Albspirit

Media/News/Publishing

4 anëtarë të Këshillit Koordinativ të Diasporës reagojnë për krizën në Shqipëri

Përmes një deklarate në rrejtin social Facebook, 4 anëtarë të Keshillit Koordinativ të Diasporës i kanë drejtuar një thirrje klasës politike shqiptare për të gjetur një formulë zgjidhjeje të krizës politikë që ka përfshirë Shqipërinë muajt e fundit.

Ata janë Adriana Bejko, Ardian Radovicka, Gazmend Kapllani dhe Anila Hyka-Smørgrav. Në këshillin prej 15 vetësh të emëruar nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Bejko dhe Radovicka përfaqësojnë diasporën e Kanadasë, Kapllani atë të SHBA ndërsa Hyka-Smørgrav përfaqëson shqiptarët e Francës. Ky është reagimi i dytë zyrtar i shqiptarëve nga diaspora, pas atij të djeshmit nga Federata Panshqiptare VATRA e Amerikës.

Në thirrjen e tyre, 4 anëtarët e KKD kanë listuar 4 pika në të cilat behet thirrje për dialog të menjëhershëm dhe pa kushte mes palëve sidomos për daljen nga kriza e zgjedhjeve lokale si dhe për organizimin në një kohë optimale dhe me konsensus të zgjedhjeve të përgjithëshme mbi bazën e një sistemi që eliminon çdo manipulim dhe çdo listë të kontrolluar nga kryetarët e partive.

Përfaqësuesit e diasporës inistojnë në faktin qe vendi ka nevojë për një kulturë të re politike e cila mund të dëshmohet përmes një marrëveshjeje historike mes forcave politike për reforma dhe për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në fund të deklaratës ata kanë ftuat të gjithë anëtarët e KKD ti bashkohen thirrjes së tyre si dhe të gjithë Ambasadorët e Kombit të vlërësuar me këtë titull në Samitin e Dytë të Diasporës.

Vlen të theksohet që deklarata e 4 anëtareve të KKD është dëshmi e integritetit të tyre personal dhe profesional. Mbetet të shohim se cilët nga anëtarët e tjerë të KKD apo Ambasadorë te Kombit do ti bashkohen asaj. Të paktën 4 deri tani dëshmuan që nuk i tërheq askush prej hunde, aq më tepër qeveria aktuale që i ka emëruar.

 

Më poshtë deklarata e plotë:

 

Me shqetësim të veçantë po ndjekim situatën politike shumë të acaruar në atdhe. Ajo që po shohim ne dhe e gjithë bota është një lojë tejet e rrezikshme që po luhet në dëm të popullit dhe vendit nga aktorët kryesorë politikë.

Për ne është shqetësues fati i kombit, që ju po e tërhiqni drejt greminës.

Prej mëse 30 vjetësh ju kemi ndjekur, herë entuziastë e me besim, e herë të zhgënjyer prej alternativave zgjedhore të kufizuara.

Ka ardhur koha të dëgjoni diasporën, së cilës i referoheni vazhdimisht në prag fushatash e udhëtimesh tejkufitare.

Ju bëjmë me dije se ne, përfaqësuesit e Diasporës, nuk mund të jemi indiferentë ndaj ngjarjeve në atdhe, prandaj kështu siç jemi, të organizuar në një këshill, ju tërheqim seriozisht vëmendjen dhe ju kujtojme te lini interesin dhe egot personale mënjanë dhe të mendoni për të mirën e Shqipërisë.

Nëse na konsideroni vëllezër dhe motrat tuaja të përzgjedhur për të ndërtuar urat e komunikimit ndërmjet Diasporës dhe shtetit Amë, ju lutemi dëgjojeni apelin tonë.

Ju lutemi mbani parasysh që ne ofruam integritetin dhe kreditet tona personale, paanshmërinë tonë dhe distancimin ndaj interesave partiake me shpresën për të kontribuar në interes të kombit.

 

Për këtë qëllim po ju drejtohemi sa më poshtë vijon:

 

  1. Bëhuni të arsyeshëm dhe ulni armët në mënyrë që të siguroni paqe politike dhe sociale që aq shumë i duhet Shqipërisë.
  2. Uluni në dialog pa kushte për të gjetur një formulë dalje nga kriza e zgjedhjeve lokale, por sidomos për të gjetur zgjidhje afatgjata politike dhe institucionale në të mirë të kombit.
  3. Dërgojini popullit mesazhin e një shteti ku sundon ligji, duke ribërë Kodin Zgjedhor dhe organizoni në një kohë optimale me konsensus zgjedhje të përgjithshme mbi bazën e një sistemi që eliminon çdo manipulim dhe çdo listë të kontrolluar nga kryetarët e partive.
  4. Bëni një marrëveshje historike mes forcave politike që të kontribuojnë të gjitha në hapjen e negociatave me BE, te cilën e konsiderojmë jetike për të ardhmen e vendit dhe të diasporës.

Diҫka e tillë do inauguronte një kulturë të re politike për të cilën vendi ka shumë nevojë. Interesat tona kombëtare afatgjata duhet të vihen mbi interesat partiake afatshkurtra.

Mos u druani se do të humbni të gjithë nga pak se do të fitojë Shqipëria. Jemi gati të vetë-afrohemi si interlokutorë ndërmjet palëve nëse kemi besimin tuaj.

Të merren seriozisht parasysh qëndrimet dhe këshillat e aleatëve tanë strategjikë në Perëndim.

Mbetemi në pritje të reflektimit tuaj të shpejtë dhe pozitiv, i cili shpresojmë të vendosë në qendër të diskutimeve Shqipërinë!

Duke i bërë thirrje jo vetëm diasporës por çdo shqiptari kudo qe jeton dhe qe sheh interesin e atdheut dhe të kombit mbi interesat e partive, ftojmë të gjithë anëtarët e tjerë të KKD, Ambasadorët e Kombit, dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të diasporës t’i bashkohen thirrjes sonë për një dialog të qytetëruar që të vendoset qetësia sociale në Shqipëri.

 

Me respekt,
Antarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës

 

Ing. Ardian Radovicka – Kanada
Dr Gazmend Kapllani – USA
Ing, Anila Hyka Smørgrav – Francë
Dr. Adriana Fishta-Bejko – Kanada

 

23 Qershor 2019

 

Please follow and like us: