lluka Perrones e Buzëdhelprit (Agostin Giordano) nën kujdesin e Gjovalin Shkurtajt; të Xhuzepe Skiro di Maxhios nën kujdesin e Nasho Jorgaqit etj.
Krahas letërsisë arbëreshe të botuar në vëllime të veçanta, sipas autorëve ose në formë antologjish, këta dhjetëvjeçarët e fundit janë botuar edhe një numër monografish për autorë dhe probleme të veçanta të letërsisë arbëreshe. Të tilla janë veprat e Jup Kastratit “Jeronim de Rada-jeta dhe vepra” (1979), monografitë e Klara Kodrës (1975) dhe Ali Xhikut “Romantizmi arbëresh” (1980), libri i Koli Xoxit “Shqiptarët dhe Garibaldi” (1979), librat e Anton N. Berishës “Antologji e poezisë gojore arbëreshe” (Kozencë, 1998) dhe “Mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë” (Tiranë, 2000); “Antologji e poezisë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë” (2001); studimi monografik i Sadik Bejkos “Përtej një apokalipsi” (Mbi poezinë e sotme arbëreshe (1946-1984), Panteon, Tiranë, 1999.
Për njohjen dhe studimin e letërsisë dhe të kulturës arbëreshe, Bardhosh Gaçen e kanë ndihmuar edhe ekspeditat dhe udhëtimet studimore, që ai ka ndërmarrë në diasporën arbëreshe, në fillim bashkë me etnomuzikologun Beniamin Kruta, duke pasur ndihmën e pakursyer të Nino Minishit, kryetar i Bashkisë së Mbuzatit, prof. Francesko Altimarit dhe dom Antonio Bellushit, kulturolog i mirënjohur arbëresh, pastaj edhe me udhëtime studimore të herhëpashtershme arbëreshe,duke shtegtuar e shkelur gati të gjitha ngulimet arbëreshe të Kalabrisë,të Sicilisë, të Potencës e të Kampo-Basos dhe duke fituar kështu një njohje të gjerë e tashmë edhe të plotë të shkrimtarisë së arbëreshëve të Italisë.
Në hullinë e mbarë të kësaj njohjeje, artikujt,kumtesat dhe librat e Prof.Gaçes për letërsinë arbëreshe të Italisë vijnë natyrshëm si vazhdim i shqyrtimeve të mëparshme, po edhe nga njohja e drejpërdrejtë që ai ka siguuar në rrjedhë të dhjetëvjeçarëve për krjuesit e sotëm dhe jep vlerësimin e vet, duke shtuar edhe prurje e përsiatje të tjera, të reja ose të përtërira dukshëm në lidhje me aktualitetin e përjetimeve dhe hulumtimeve për letërsinë arbëreshe, tashmë edhe nga një brez i ri studiuesish arbëreshë, profesorë të universiteteve italiane ku janë katedra të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqiptare, si në Úniversitetin e Kalabrisë (F.Solano, F. Altimari, G. Bellushio, F. Iussi), në Sicili në Universitetin e Palermos (A.Guxeta, M.Mandala, Vito Matrënga), në Universitetin Oriental të Napolit (Italo C. Fortino), në Universitetin e Romës “La Sapienza” (Giuseppe Gradilone, Elio Miracco).
Mjaft prej ndihmesave të tyre ishin pasqyruar ashtu si e meritojnë edhe në librin e Bardhosh Gaçes “Letërsia arbëreshe” (Vlorë, 2008), kurse në librin e tanishëm, mbas një hulumtimi të kujdesshëm e për gati dhjetë vjet radhazi, autori u jep studiuesve, pasuniversitarëve dhe studentëve të interesaur një libër të ri, ku ai edhe rimerr, po mbi të gjitha, ritrajton e shqyrton me prurje e analiza të reja autorë dhe vepra të letërsisë së sotme arbëreshe të Italisë, që janë të nevojshme, madje të domosdoshme, për formimin e mirë të studentëve në lëndën e letërsisë shqiptare, pjesë e së cilës ka qenë dhe mbetet edhe letërsia arbëreshe.
Studentët dhe studiuesit e interesuar mund të gjejnë aty një bazë të mirë të dhënash për historinë e letërsisë arbëreshe, shtuar edhe me përsiatje e konsiderata të reja të autorit, i cili, në këta dy a tre dhjetëvjeçarët e fundit ka qenë mjaft i lidhur me arbëreshët, ka vajtur shpesh në Kalabri e në ngulimet e tjera arbëreshe të Italisë, ka shkruar vjersha dhe artikuj studimorë me tematikë nga bota arbëreshe dhe, natyrisht, edhe duke qenë një ligjërues i letërsisë shqiptare në Universitetin e Vlorës, ka mbajtur lidhje më të ngushta me disa figura të njohura, si prof. F.Altimarin, prof. M. Mandalain etj. Dhe në faqet e librit të pranishëm emrat dhe veprat e ndihmesat e arbëreshëve pasqyrohen mjaft mirë.
Libri i Bardhosh Gaçes ndihmon për të theksuar se arbëreshët, në çdo kohë, në Sicili, në Kalabri e Bazilikatë, u qëndruan besnikë traditave arbërore dhe, me krenari, e quajnë veten arbëreshë. Me këtë shpirt qëndrese e vetëruajtjeje ata arritën t’u bënin ballë kohërave e rrjedhave të ndryshme të jetës në dhe të huaj, ndikimeve të mjedisit latin e të ruanin bashkë me cilësitë e tjera edhe një visar të çmueshëm: gojëdhënat, këngët tradicionale të kohës Skënderbeut, të cilat përbëjnë një faqe nga më të bukurat të historisë së kulturës sonë kombëtare.
Libri i pranishëm, ashtu si dhe krejt botimet pararendëse, thekson se nuk duhet harruar se, edhe në luftën e përpjekjet e popullit tonë deri në fitoren e pavarësisë kombëtare më 1912, ka pjesën e ndihmesën e vet të vyer edhe një numër i mirë veprimtarësh të përmendur arbëreshë, të cilët në kohët më kritike të ekzistencës së kombit shqiptar, i kushtuan Shqipërisë mendjen e kthjellët e zemrën e ngrohtë prej vëllai, duke mos kursyer as gjënë, as jetën. Mjafton të kujtojmë se dijetari dhe poeti i madh De Rada, në veprat e veta e me të përkohshmen “Fjamuri i Arbërit”, deshi t’i paraqiste botës kombin shqiptar plot virtyte e gjuhën e tij të lashtë, duke zgjuar e vënë në lëvizje shqiptarët e arbëreshët kudo që gjendeshin për të punuar për lëvrimin e gjuhës e lirinë e atdheut. Kjo tregon se njohja dhe studimi i historisë, traditave e kulturës së këtyre ngulimeve ka rëndësi jo vetëm sepse ato e kanë zanafillën nga Shqipëria, por edhe për arsyen se arbëreshët, në disa epoka historike ashtu si edhe sot, qëndruan me mendje e zemër pranë nesh.
Qysh herët atje lulëzoi edhe një letërsi artistike me merita, përmasa të gjera e përfaqësues të shquar, sidomos në shekullin XIX. Lëvizja e fuqishme mendore e kulturore e shekullit XIX, siç dihet, solli një kthesë të madhe në letërsinë shqiptare. Kjo kthesë u vërtetua më parë në letërsinë e arbëreshëve të Italisë, në të cilën filloi trajtimi i një tematike të re e me frymë të re. Vepra poetike e De Radës “Këngët e Milosaos” (1836) qe vepra e parë e shquar e letërsisë sonë të Rilindjes. Gazeta “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë), që nisi të botonte De Rada më 1848, qe organi i parë i shtypit shqiptar.
Në shekullin XIX tek arbëreshët e Italisë u zhvillua një letërsi e pasur nga një numër i mirë poetësh të dalluar, si: Jeronim de Rada, Gavril Dara i Ri, Zef Serembe, Françesk Anton Santori, Vinçenc Stratikoi, të cilët krijuan vepra të një niveli të lartë artistik, me merita të shënueshme, falë të cilave ato u bënë të njohura e të vlerësueshme edhe nga shkrimtarë të mëdhenj evropianë të asaj kohe.
Krahas De Radës e nën shembullin e nxitjen e tij, në shpërndarjen arbëreshe të Italisë, në Kalabri e Sicili dolën edhe mjaft letrarë, studiues e atdhetarë të tjerë, që punuan e ndihmuan me dashuri e zell për lulëzimin e letërsisë shqiptare, si dhe për popullarizimin e çështjes kombëtare e të drejtave shqiptare në opinionin publik të Evropës Perëndimore. Ata synonin dhe luftonin për krijimin e një lëvizjeje kombëtare arbëreshe në ndihmë të Shqipërisë. E gjithë kjo veprimtari, qoftë në fushën e letërsisë, qoftë në fushën shkencore e përgjithësisht kulturore e politike, që u zhvillua ndër arbëreshët e Italisë në shek. XIX dhe ne fillim të shek. XX, synonte afirmimin e kombësisë së tyre dhe të drejtave të popullit shqiptar për të jetuar i lirë.
Merita e librit të prof. Bardhosh Gaçes është, pa dyshim, përpjekja e tij e mbarë për ta vazhduar e pasuruar traditën e njohjes së letrave shqipe në diasporën arbëreshe, duke iu përmbajtur në parim atyre piketave që ishin vënë qysh në botimet e tjera të mëparshme, sidomos të librit të Gj.Shkurtajt “Shpirti i arbërit rron” (1984) dhe “Me arbëreshët” nga gazetari Rexhep Zllatku, përmbledhje me reportazhe interesante e të vlefshme për kohën, si dhe nga antologjitë “Rrënjë e fortë” nga Rexhep Ismajli dhe “Degë e blertë” nga Nasho Jorgaqi e Hysen Sinani.
Le të njihemi më nga afër me përmbajtjen e librit “Letërsia bashkëkohore arbëreshe” të B.Gaçes: Libri ndjek vijën e parashtrimit problemor dhe të natyrës së përshtatshme për parashtrimin historiko-letrar, duke dhënë, së pari, një hyrje në letërsinë arbëreshe, një pamje të problemeve dhe hapësirave të botës kulturore në ngulimet arbëreshe; trajton dukuri të letërsisë gojore të arbëreshëve, të djeshme e të sotme; flet për traditat e zakonet e arbëreshëve të Italisë, për shtypin dhe shoqëritë kulturore arbëreshe, duke vënë në spikamë sidomos përpjekjet e arbëreshëve për ruajtjen e gjuhës shqipe. Janë këto shqyrtime jo gjithmonë të reja, por të përtërira e të ngjeshura me të dhëna interesante nga kërkimet e botimet e reja për arbëreshët.
Letërsinë e sotme të arbëreshëve të Italisë, autori me të drejtë e ka parë si “degë të njomë” të rritur në atë trungun e hershëm e të mirënjohur të Rilindjes Arbëreshe, prej së cilës, dikur, do të shkrepte edhe Rilindja Kombëtare shqiptare, duke u ndalur më gjerë te disa prej krijuesve më të dalluar, ai bën përsiatje me interes rreth “botës poetike” të Dushko Vetmos (Francesko Solano), shtjellon e zbërthen kahet ideoemocionale të poezisë së Vorea Ujko (Domenico Bellizi), të cilin me të drejtë e quan “poeti që ringjalli fytyrën e De Radës”. Më pas autori trajton artin poetik të Lluka Perrones, flet për poezinë e Buzëdhelprit (Agostino Giordano), të Zef Skiro i Majit (Giuseppe Schiro di Maggio), të Karmell Kandrevës dhe të poeteshës Kate Xukaro,duke na njohur edhe me prurjet e vlerat e poeteshës Enca Skutari etj.
Në pjesën e dytë të librit me titullin “STUDIUESIT PËR KULTURËN DHE LETËRSINË ARBËRESHE” jepet një pamje relativisht e plotë dhe e vlefshme kushtuar studiuesve dhe filologëve të shquar bashkëkohorë arbëreshë e shqiptarë, duke sjellë një varg prurjesh me interes përnjohës e vlerësues për studiuesit e sotëm arbëreshe, midis të cilëve dallohen ndihmesat qoftë edhe tashmë të hershme të prof. Eqrem Çabejt për “botën arbëreshe”, ku ai ka prekur qysh në fillesat e veprimtarisë së tij hulumtuese rolin e letërsisë arbëreshe si dëshmi e forcës ruajtëse dhe i qëndresës së diasporës arbëreshe në Itali. Një krye të posaçëm i ka kushtuar në libër studimeve filologjike të Francesko Solanos, duke theksuar rolin e tij prej pionieri,jo vetëm si krijues,poet e prozator,po edhe si filolog e botues i trashëgimisë letare të F. A. Santorit, si dhe të dorëshkrimeve të tjera.
Një vend të mirë i kushton prof.Gaçe edhe Antonio Bellushit, duke theksuar se ai arriti të bënte një punë të vyer për çështjen arbëreshe në kompleksin e vet. Duke qenë i lindur në një nga vatrat më të njohura arbëreshe si Frasnita e Kalabrisë, një ngulim i rëndësishëm për personalitetet që ka nxjerrë njëri prej të cilëve është Vinçens Dorsa, historian dhe studiues. Belushi u përpoq që kjo kulturë dhe nevoja për të hedhur sytë përpara pa harruar të kaluarën, të vazhdojë dhe në brezin e intelektualëve të sotëm arbëreshë. Në mesin e studiuesve me rrezatim e peshë për gjuhën e kulturën arbëreshe në libër jepet edhe një pjesë kushtuar Androkli Kostallarit, duke u ndalur sidomos te shqyrtimet e tij në tematikën që ka si bosht “De Rada dhe ideja e gjuhës letrare kombëtare shqiptare”.
Në sytha të veçantë trajton autori edhe ndihmesat e një vargu studiuesish arbëreshë e shqiptarë,si për botimet e Gj.Shkurtajt për cijatjen dhe vlerësimin e gjuhës e të letërsisë arbëreshe; ndalet gjerë te Françesko Altimari në Kalabri dhe Matteo Mandala në Sicili, pa dyshim dy nga me të shquarit për botimet,ndihmesat dhe hapësirat e gjera që i kanë sjellë ata trajtimit të filologjisë dhe të letërsisë arbëreshe të traditës dhe të sotmes;ndalet në ndihmesat e studiuesit Ali Xhiku, duke sjellë si të thuash “palcën” e tipologjisë së studimeve të tij për figura të mëdha të letërsisë arbëreshe,si për Zef Skiroin dhe veprën e tij “Mili e Haidhia”, po edhe për letërsinë arbëreshe në përgjithësi; një syth i kushton edhe Italo C.Fortinos dhe studimit të tij filologjik për veprën “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” e botimin e saj. Pjesa kushtuar ndihmesave të studiuesve për filologjinë dhe letërsinë arbëreshe mbyllet me një shqyrtim mjaft të gjerë e meritor të Anton N.Berishës, duke përmendur botimet dhe vlerat e tij në lëmin e njohjes së letërsisë së sotme arbëreshe.
Libri mbështetet në një literaturë mjaft të gjerë,prej së cilës ai ka sjellë prurje me vlera formuese e ndikuese, duke u dhënë edhe studentëve e studiuesve informim e mundësi për të pasur edhe një model pune të vyer në shqyrtimet që mund të ndërmarrin në lëmin e letërsisë arbëreshe. I urojmë autorit, kolegut e mikut tonë të nderuar, suksese të mëtejshme dhe libra të tjerë në këtë fushë sa interesante, aq edhe të vlefshme.
Tiranë, 20 dhjetor 2018.