Albspirit

Media/News/Publishing

POLITIKA NË PROVIM: MERR NJË COPË 5 APO MBETET PËR VJESHTË?

Image result for astrit gjunkshi

Dr. Astrit GJUNKSHI

Maturantët e shkollave tona të mesme i përfunduan tashmë të gjitha provimet që dhanë gjatë muajit qershor. Shumica e kaluan klasën me sukses, me vlerësim që nga nota maksimale e deri tek ata që u kënaqën edhe me “një copë 5.” Disa të tjerë mbetën për vjeshtë dhe duhet të punojnë gjatë gjithë verës për të mësuar më mirë që ta meritojnë marrjen e diplomës. Mësuesit korrektë nuk të falin kur konstatojnë se ke mungesa të theksuara në njohuri.

Por qershori nuk ka përfunduar ende, ndaj ka rezervuar edhe datën e tij të fundit, 30 qershorin si ditë provimesh. Është një provim që zhvillohet çdo 4 vjet, dhe në të konkurojnë vazhdimisht me njëra tjetrën dy klasa të politikës shqiptare: klasa Mavi dhe klasa Blu. Ajo që ka marrë rezultate më të mira në provim, ka mundur të bëhet klasë qeverisëse e vendit. Por, këtë herë vetëm klasa Mavi ka deklaruar se do të marrë pjesë në provim. Ndërsa klasa Blu, ka deklaruar prej muajsh se nuk do të marrë pjesë në provim, sepse ka prova se teza e provimit është manipuluar dhe i është shpërndarë që më parë klasës Mavi. Klasa Blu kërkon me forcë shtyrjen e provimit deri sa të sigurohen kushtet e sigurta se provimi do të zhvillohet pa manipulim.

Klasa Mavi është e sigurt që do të jetë fituese në provim, duke qenë e vetmja klasë pjesëmarrëse në provim, përveç ca individëve të tjerë nga klasa me ngjyra të ndryshme nga Mavi-ja apo Blu-ja. Por, asgjë nuk është e sigurt nëse ajo do ta fitojë provimin, sepse gjithçka do të varet nga ardhja në provim dhe vlerësimi që do të japë një komision prej tre pedagogësh, të quajtur populli Mavi, populli Blu dhe populli Gri, që është edhe kryetar i komisionit. Populli Blu ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm në komisionin e provimit. Në fakt, është e diskutueshme vetë rregullorja që e lejon zhvillimin e provimit nga një komision prej dy pedagogësh. Por, edhe nëse do të lejohet, vlerësimi i klasës Mavi në provim do të jetë në pikëpyetje.

Klasa Mavi është e sigurt se populli Mavi do t’i japë notën maksimale. Ndërsa mbetet notë vendimtare vlerësimi nga populli Gri, i cili është shumë skeptik për rregullsinë e këtij provimi. Kështuqë vlerësimi i klasës Mavi do të përfundojë mbase me “një copë 5”.  Por, është e sigurt që, nëse populli i rreptë Gri nuk do të paraqitet në komision, provimi nuk do të jetë legjitim, ndaj do të shtyhet për dikur në vjeshtë. Atëhere edhe klasa Blu mbase do të jetë gati për të marrë pjesë në një provim të garantuar dhe legjitim…

Tiranë, më 23 qershor 2019

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban MSc për sigurinë nga Cranfield University i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash dhe shkrimtar. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.

 

 

Please follow and like us: