Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Zavalani: 121 foto në 121 jetë suksesi të grave shqiptare të shekullit të 21!

 

 

Presidenca e Shqipërisë në Tiranë, në këtë fundjavë hapi dyert për 121 gratë e suksesit shqiptar, që punojnë e jetojnë në të katër anët e botës. Ndjehem e gëzuar dhe e privelegjuar të jem pjesë e grave të mrekullueshme, që me profesionalizëm e pasion bëjnë Shqipërinë, duke mbështetur njera tjetrën. Shpreh mirënjohje për Albanian Excellence dhe ideatoren e këtij projekti Flora Nikolla, që kishte bërë përzgjedhjen e grave, të cilat vinin nga profile të ndryshme si: mjeke, gazetare, artiste, ekonomiste, ushtarake, shkrimtare e poete si unë dhe shumë të tjera që ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri e kudo në botë. Nën tingujt e pianos dhe në një atmosferë festive u shpalosën rrëfimet e këtyre grave, të vendosura në një ekspozitë në mjediset e mrekullueshme të lulishtes së Presidencës dhe në një libër të titulluar “121 foto në 121 jetë suksesi të grave të shekullit të 21”.

Imazhet e zonjave janë përzgjedhur nga një grup profesionistë kuratorë, fotografë dhe gazetarë, që kanë pasë udhërrëfyes në këndëvështrimin e tyre dy veti thelbësore: suksesin profesional të zonjave dhe çastin domethënës të shkrepjes së fotografimit për të arritur një atmosferë kreative dhe njohëse mbi zonjat si model suksesi. Me këtë rast, u mbajt kjo mbrëmje e bukur në presidencën e Shqipërisë, ku gratë e suksesshme janë pritur edhe nga vetë presidenti Ilir Meta, i cili ka thënë se presidenca u zbukurua dhe u fisnikërua si asnjëherë tjetër nga prania e 121 zonjave të suksesshme në jetën profesionale, kontributet e të cilave e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në botë.

“Historitë e tyre të suksesit, të sjella së bashku në këtë ekspozitë, janë shembull frymëzimi dhe model i shkëlqyer për vajzat e gratë e reja, që sot ndodhen në momente të vështira, apo që përpiqen të arrijnë suksese në jetën dhe karrierat e tyre. I bindur që kur gratë janë të bashkuara dhe zëri i tyre dëgjohet nga të gjithë ne, përfituesit më të mëdhenj janë familja, komuniteti dhe atdheu! Sa më i madh të jetë roli i gruas, aq më e emancipuar, më e shëndetshme dhe më e bashkuar do të jetë shoqëria jonë! Me ju Shqipëria bëhet vërtetë zonjë!”, është shprehur Presidenti Meta.

Kurse Flora Nikolla që bëri krejt këtë organizim ka thënë se, zonjat e suksesit shqiptar në këto fotografi e biografi të shkurtra që po ju prezanton Albanian Excellencë në këtë libër-album, janë bashkëshorte, nëna, motra, mike, personalitete në punën e tyre, janë të sigurta, të rrepta, të zgjuara, kërkuese, janë shqiptare kudo që jetojnë, janë vlera që ne të gjithë duhet t’i çmojmë dhe t’i vlerësojmë si një mundësi më shumë për vendin e jetën tonë. “Ndaj unë them që rrinë aq bukur së bashku! Ndaj edhe them se bukuria e tyre fizike i përgjigjet aq natyrshëm e lehtësisht statusit të tyre social, intelektual, statutusit të së ardhmes që janë fëmijët e tyre, rritur me kujdes në jetën e tyre, mbushur plot me ngazëllim, përpjekje, dështime dhe ringritje suksesi të sigurtë. Ndaj ju them me dashuri e gojë-plotë: “Mirë se keni ardhur në botën e Albanian Excellence, ju zonja të suksesit shqiptar, nga gjithë planeti veshur me tis të mrekullueshëm kombëtar!”, ka thënë mes tjerash Nikolla.

Në këtë mbrëmje të madhe që bashkoi gratë e suksesshme ishte e pranishme edhe Vasfije Krasniqi, e cila edhe para të pranishmëve në Tiranë, potencoi dhimbjen e madhe të Kosovës, atë të dhunimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke ndarë përvojën dhe luftën e saj që të jetë zëri i këtyre viktimave në botë. Pastaj atmosfera u hijeshua nga tingujt e pianists së shquar Aksinja Xhoja Mjeshtër i Madh. Prej tre dekadash, pjanistja shqiptare jeton e punon në Brindizi në Itali, ku ka zhvilluar koncerte artistike, jo vetën në Itali, por edhe në shumë shtete të botës.

Mbrëmja u pasurua edhe me performancën e artistes Gjilberta Lucaj, e cila pas 20 viteve mungesë në skenën shqiptare, përzgjodhi pikërisht këtë mbrëmje të rikthehet nga New Yorku në Shqipëri. “Gjithmonë kam dashur të jem e pranishme në një mbrëmje të tillë dhe ftesën e Flora Nikollës e pranova me dashuri. E vlerësoj këtë iniciativë për të treguar zgjuarsinë e grave, sepse bota tashmë është e grave”, ka thënë mes të tjerash Lucaj. Gjilberta Lucaj, violonçelistja e talentuar, për të cilën Amerika është vendi që ia ka bërë ëndrrat realitet, ka interpretuar disa herë në Carnegie Hall dhe në disa nga sallat më të famshme të botës. Shkodrania e bukur që ka arritur të bëjë spektatorët të vajtojnë dhe buzëqeshin në koncertet e saj.

Ekspozita fotografike është iniciativë respekti dhe vlerësimi i Albanian Excellence, që punon dhe funksionon prej disa vitesh si një organizëm kulturoro social, aktiv dhe domethënës në jetën shqiptare si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Albanian Excellence ka një mision, i cili lidhet me zbulimin e individit shqiptar, që me punën e vet arrin suksese, duke dhënë vlërësim dhe mirënjohje për përpjekjet e tyre jo vetëm në arritjet individuale, por ka zbuluar në personalitetin e tyre interesin e zhvillimit të përgjithshëm të mirëqenies së jetës shqiptare, si dhe kontributin për emrin e mirë të Shqipërisë. Në aspektin estetik ekspozita ndërtohet nga një format i njejtë fotografik, për të vlerësuar në mënyrë të barabartë çdo zonjë pjesëmarrëse. Çdo imazh fotografik, shoqërohet me tekstin njohës dhe meditues rreth personalitetit dhe suksesit të secilës. Zonjat e suksesit shqiptar për vitin 2019, janë së bashku në një libër album, si një oaz mirësie dhe paqe, për të dhënë vlerën e merituar që ato vetë kanë ndërtuar me dinjitet, dashuri dhe me mirësinë e elegancës femërore në jetën e tyre!

Në këtë oaz vlerash që Albanian Excellence ka mbledhur me dashuri e kujdes si emblema të suksesit shqiptar kudo janë, prezantohen zonjat e mënçura dhe hire plota shqiptare, që më këmbënguljen e tyre dinë të kenë personalitetin dhe emrin e tyre, në një korpratë të madhe, në një qendër të rëndësishme mjekësore, informatike, në një mjedis ku fjala e vendimet e tyre janë vendimtare për vijimësinë e një procesi, që ka nisur me dyshime. Zonjat shqiptare të suksesit, janë së bashku si një ogur i mirë për Muzeun e Grave që Flora Nikolla do të ndërtojë së bashku me zonjën Suzana Varvarica, i pari i këtij lloji sikundër në shumë shtete të botës, që si parahyrje, do të ketë fotografitë e këtyre zonjave të suksesit shqiptar, të cilat ndihmuan edhe për realizimin e këtij projekti, nisur nga vullneti i mirë për të krijuar një sistem vlerash aq të munguar në kohët që jetojmë, në një Shqipëri ku tarafet dhe e pavërteta profesionale krijojnë një klimë pasigurie dhe ankthi profesional.Unë besoj në suksesin e grave ndaj edhe i përgëzoj me plot urime!

Please follow and like us: