Albspirit

Media/News/Publishing

Karvani i qytetërimit nuk mund të ndalet

Image result for yzedin hima

Yzedin Hima

 

…Falë fisnikërisë së dy qytetarëve të Beratit, ing. Gazmend Toskës dhe znj. Teuta Qose, mesazhi i mrekullueshëm i Muzeut “Solomon” se një popull i varfër ka në shpirtin e tij një humanizëm të madh, që prek lartësitë e vetësakrifikimit, shkoi në Tokio, në Argjentinë, në Londër, në New York …

 

Poeti dhe studjuesi Simon Vrusho ndoqi për një kohë të gjatë gjurmët e hebrenjve në qytetin e Beratit. Takoi mjaft dëshmitarë të strehimit dhe  mbrojtjes së tyre gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në këtë qytet dhe në fshatrat  e tij. Regjistroi mjaft dëshmi, fakte, ngjarje të asaj kohe. Nga këto shënime lindi libri i tij i çmuar “Hebrenjtë e Beratit”. Ky tekst, i brishtë në format, mbart një mesazh mjaft të rëndësishm që qytetërimi ynë ia përcjell qytetërimit europian e më gjerë: altruizmin. Rrënjët e këtij altruizmi janë te njerëzit e thjeshtë të qytetit, banorët e të cilit qenë gati të vetësakrifikoheshin për të mbrojtur hebrenjtë e ardhur nga vise të ndryshme të Ballkanit për shkak të përndjekjes nga nazistët. Ky fakt e bën mjaft të besueshëm thënien se qyteti i Beratit është një qytetërim 24000 – vjeçar, i pandërprerë. Vetëm në një qytetërim të tillë mund të kultivohej një ndjenjë kaq e fortë altruizmi te banorët.

Simon Vrusho e vazhdoi pasionin e tij për prezantimin e bujarisë, besnikërisë së qytetarëve të Beratit, por edhe të fisnikërisë, respektit, mirënjohjes së hebrenjëve të strehuar në Berat dhe pasardhësve të tyre për këtë qytet duke themeluar të parin muze të kujtesës në Shqipëri, Muzeun “Solomon”. Me kursimet e tij të pakta, me pensionin e tij të varfër, arriti të krijonte të parin muze privat, që lartësonte, konkretizonte me dëshmi, fakte, foto, atë fjalën e artë të gjuhës shqipe që thirret Besa. Kur viziton sot Muzeun “Solomon”, kjo fjalë merr kuptim e vlerë, nuk është thjesht një mit si shumë mite që myken në faqet e librave të historisë.  

Ikja e parakohshme e Simon Vrushos la në mes një projekt mjaft të qartë të tij për zgjerimin dhe modernizimin e Muzeut “Solomon”, madje rrezikoi edhe ekzistencën e tij për shkak të pagesës së faturave të qirasë, guidës etj.

Pikërisht në këtë çast u rishfaq fisnikëria, altruizmi i njohur i qytetarëve të djeshëm të Beratit, i promovuar nga Simon Vrusho te vepra e tij “Hebrenjtë e Beratit” dhe të stendat modeste të Muzeut “Solomon”. Dy qytetarë fisnikë, pasardhës të denjë të banorëve të Beratit, që qenë gati të sakrifikonin veten, fëmijët, të afërmit në emër të ruajtjes së mikut hebre që u trokiti në portë, u shfaqën te “Muzeu “Solomon” dhe i treguan  Angjelinës, zonjës së Simon Vrushos, se ishin gati ta ndihmonin për t’i shlyer faturat dhe për të ndihmuar vazhdimësinë e këtij muzeu, që i bën nder Beratit, i bën nder Shqipërisë, i bën nder qytetërimit në përgjithësi. Këta banorë fisnikë janë  ing. Gazmend Toska dhe znj. Teuta Qose, motër e vëlla, qytetarë të Beratit. Falë ndihmës së tyre bujare Muzeu “Solomon” e ka portën të hapur dhe është vizituar gjatë kësaj kohë nga qindra të huaj nga të gjitha anët e botës. Falë fisnikërisë së këtyre dy qytetarëve të Beratit, mesazhi i mrekullueshëm se një popull i varfër ka në shpirtin e tij një humanizëm të madh, që prek lartësitë e vetsakrifikimit, shkoi në Tokio, në Argjentinë, në Londër, në New York.

Altruizmi i tyre sot është vazhdimësia logjike e altruizmit të banorëve të qytetit të Beratit në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Karvani i qytetërimit nuk ndalet, pavarësisht nga koha e moti. Të dy e kanë siguruar vendin e tyre të nderit në këtë muze të besës, humanizmit, altruizmit.

Nuk e di nëse janë skuqur disi nga ky gjest i dy qytetarëve fisnikë beratas, ata që menaxhojnë miliona e miliona nga taksat tona në institucionet e vetquajtura të kulturës, por që promovojnë hiçkulturën.

 

Please follow and like us: