Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Cohen: Kopshti i fëmijëve, si koncept dhe subjekt

Në vitin 1816, Fridrich Frobel shkroi vepren pedagogjike “Edukata e njeriut”.
Në shekullin e 19, pra kishte jo vetëm ide të qarta pedagogjike, por edhe institute të mirëorganizuara për edukimin parashkollor.
Pas mëse dy shekujsh, ne hasemi në mijëra dilema e paqartësi që jo rrallë kthehen në probleme sociale. Pse? Ndoshta sepse shpesh i komplikojmë gjerat, ndoshta sepse edukimin e marrim të mirëqenë dhe nuk thellohemi të kuptojmë fillimisht gjerat më të thjeshta që fillojnë me: ÇFARE DUAM!
Unë mendoj se problemi dhe zgjidhja varet nga tre pyetje esenciale në thelb dhe të thjeshta në dukje.

📌 Çfarë kërkon një fëmijë nga kopshti?
📌 Çfarë kërkon një prind nga kopshti?
📌 Çfarë kërkon shoqëria nga kopshti?

Kur them kopshti, kam parasysh mjedisin fizik, social, didaktik, emocional që shërben për edukimin në 6 vitet e para të jetës.

Të mësuarit duhet të jetë një pjesë e natyrshme e jetës. Kopshti duhet te jetë një mjedis ku fëmijët kënaqen dhe mësojnë në mënyrë të gjallë. Në tërësi çdo program duhet të ndërtohet që të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësitë sociale, ndjenjën e përkatësisë në grup, duke respektuar njëri-tjetrin.

Qëllimi i kopshtit është të zbulojë vlerat e personave që në fëmijërinë e hershme.

📌 Çfarë dëshiron fëmija nga kopshti?

– Të zhvillojë kapacitetet e tij emocionale në mënyrë të LIRË.
– Të prekë, të dëgjojë, të shohë, të lëvizë, të zbulojë të gjitha eksperiencat që kopshti ia ofron në mënyrë të plotë, profesionale dhe totalisht të lira.
– Të perceptojë kapacitetet e tij Kreative në raport me ato Ekzekutive (atë që ndjen dhe mendon në raport me atë që i thuhet apo ofrohet nga të rriturit)
1. Të jete PJESEMARRES në ditën në kopesht, me të gjithë qenien e tij ( trupi, llogjika , mendimi , ndjenjat, njohurite , bota e brendshme dhe bota e jashtme e tij te nderveprojne në vazhdimësi, PA FILTRA )
2. Kopshti të jete një vend ku LOJA të përfaqësoje LIRINE. (Asgjë nuk është më serioze se loja. Loja me femijet e tjere , loja me të rritur dhe loja edhe vetem . Në lojë fëmija ndjehet prezent dhe i rëndësishëm , kështu ai arrin të zbulojë pikat e tij të ekuilibrit).
3. Tëndjehet i lirë të thotë atë që bën dhe të bëjë atë që thotë.
4. Të ndjehet i lirë të shprehë edhe emocionet negative si frika, mërzia, inati, sfida si elementë esencial të zhvillimit.

📌Çfarë dëshiron prindi nga kopshti?

– Kopshti të jetë nje vend ku fëmija të mos të konsiderohet si një pako postale që dorëzohet dhe rimerret “Pa u hapur”, por si një proces adaptimi social, në respekt të individualitetit të tij.
1. Që fëmija, në bashkëpunim me fëmijët e tjerë, të fillojë të njohë veten dhe të mësojë format e adaptimit social.
2. Që fëmija të dalë nga format e komunikimit “I rritur – fëmijë” thellësisht protektive dhe të komunikojë lirshëm.
3. Që fëmija të fillojë të mendojë e të veprojë jo në formën “Unë”, por “Ne”.
4. Që fëmija mund të transmetojë lirsëm mesazhet e tij pozitive ose negative me bindjen se do të kuptohet dhe me besimin tek komunikimi.
5. Monitorimin e shëndetit psikofizik të fëmijës.
6. Që nevojave të femijes t’i përgjigjen me ndjeshmëri të veçantë.
7. Që procesi i të ushqyerit dhe gjumit të konsiderohen si SIMBOLE DASHURIE.
8. Që mësueset dhe edukatoret të impenjohen të kuptojnë dhe të zbulojnë energjitë e fëmijës, t’i drejtojnë në lojë, në punë e në zbulimin e botës që i rrethon.

📌 Çfarë dëshiron shoqëria nga kopshti?

– Një proces edukimi, të bazuar mbi kuptueshmërinë dhe socializimin, në krijimin e fëmijëve kompetentë, pa lenë pas dore elementët e tjera humane si ndjenjat, emocionet, imagjinatën, sensin estetik, kapacitetet e të shprehurit, besimin te vetja .
1. Ku prioritet i jepet procesit të “mësimit të të mësuarit”, pra formimit mendjehapur, i hapur për ndryshime, për të ndjekur siç duhet zhvillimet e shpejta të shoqërisë moderne.
2. Ku zhvillimi i fëmijës nuk konsiderohet vetëm ambjental, por edhe psikologjik.
3. Ku rezultatet nuk maten me kile apo me metra, por me shëndetin e gjëndjes shpirtërore.
4. Ku kopshti nuk konceptohet thjesht si vend që i krijon lumturi fëmijës, por si qendër ku fëmija shpreh kapacitetet dhe potencialet e tij, sepse VETEM në këtë mënyrë femija do ndjehet SPONTANISHT I LUMTUR.
5. Ku kopshti të mos jetë një qendër ku flitet për fëmijët, po ku flitet me fëmijët.
6. Ku fëmijët të futen në procesin e socializimit, duke vlerësuar potencialet e shokëve të tjerë.
7. Ku çdokush të gjejë mënyrën e tij të rritjes, së bashku me të tjerët, por jo domosdoshmërisht SI TE TJERET.

Në epokën që jetojmë, ku dhuna është shumë prezente, institucioni i kopshtit duhet të përfaqësojë mundësinë e një bote pa negativitet, të një shoqërie pa konflikte, duke vënë në qender të edukimit komunitetin, vlerën e solidaritetit, rëndësinë e familjes.

Please follow and like us: